Analize30 Aug 2021

Bizneset shohin përfitime, por edhe pengesa në nismën “Ballkani i hapur”

Nisma "Ballkani i hapur", e cila synon të heqë kontrollet kufitare në Ballkan, po shkakton debate politike, por për bizneset kjo mund të jetë një gjë e mirë.

Autor: Bojan Stojkovski BIRN Shkup
Printo

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjatë takimit në Shkup. Foto: Anadolu.

Kur liderët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë njoftuan në korrik se do të hiqnin kontrollet kufitare mes tyre deri në vitin 2023, bizneset në Ballkan po e ndiqnin nga afër këtë zhvillim, sidomos bizneset e reja.

E quajtur fillimisht “mini-Shengen”, nisma e re “Ballkani i hapur” synon të kopjojë qarkullimin e lirë të njerëzve, kapitalit dhe mallrave të zonës Shengen, fillimisht midis tre vendeve, por potencialisht në të gjithë rajonin.

Kritikët e saj thonë se nisma rrezikon të bëhet një zëvendësim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, i cili është bërë një perspektivë gjithnjë e më e largët që kur Kroacia u bë vendi i fundit që iu bashkua bllokut në 2013.

Por disa biznese – qasja e të cilëve në tregjet evropiane është e kufizuar – po fërkojnë duart para perspektivës së një tregu të vetëm prej afro 12 milionë njerëzish.

Nina Nikolich, bashkëthemeluese e Startup Macedonia, e cila u ofron kompanive shërbime këshilluese dhe mentoruese, tha se ndërsa tregjet individuale në Ballkan ishin të mira për të testuar një produkt ose shërbim, Startup Macedonia gjithmonë i inkurajon klientët e saj “të mendojnë globalisht dhe të përqendrohen në avancimin e tyre edhe në tregje të tjera”.

“Një nismë si Ballkani i Hapur është diçka që do të përshpejtojë avancimin në tregjet në këto vende”, tha Nikolich për BIRN. “Ajo do të mbështesë bashkëpunimin midis themeluesve, organizatave, investitorëve dhe institucioneve.”

Përgatitje për pranim në BE?

Kryeministri Edi Rama duke folur në një konferencë për shtyp në Tiranë më 10 qershor 2020. Foto: LSA

Ideja e krijimit të një tregu ballkanik daton që nga viti 2019, por për arsye të ndryshme e ka pasur të vështirë të fitojë edhe mbështetjen e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat, ashtu si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të gjitha aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Aleksandar Klashninovski, CEO i akademisë së marketingut digjital me qendër në Shkup, Brainster Next, tha se Ballkani i Hapur mund të sigurojë praktika të paçmueshme para pranimit në BE.

“Kjo nismë do të na ofrojë qasje në një grup më të madh talentesh, burime më të mëdha financimi. Ne mund të bëhemi një zonë tërheqëse investimesh për korporata të mëdha të huaja, etj.”, tha ai.

“Edhe pse objektivi përfundimtar mbetet i njëjtë – anëtarësimi në BE dhe Zonën Ekonomike Evropiane – Ballkani i Hapur do të ishte shumë i dobishëm për të tre vendet në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi do të bashkojë burimet e tre ekonomive të ngjashme, me nivele të ngjashme zhvillimi ekonomik dhe sfida të ngjashme.”

Arvin Kamberi, nënkryetar i Shoqatës Bitcoin të Serbisë, shikon përparësi të ngjashme, sidomos për kompanitë më të mëdha rajonale që kërkojnë të konkurrojnë në tregje më të mëdha.

“Kjo marrëveshje do të prezantojë një treg të përbashkët prej 10+ milionë njerëz, gjë e cila sjell mundësi për rritjen e kompanisë”, tha Kamberi për BIRN në një email.

“Më vonë, kompani më të mëdha rajonale mund të konkurrojnë më mirë në tregjet globale dhe mund të përgatiten më mirë për tregun 40 herë më të madh të hapur të BE-së. Gjithsesi, kompanitë do të kishin ende nevojë të investonin më shumë në përmbajtje të personalizuara vendore duke qenë se, edhe pse afër gjeografikisht, tre tregjet rajonale janë ende shumë të ndryshme”, tha ai, duke cituar si fillim dallimet gjuhësore.

Mundësi për të nxitur inovacion

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Foto: Facebook/Aleksandar Vucic.

South Central Ventures, e cila investon kryesisht në biznese të reja teknologjike në rajon nga një fond me vlerë 40 milionë euro, ishte tepër e kënaqur për nismën.

“Fillimisht, ajo mund të rrisë ndërlidhjen dhe bashkëpunimin midis ekipeve dhe individëve (duke përfshirë qarkullimin e lirë të kapitalit dhe fuqisë punëtore) nëpër këto vende”, tha kompania për BIRN në një përgjigje me shkrim, duke cituar si shembull Labbox me bazë në Prishtinë, e cila ofron lojëra shkencore, teknologjike, inxhinierike dhe matematikore për fëmijë.

“Ne shohim për shembull kompaninë Labbox, e cila operon në të gjithë rajonin, si një model për t’u ndjekur”, tha ajo.

“Zhvillimet e fundit në Kroaci, siç janë kompanitë Infobip dhe (prodhuesi kroat i makinave) Rimac, patën një efekt të gjerë në Serbi me fondet e VC (Venture Capital) siç janë Accel Partners (me qendër në SHBA), Earlybird (me bazë në Berlin) dhe Point Nine (me bazë në Berlin) që investuan drejtpërdrejt në fazat e hershme”, tha ajo.

“Nisma ‘Ballkani i Hapur’ mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit dhe vendosjen gjithashtu të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në radarin e këtyre fondeve”, tha South Central Ventures.

Ndërsa nisma është ende në fazat e saj të hershme, nxitja e inovacionit në rajon mund të bëhet gjithashtu një nga prioritetet e saj, tha Kosta Petrov, drejtor menaxhues në Fondin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut për Inovacionin dhe Zhvillimin Teknologjik, FITD.

“Problemet me të cilat përballen bizneset e reja në rajon janë pothuajse të njëjta, dhe për këtë arsye është më mirë të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhjet e duhura”, tha Petrov për BIRN. “Ideja është të bëjmë një zotim dhe të jemi në gjendje t’i përdorim instrumentet tona në një kontekst rajonal, pasi për shumicën e bizneseve të reja, tregjet e para janë ato vendase dhe ato rajonale.”

Disa janë skeptikë për ndikimin e vërtetë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Foto: Facebook/Zoran Zaev.

Jo të gjithë janë të bindur se nisma Ballkani i Hapur është një zgjidhje magjike për problemet me të cilat përballet rajoni.

Sipërmarrësi shqiptar Gerion Treska nga kompania Almotech, tha se korrupsioni dhe niveli i ulët i konkurrencës në rajon po i mban larg kompanitë e mëdha ndërkombëtare.

“Prandaj, nuk besoj se Ballkani i Hapur do të ketë ndonjë ndikim të madh në ekosistemin e startup-it dhe biznesit në këto vende”, tha ai për BIRN.

“Nga pikëpamja kulturore, në lidhje me të bërit biznes, fokusi rrallë është te nevojat e klientëve. Ne duam të ndërtojmë gjëra në Ballkan “për ta”, sepse njerëzit tanë nuk mund t’i përdorin ato që ne bëjmë dhe ka shumë burokraci. Kjo duhet të ndryshojë në mënyrë që të përparojmë dhe të zhvillohemi si treg.”

Treska tha se ai kishte më shumë besim te sipërmarrësit e rajonit.

“Unë besoj në të ardhmen sipërmarrëse të rajonit, jo për shkak të politikës, por sepse një ditë disa sipërmarrës me mendje të ndritur do të fillojnë ta ngrenë Ballkanin si një ekosistem i përbërë nga copëza të vogla të cilat se bashku punojnë për një shoqëri më të pasur dhe më të shëndetshme”, tha ai.

Eksperti i ekosistemit të startup-it në Shqipëri Ergest Nako ishte gjithashtu i kujdesshëm në lidhje me perspektivat e nismës Ballkani i Hapur.

Nako tha se ai priste që kjo nismë të inkurajojë një tregti më të shpejtë, më të qetë të mallrave dhe shërbimeve dhe të çojë në çmime më të mira për konsumatorët.

Porai tha: “Nga qeveritë dhe donatorët përkatës duhet të vihen në zbatim nisma më të mira në mënyrë që startup-et të jenë në gjendje të eksplorojnë më mirë këtë treg të ri të unifikuar.”

Këto nisma “duhet të koordinohen, me qëllimin kryesor për të ndihmuar rajonin, dhe jo vende individuale,” tha Nako për BIRN. “Nëse vazhdojmë me nisma lokale, atëherë do të fillojmë të kemi vende të cilat do të kenë përparësi ndaj të tjerëve.”

Po përsa i takon anëtarësimit në BE, me disa vende – të paktën në letër – që janë më pranë sesa disa të tjera?

“Ne gjithashtu duhet të marrim parasysh se çfarë do të ndodhë nëse Serbia hyn në BE para vendeve të tjera? A do të jetë akoma në fuqi kjo marrëveshje?” – pyeti Nako. “Jemi të vetëdijshëm se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në të njëjtën rrugë përsa i takon anëtarësimit të tyre në BE.”