Balkan Insight investigon botën e emigrantëve ilegalë të Shqipërisë që kërkojnë një jetë më të mirë në Greqi dhe që së fundmi po përballen me kontrolle më të ashpra në kufi
Gjergj Erebara në Gjirokastër, Korçë, Konispol dhe Igumenicë
“Gjatë dy javëve të fundit jam përpjekur tri herë për të kaluar kufirin por çdo herë policia greke më ka kapur,” thotë Admir Çela, që ka mbetur pa asnjë lek në xhep në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, ndërsa përpiqet të gjejë një mënyrë për t’u kthyer në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit.
I arrestuar tri ditë më parë pasi kaloi ilegalisht kufirin pranë Gjirokastrës, policia greke e riatdhesoi me shpejtësi në Shqipëri, ku kaloi një ditë në komisariat para se të lirohej pranë pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.
Çela, 17 vjeç, pati shpresuar të kalojë më këmbë në të gjithë rrugën për në Janinë, rreth 55 kilometra larg kufirit me Shqipërinë në Greqi. “Është bërë shumë e vështirë,” thotë Admiri, i cili kaloi për herë të parë kufirin malor më këmbë kur qe vetëm 13 vjeç, në klasë të gjashtë.
Përgjatë dy viteve të fundit, autoritetet shqiptare kanë ashpërsuar kontrollin e kufirit në mënyrë që të zvogëlojnë emigrimin e paligjshëm. Kontrollet më të forta në kufi janë një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të arritur liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.
Gjithsesi, pavarësisht masave të përforcuara në kufirin mes dy vendeve, fluksi i emigrantëve ekonomikë nga Shqipëria drejt Greqisë nuk ka ndalur.
Ata që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm dhe të lodhshëm në këmbë përmes maleve thonë se ndërsa kontrollet e shtuara ia kanë vështirësuar jetën, ato nuk kanë bërë gjë për të ulur dëshirën e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë përtej kufirit.
Rruga drejt Greqisë
Afërsisht 650 mijë emigrantë shqiptarë kanë shkuar në Greqi që nga rënia e regjimit stalinist të Enver Hoxhës në vitin 1991.
Gjatë regjimit komunist, kur çdokush që largohej nga vendi konsiderohej tradhtar, një gardh me korrent qe instaluar përgjatë kufirit për t’i ndalur. Rojet e kufirit kishin urdhër për të hapur zjarr ndaj atyre që arratiseshin dhe trupat e tyre shpesh zvarriteshin nëpër rrugët e qyteteve për të shkaktuar terror.
Gati dy dekada më vonë, ndërsa rrjetat elektrike janë zhdukur, mijëra vetë kalojnë çdo vit kufirin përmes fshatit kufitar jugor të Konispolit.
Nga të gjitha shtigjet përgjatë 297 kilometrave të kufirit tokësor mes dy vendeve, shumë emigrantë ilegalë konsiderojnë Konispolin si rrugën më të lehtë për të kaluar në Greqi.
Përveç të qenit drejtpërsëdrejti në kufi, fshati është vetëm 29 kilometra nga qyteti më i afërt i Greqisë, Igumenica, nga ku emigrantët ilegalë mund të marrin një autobus për të shkuar më thellë.
Fazlliu, një fshatar 56 vjeçar nga Llakatundi, pranë qytetit të Vlorës, thotë se e ka kaluar kufirin më këmbë shumë herë dhe se policia e Greqisë e riatdhesoi atë për herë të fundit më 7 prill.
Pasi policia shqiptare regjistroi emrin e tij në pikën kufitare të Qafë Botës, ai u lirua dhe u rikthye në Konispol pikërisht në kohën e duhur për të parë ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Arsenalit, ndërsa fjeti në fjetoren e Bareshës.
Në orën 4 të mëngjesit të ditës tjetër, ai u zgjua bashkë me dy shokë të tjerë dhe u bë gati për ta tentuar sërish kalimin e kufirit më këmbë. “Këtu merr më pak se gjashtë orë më këmbë për të arritur pranë Igumenicës,” tha ai ndërsa pinte kafenë e fundit para se të nisej.
Fjetorja e Bareshës merr emrin nga pronarja e saj, megjithëse nuk ka shenja për ta identifikuar. Në hyrje është një foto e Mekës në Arabinë Saudite. Fjetorja përbëhet nga dy dhoma të thjeshta ku janë vendosur pesë krevare.
Megjithëse pronarja Baresha merr vetëm 5000 lekë (4 euro) për një krevat në natë, thashethemet në fshat janë që ajo është bërë e pasur për shkak të numrit të madh të emigrantëve që kalojnë përmes Konispolit.
Të shtatë klientët që po qëndronin në fjetore kaluan ilegalisht kufirin të nesërmen në mëngjes për në Greqi.
Koli, një 48 vjeçar nga fshati i Vllahinës, pranë Vlorës, sëbashku me bashkëshorten e tij qe një prej klientëve të Bareshës më 7 prill. Ai gjithashtu planifikonte të kalonte kufirin ilegalisht mëngjesin tjetër. Koli ka një leje pune greke dhe dokumente banimi të rregullta por bashkëshortja e tij nuk i ka.
“Gruaja ime nuk ka dokumente për të udhëtuar në Greqi kështu që ajo duhet të kalojë nga mali dhe unë do ta shoqëroj,” shpjegon ai.
Kufij brenda kufijve
Janë tri rrugë që të çojnë drejt fshatit Konispol. Ajo kryesorja kalon kanalin e Vivarit, i cili duhet të kapërcehet me lundër.
Si policia shqiptare ashtu edhe ajo greke në të dyja anët e kufirit përdorin shpesh postblloqet për të ndaluar emigrantët e paligjshëm. Policia shqiptare ndalon makinat që drejtohen nga zona pranë kufirit dhe kërkon të shohë dokumentet e udhëtarëve.
Disa emigrantë vdesin, ndërsa përpiqen të shmangin këto kontrolle. Në tetor 2008, pesë emigrantë u mbytën në liqenin e Butrintit aty pranë kur dy varka të vogla që po përdoreshin për të shmangur postbllokun e policisë të vendosur te kanali i Vivarit u mbytën.
Për shkak të kontrolleve të policisë përgjatë të gjithë rrugëve që të çojnë në Konispol, shumë pak shoferë taksish marrin rrezikun që të dërgojnë emigrantë atje. Për rrjedhojë shpesh emigrantët detyrohen të ecin deri në dhjetë kilometra më këmbë për të arritur në fshat. Kontrollet pa paralajmërim nëpër hotelet e zonës janë të zakonshme jo vetëm në Konispol por edhe në qytetet e tjera pranë kufirit si në Gjirokastër dhe Korçë.
“Ne nuk i çojmë emirantët në Konispol për shkak se nëse policia i gjen pa dokumente ne do të na mbajnë gjithë natën në qeli,” thotë Fatmir Izeti, një shofer taksie nga qyteti bregdetar i Sarandës.
Sipas Izetit, shërbimet e tyre shpesh zëvendësohen nga zyrtarë policie të korruptuar të cilët pasi përfundojnë turnin, transportojnë emigrantë drejt kufirit duke i marrë rreth 100 euro, tri herë më shumë se sa tarifa e zakonshme e taksisë, megjithëse shumica e emigrantëve nuk janë në gjendje të paguajnë kaq shumë.
Laura Totraku, zëdhënëse e Drejorisë së Përgjithshme të Policisë, refuzoi të komentojë mbi aludimet se disa oficerë policie janë përfshirë në transportimin e emigrantëve drejt kufirit.
Por Izeti, shoferi i taksisë nga Saranda që thotë se policët e korruptuar po rrënonin biznesin e tij, tha se ai ndjente keqardhje për problemet e emigrantëve.
“Ata jo vetëm që duhet të ecin për shumë ditë në malet e Greqisë por detyrohen tani të ecin për shumë orë edhe në malet e vendit të vet,” tha ai.
Ata vijojnë të vijnë
Sipas Frontex, agjencisë Europiane të kontrollit të kufirit, kufiri i Greqisë me Shqipërinë është një nga më të prekurit në Europë në kuptimin e emigrimit ilegal.
Në vitin 2009 policia e Greqisë ekstradoi mbi 50 mijë shqiptarë që patën kaluar kufirin ilegalisht sipas Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Rojet shqiptare të kufirit ndaluan edhe 20 mijë të tjerë nga përpjekja për të kaluar.
Në përpjekje për të plotësuar kërkesat e BE-së për liberalizimin e vizave, Tirana vijon të investojë në stërvitje dhe pajisje të policisë kufitare me synimin për të ulur fluksin e emigrantëve.
“Sot ne kemi dylbi moderne me detektorë nxehtësie që mund të dallojnë një njeri në mes të natës,” thotë Eduart Caka, kreu i policisë kufitare dhe emigrimit në Gjirokastër duke dhënë shembuj të mjeteve në dispozicion të tij.
Megjithëse emigrimi ilegal është krim sipas nenit 97 të kodit penal të Shqipërisë i dënueshëm me deri dy vjet burg, policia shqiptare pranon se i referon prokurorisë vetëm rastet kur përfshihet trafiku i organizuar i njerëzve.
“Shumica e emigrantëve intervistohen në mënyrë që të identifikohen rrjetet e trafikimit dhe më pas lirohen,” thotë Ferdinant Gjeta, kreu i policë kufitare në Korçë, juglindje e Shqipërisë. “Ne ngremë akuzë te prokurorët vetëm në rastet e trafikut të organizuar.”
Sipas Gjetës, emigrantët shqiptarë që kalojnë kufirin tokësor me Greqinë përmes maleve rrallë përdorin rrjetet e trafikut.
Dhe pavarësisht pajisjeve të reja dhe përpjekjeve të shtuara për të ndaluar emigrimin, Gjeta pranon se kontrolli efektiv i kufirit është i pamundur.
“Vetëm në rajonin e Korçës nekemi 60 kilometra vijë kufitare e kalueshme përgjatë të gjithë vitit dhe ndalimi i emigrantëve ekonomikë është pothuajse e pamundur,” thotë Gjeta.
Kohët kanë ndryshuar. “Regjimi komunist e bënte,” thotë ai, “por jo përmes kontrollit efektiv të kufirit. E bënte përmes dhunës dhe përndjekjes”.
Gjergj Erebara është gazetar i të përditshmes Shqip. Ky investigim u mbështet nga shoqata Daneze e Gazetarisë Investigative FUJ, me programin SCOOP.