Duke shkatërruar shpresat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim, BE-ja ka shkatërruar pjesën më të madhe të kredibilitetit dhe mbështetjes të saj në Ballkanin Perëndimor.
Pasi e shtynë disa herë çështjen e hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liderët europianë pritej që t’i jepnin dritë jeshile të paktën Maqedonisë së Veriut, dhe ndoshta edhe Shqipërisë, shpresës për anëtarësim në BE në takimin e Këshillit të Europës në tetor.
Përkundrazi, Këshilli Europian më 17-18 tetor jo vetëm që nuk arriti të aprovojë hapjen e negociatave të pranimit, por i dërgoi optimistëve të Ballkanit një sinjal se ata nuk duhet të mendojnë se kanë ndonjë lloj perspektive pranimi.
Në një lëvizje të vetme, BE-ja rrezikoi të shkatërrojë të gjithë besueshmërinë dhe pushtetin e saj në Ballkanin Perëndimor. Për ta bërë situatën më të çuditshme, arkitekti kryesor i këtij akti vetë-dëmtimi europian ishte njeriu që pozicionohej si shtetari i ri kryesor i BE-së, presidenti francez Emmanuel Macron.
Kur është fjala për Shqipërinë, shumë vende anëtare të BE-së përveç Francës kishin rezerva nëse vendit duhet t’i jepej një datë për fillimin e negociatave të pranimit, përfshirë Danimarkën dhe Holandën.
Parlamenti gjerman kishte parashtruar një listë të gjatë kushtesh që Shqipëria duhej të përmbushte përpara se të fillonte negociatat. Por me Maqedoninë e Veriut, Franca ishte e vetme në refuzimin e hapjes së negociatave. Duke vepruar kështu, Franca e prishi premtimin e BE-së që, në këmbim të zgjidhjes së mosmarrëveshjes së saj të gjatë me Greqinë, ndryshimit të emrit të saj – të cilin Athina e kundërshtoi – dhe fillimin e reformave të sundimit të ligjit, ajo do të shpërblehej duke hapur negociatat e pranimit.
As Franca nuk tregoi se çfarë donte nga Maqedonia e Veriut në mënyrë që të fillonin negociatat. Në vend të kësaj, presidenti Macron dhe zyrtarë të tjerë francezë thjesht folën për nevojën që BE-ja të reformohet fillimisht vetë dhe më pas të rimendojë të gjithë procesin e pranimit.
Një retorikë e tillë nuk është aspak e sinqertë. Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është gati të anëtarësohet së shpejti në BE, kështu që BE-ja ka mjaftueshëm kohë për të zbatuar reformat e brendshme që Macron do të dëshironte të shihte (dhe për të cilat duhet akoma të bindë vendet e tjera anëtare). Po ashtu, ka mjaftueshëm kohë për të rimenduar thelbin e procesit të pranimit ndërsa negociatat e pranimit fillojnë.
Pra, cila është axhenda e vërtetë e Macron? Marrja e kundërshtarëve të zgjerimit në anën e francezëve është pjesë e kësaj historie. E megjithatë, habiti të gjithë Këshillin Europian me veton e tij për çështjen e zgjerimit, ishte e vështirë të të shpëtonte konkluzioni se masa e tij kishte të bënte më shumë me përpjekjen për të imponuar Francën si lideren e një Europe pas-Brexit, dhe së shpejti pas-Merkel, më shumë sesa çdo gjë tjetër.
Lëvizja e Macron mund të dështojë. Bllokimi i vullnetit pothuajse unanim të BE-së – siç bëri ai në rastin e Maqedonisë së Veriut – mund të jetë një shenjë e forcës së francezëve dhe mund të tregojë se Macron s’do të përkulet, edhe kur pjesa tjetër e BE-së rreshtohet kundër tij.
Megjithatë, ushtrimi i një aftësie institucionale për të bllokuar BE-në nuk është njësoj si të jesh në gjendje të udhëheqësh me bindje Europën. Zhgënjimi i liderëve të tjerë të BE-së me taktika të tilla është i qartë. Kryeministri italian Giuseppe Conte e quajti vendimin për të mos hapur negociatat e pranimit “një gabim historik”. Disa ekspertë të politikave të BE-së i referuan lëvizjes së Macron si “vandalizëm politikash”. Të tjerë e krahasuan atë me një “Trump europian”.
Përveç se do të kujtohet si një “gabim historik”, vendimi për të mos hapur negociatat e pranimit, dhe pikëpyetja nëse mbetet më ndonjë proces zgjerimi i BE-së për të diskutuar, rrezikon të mbahet mend si një akt historik vetë-dëmtimi europian.
Premtimi i pranimit në BE ka qenë si një magnet gjeopolitik që ka ndihmuar për të mbajtur vendet e Ballkanit në një rrugë perëndimore, demokratike, tregu të lirë, dhe një pjesë e këtij kursi ishte respektimi i të drejtave të njeriut, vlerat liberale dhe sundimi i ligjit.
Ndërsa perspektiva e pranimit në BE duket se venitet, vendet e rajonit kanë filluar të tërhiqen nga shumë prej këtyre zonave, duke treguar tendenca gjithnjë e më të pacipa jodemokratike dhe iliberale dhe duke flirtuar me lojtarë të tjerë jo-perëndimorë, të etur për të fituar terren në Europë. Ishte premtimi i pranimit, sado i largët, që ndihmoi për t’i mbajtur ata në një lloj trajektore pozitive, ose të paktën që kontrollonte abuzimet më të këqija të elitave politike vendase.
Shkatërrimi i procesit të zgjerimit, me të cilin Macron duket se po luan, do të shkatërrojë “magnetin” europian që ka ndihmuar në çuarje përpara të rajonit dhe që ka ndihmuar në parandalimin e daljes së tij nga shinat. Kjo gjithashtu do ta privojë BE-në nga shumica e mekanizmave të tij. Ishte kryesisht presioni i jashtëm dhe premtimi i anëtarësimit në BE që detyroi Kosovën dhe Serbinë të mendonin për normalizimin e marrëdhënieve dhe të shkrinin konfliktin e tyre të ngrirë.
Nëse ky premtim hiqet, çfarë stimuli duhet të negociojë secila palë? Më gjerësisht, duke pasur parasysh përvojën e Maqedonisë së Veriut – kur vendi bëri lëshime të dhimbshme për çështjen e “emrit” për shkak të premtimit për të paktën hapjen e negociatave të pranimit, të cilat BE-ja tashëm i ka shkelur – pse dikush tjetër në rajon të mos besojë se BE-ja do ta largojë përsëri këtë premtim në minutën e fundit në situata të ngjashme?
Ironia është se ky akt vetë-dëmtimi nuk ishte i nevojshëm. Proceset e pranimit të hapura me vendet e rajonit i kanë siguruar BE-së një mbështetje të konsiderueshme, pa asnjë detyrim të vërtetë për të lejuar pranimin e kandidatëve aspirantë. Për skeptikët e zgjerimit të BE-së, siç është Franca, kjo ishte njësoj si ta kishe tortën dhe ta haje vetë. Shkatërrimi i “tortës” e lë BE-në pa asnjë nga këto të dyja.
Ky opinion u publikua fillimisht si pjesë e Western Balkans Stability Monitor. Klikoni këtu për të lexuar raportin e plotë.