Një ndër biznesmenët kryesorë në Shqipëri tha se plani i mbështetur nga BE për të formuar një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor është i mirë në parim-për sa kohë që bizneset të përfshihen në hartimin e tij.
Komuniteti i biznesit në Shqipëri është duke pritur nismën e mbështetur nga Bashkimi Europian për të formuar një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksohet se inisiativa duhet të jetë e çliruar nga barrierat administrative dhe shtrembërimet, tha Alban Zusi.
Zusi, i cili drejton një biznes të tregtisë së mishit dhe është drejtori i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë i tha BIRN se reciprociteti duhet të jetë në thelbin e kësaj marrëveshjeje.
“Nëse ndonjë vend pretendon se një produkt nuk i përmbush standardet administrative, të tilla si kushtet sanitare dhe kthehet mbrapsht, e njëjta gjë duhet bërë edhe me produktet e këtij vendi,” tha ai.
Në anën tjetër thotë ai, produktet e subvencionuara nga një shtet duhet të përballen me taksa shtesë kur kalojnë kufirin, në mënyrë që të mos dëmtohet prodhimi në anën tjetër.
“Disa vende kanë mundësinë që të subvencionojnë[produkte], ndërkohë që të tjerët jo,” tha Zusi.
Komisioni Europian synon të krijojë një treg të përbashkët në rajonin me rreth 20 milionë banorë, në të cilin të mirat, shërbimet dhe punëtorët të mund të qarkullojnë lirisht. Kjo inisiativë shihet me dyshim në Shqipëri, ku disa i frikësohen faktit se Serbia do të jetë përfituesi kryesor.
Projekti u prezantua në Samitin e Triestes-pjesë e procesit të Berlinit për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, i organizuar në korrik.
Në 26 gusht, në një takim informal në Durrës, gjashtë kryeministra të Ballkanit mbi një plan veprimi për ta bërë nismën realitet.
Deri në shtator, çdo vend i Ballkanit Perëndimor do të emërojë një kordinator kombëtar, për të siguruar që institucionet dhe bizneset e secilit vend të përfshihet plotësisht në këtë nismë.
Gjithsesi, disa analistë politikë dhe ekonomikë dhe partitë opozitare akuzuan mbështetësit e këtij inisiative se po përpiqen të krijojnë “një Jugosllavi të re”-në të cilin eksportet e Serbisë do të dominojnë tregun.
Kryetari i Partisë opozitare Republikane, Fatmir Mediu tha më 26 gusht se procesi nuk mund të bëhet i ndarë nga procesi politik i normalizimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve na rajon.
“Është e rëndësishme që kjo ide të mos reflektojë vetëm qëndrimin e BE por gjithashtu të miqve tanë amerikanë dhe të ekspertizës lokale dhe ndërkombëtare,” shkroi ai.
Megjithatë, Zusi e sheh inisiativën si një të mirë, që mund të çojë në integrimin e këtij tregu të përbashkët me atë të Bashkimit Europian në fund.
“Bizneset e Ballkanit kanë ende shumë për të mësuar mbi tregjet e përbashkëta, procedurat, programet dhe për të përfituar përvojë përpara se të hyjnë në tregun e madh europian,” tha ai.
Zusi shtoi se inisiativa duhet të diskutohet pa asnjë vonesë me bizneset, sa kohë që ekspertiza e tyre do të jetë vendimtare.