Lajm5 Nov 2015

Borxhi publik fluturon në 74 për qind të PBB-së

Si pasojë e rritjes shumë të ngadaltë ekonomike dhe borxheve të reja të marra nga Banka Botërore, borxhi publik i Shqipërisë u rrit 3.5 për qind të PBB-së nga fundi i vitit 2014 dhe me 8 për qind të PBB-së nga viti 2013.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Borxhi publik i Shqipërisë shënoi një rekord të ri shumëvjeçar në tremujorin e tretë të këtij viti si pasojë e marrjes së borxheve të reja nga Banka Botërore, shtrenjtimit të dollarit kundrejt lekut dhe e rritjes së ngadaltë ekonomike, bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.  Raporti tremujor i borxhit, i publikuar së fundmi, vëren se borxhi shqiptar arriti në 1 trilionë e 62 miliardë lekë (7.6 miliardë euro ose 8.5 miliardë dollarë), kuota më e lartë në histori ndërsa treguesi i borxhit publik në raport me prodhimin e brendshëm bruto arriti në kuotën 73.7 për qind, kuota më e lartë që nga viti 2000.

Borxhi publik i Shqipërisë u rrit përgjatë këtij viti pjesërisht për shkak të deficitit buxhetor prej 25 miliardë lekësh dhe pjesërisht për shkak të shtrenjtimit të dollarit kundrejt lekut shqiptar. Dollari është shtrenjtuar me 25 për qind që nga viti i kaluar dhe Shqipëria ka një pjesë të borxhit të vet të jashtëm në dollarë ose në monedhën llogari të FMN-së, SDR, e cila është shtrenjtuar sëbashku me dollarin.

Por një pjesë e konsiderueshme e rritjes së borxhit i dedikohet kontratës për 250 milionë euro kredi nga Banka Botërore, të cilën qeveria e mori më herët këtë vit për të shlyer bondet sovrane në euro që u maturuan pak ditë më parë.

Si rregull, zyra e borxhit në Ministrinë e Financave përfshin në statistikat e veta vetëm borxhet që janë të emetuara si të tilla dhe jo detyrimet e prapambetura të qeverisë.

Plani i rënë dakord mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qenë ulja e borxhit publik si përqindje e PBB-së duke filluar nga viti i ardhshëm përmes rritjes më të shpejtë ekonomike dhe deficitit buxhetor më të ulët. Por rritja më e shpejtë ekonomike nuk u realizua dhe rrjedhimisht, ulja e borxhit publik do të kërkojë shkurtime shpenzimesh të cilat qeveria shqiptare nuk duket se ka në plan t’i bëjë.

Rreziku i borxhit të lartë në vijimësi mund të sjellë edhe ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë për shkak se qeveria do të detyrohet të transferojë jashtë vendit para për pagesën e interesave të borxhit, gjë që pakëson aftësinë e saj për të shpenzuar në tregun e brendshëm.

Qeveria shqiptare bëri të ditur sot (5 nëntor) se dëshiron të vijojë planet për të emetuar bonde sovrane në euro me vlerë 300 deri në 500 milionë euro në ditët e ardhëshme pavarësisht se interesi i pritshëm i këtyre bondeve mund të jetë rreth 6 për qind, një interes shumë i lartë ky që pritet të transferojë jashtë vendit në formën e interesave 20-30 milionë euro çdo vit.