Frans Timmermans tha të mërkurën se Bashkimi Europian do të veprojë shpejt nëse Bukureshti vazhdon para me planet e tij për të miratuar dekrete që dekriminalizojnë disa vepra të lidhura me korrupsionin.
Komisioni Europian “do të veprojë brenda disa ditësh” nëse qeveria rumune miraton dekrete që mund t’u japin imunitet zyrtarëve dhe politikanëve të akuzuar për korrupsion, tha të mërkurën në Bruksel V/kryetari i Parë i Komisionit Europian Frans Timmermans.
Organi i tij ekzekutiv, Kolegji i Komisionerëve, diskutoi Rumaninë në mbledhjen e tij javore të mërkurën, ku Partia Social Demokrate në pushtet ka shtyrë një sërë ndryshimesh legjislative që do të frenonin pavarësinë e prokurorëve dhe do të dekriminalizonin disa vepra korrupsioni.
“Unë paralajmëroj qeverinë rumune të mos ndërmarrë ndonjë veprim që ndikon në sistemin gjyqësor dhe krijon mosndëshkim për zyrtarët e nivelit të lartë që janë dënuar për korrupsion,” tha Timmermans.
Qeveria e udhëhequr nga Social Demokratët të mërkurën po shqyrtonte një sërë dekretesh që mund të ndryshonin kodet penale dhe të dekriminalizonin disa vepra të lidhura me korrupsionin.
Zyrtari më i lartë i BE-së tha se ai kishte zhvilluar disa takime me kryeministren Viorica Dancila javën e kaluar dhe kishte kërkuar rezultate urgjente. Fjalët nuk ishin më të mjaftueshme.
“I tregova asaj shumë qartë se fjalët nuk mjaftojnë dhe se masat urgjente duhet të ndërmerren sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha ai.
Timmermans tha gjithashtu se Komisioni deri në qershor do të dalë me një plan për të filluar një debat publik mbi përforcimin e mjeteve të ndërhyrjes së BE-së në shtetet anëtare që shkelin sundimin e ligjit.
Komisioni Europian është përballur me kritika pasi mjetet e tij rezultuan të paafta për të disiplinuar qeveritë që konsiderohen se kanë dëmtuar sundimin e ligjit, si ato në Hungari, Poloni dhe Rumani.
Timmermans tha gjithashtu se përvoja e BE-së me Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat nuk kanë zgjidhur problemet e tyre të drejtësisë edhe 12 vjet pas anëtarësimit në bllok, duhet të shërbejnë si një mësim për planet e ardhshme të zgjerimit.
“Ky është një mësim për BE-në, se çështjet e sundimit të ligjit duhet të zgjidhen nga shtetet para se ato të hyjnë në BE. Supozimi i bërë në atë kohë, që këto çështje mund të zgjidheshin pasi të bëhesh një shtet anëtar i BE-së, ishte tepër optimist,” vuri në dukje Timmermans.