Si një shenjë përshkallëzimi, mbështetësit e opozitës hodhën një numër bombash molotov kundër ndërtesës së kryeministrisë, ndërsa të paktën dy prej tyre ranë në gardhin policor. Policia raporton për gjashtë oficerë të lënduar.
Mbështetësit e opozitës përshkallëzuan përplasjen e tyre me qeverinë duke hedhur një sasi bombash molotov kundër ndërtesës së qeverisë, ndërtesës së kryesisë së kuvendit si dhe në rrugën drejt ndërtesës së seancave plenare pranë rrugës George Bush në Tiranë mbrëmjen e së shtunës më 11 maj 2019.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nisi rreth orës 7 të mbrëmjes dhe përshkallëzoi menjëherë në dhunë, me fishekzjarre dhe bomba molotov që hidheshin ndaj kryeministrisë ndërkohë që kryetari demokrat Lulzim Basha mbante fjalimin e tij.
Por ndërsa shumica e bombave molotov përfunduan në murin e kryeministrisë, së paku dy prej tyre ranë mbi gardhin policor ndërsa policia bënte thirrje përmes autoparlantëve për qetësi. Pak minuta më vonë, policia hodhi gaz lostjellës duke krijuar një zonë të ndërmjetme mes policëve me maska antigaz dhe protestuesve.
Pavarësisht gazit lotsjellës, kryetari demokrat Lulzim Basha vijonte të fliste në autoparlantë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Protestuesit u zhvendosën më vonë në rrugën Ismail Qemali në anën veriore të ndërtesës së kryeministrisë ku pati sërish bomba molotov dhe gaz lotsjellës. Rreth orës 9 të mbrëmjes, protestuesit u zhvendosën te ndërtesa e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Përplasja vijoi nëpër rrugët e Tiranës deri në orët e vona të natës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dënoi dhunën menjëherë.
“Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit,” shkroi ambasada në një postim në Facebook.
“Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë”.