Blog18 Nov 2019

Bukë dhe cirk? Jo, vetëm cirk

Një propozim i qeverisë së kryeministrit Edi Rama thotë se bizneset e mëdha, në rast se vendosin të sponsorizojnë një skuadër sportive, u lejohet të mos paguajnë tatim për trefishin e shumës se sponsorizuar, duke e kthyer sponsorizimin nga një bamirësi në një biznes me bamirësinë, me komplikime të mëtejshme në politikëbërjen e vendit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Edi Rama. Foto: LSA

Qeveria shqiptare ka propozuar një përjashtim të ri fiskal, dukshëm selektiv dhe të kalibruar në shërbim të biznesit të madh dhe lidhjeve që ky biznes ka me financimin e skuadrave sportive si një mjet i zakonshëm i të bërit politikë në vend.

Propozimi për ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, parashikon që kompanitë e mëdha me xhiro mbi 100 milionë lekë, do të kenë të drejtë që të sponsorizojnë skuadra sportive duke njohur si shpenzime të zbritshme jo vetëm shumën e sponsorizuar, por trefishin e shumës së sponsorizuar. Me pak fjalë, nëse biznesi i madh sponsorizon një skuadër futbolli në masën 10 lekë, ajo nuk paguan tatim fitimi prej 15% për trefishin e kësaj shume ose 30 lekë.

Projektligji është dukshëm selektiv sa i përket qoftë sponsorizuesve ashtu edhe përfituesve të sponsorizimeve. Që të përfitosh nga ligji duhet të jesh biznes i madh me xhiro mbi 100 milionë lekë (afërsisht 830 mijë euro në vit) ndërsa destinacioni i donacionit duhet të jetë vetëm “ekipet sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës”.

Do të thotë, në rast se një biznes dëshiron të sponsorizojë zhvillimin e kulturës apo dëshiron të bëjë bamirësi shoqërore, apo dëshiron të sponsorizojë organizata të ndryshme, atij i njihen këto sponsorizime si shpenzime të zbritshme me kushtin që të mos kalojnë 5% të fitimit vjetor bruto dhe vetëm në masën e sponsorizimit. Pos nëse je biznes i madh dhe dëshiron të sponsorizosh një skuadër futbolli, atëhere përfiton nga ky legjislacion i ri.

Nga pikëpamja praktike projektligji duket se shënon një sulm të ri mjegullues në vijën ndarëse mes enteve publike dhe atyre private në aktivitetet sportive si dhe funksionin e këtyre aktiviteteve sportive në politikëbërje. Ajo ka gjasa do të mjegullojë më tutje ndarjen mes biznesit privat dhe autoritetit publik. Kjo për shkak se shumica dërrmuese e skuadrave të futbollit, të cilat përbëjnë edhe sportin më popullor në vend, janë nën pronësinë e drejtpërdrejtë të bashkive të ndryshme. Kryetarët e bashkive janë njëkohësisht presidentë të shumicës së skuadrave të futbollit. Edhe në rastet kur skuadrat nuk janë nën pronësinë e bashkive, lidhjet e tyre me politikën janë të dukshme, me politikanët që bëjnë kryetifozët e skuadrave.