Lajm25 Mar 2020

BSH ndihmon bankat e nivelit të dytë me kredi më të lirë

Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit nga 1 në 0.5% por njëkohësisht uli normën e kredisë njëditore që u jep bankave të nivelit të dytë nga 1.9 në 0.9%.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Gent Sejko. Foto Kortezi: Banka e Shqiperise

Banka e Shqipërisë miratoi ulje më të lartë për normën e interesit të kredisë njëditore që u ajo u ofron bankave të nivelit të dytë ndërsa mbajti të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore që u paguan bankave në rast se këto mbajnë likujditete në BSH, në një masë të cilën Guvernatori i BSH Gent Sejko njoftoi se synon të ndihmojë ekonominë në kushtet e krizës së pritshme të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“Ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare,” deklaroi Sejko në deklaratën e tij të dhënë në rrjetin social Facebook.

Sipas Sejkos, masat e marra nga BSH “plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik.”

Ulja e normës së interesit të kreditimit redukton fitimet e Bankës së Shqipërisë, e cila zakonisht ia transferon këto fitime buxhetit të shtetit. Teorikisht taksapaguesit do të përfitojnë nga një rënie e mëtejshme e normës së interesit të kredive të reja të dhëna nga bankat në këto kohë si dhe nga rënia e interesit të borxhit publik.