Programues do të mblidhen në Sofje në qershor për Hackathonin e parë Ballkanik, që synon të gjejë zgjidhje dixhitale dhe prototipa softuerësh për të rritur progresin në rajon.
Ata do të kalojnë 24 orë duke koduar dhe duke ndërtuar prototipe softuerësh në Sofia Tech Park ku u mbajt këtë muaj darka para samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Organizuar nga Komisioni Europian në Bullgari, Shoqata e Zhvillimit të Sofjes e bashkisë së kryeqytetit dhe Fondacioni Ëebit, eventi shpreson të frymëzojë programues të kërkojnë zgjidhje në një sërë fushash.
Këto përfshijnë përmirësimin e shërbimeve elektronike publike, sigurimin e një arsimi dixhital cilësor dhe të përballueshëm, përfshirjen e femrave në këtë sektor, si edhe sigurimin e qasjes dhe sigurisë në internet.
Organizatorët i bëjnë thirrje zhvilluesve, dizenjuesve, studentëve, profesionistëve të IT-së dhe kompanive të reja që të marrin pjesë. Nuk ka kufizime moshe.
“Vitin e kaluar, pjesëmarrësi ynë më i ri ishte 16 vjeç dhe më i vjetri ishte 67 vjeç,” tha për BIRN Svetlana Lomeva, drejtoreshë e Shoqatës së Zhvillimit të Sofjes.
Lomova tha se është e rëndësishme të përmirësohet komunikimi në Ballkan.
“Ne tregtojmë dhe punojmë me kontinente të tjera, por nuk dimë shumë për fqinjët tanë. Me këtë nismë ne kërkojmë të tregojmë rëndësinë e lidhjes për rajonin,” shpjegoi ajo.
Pavarësisht mos arritjes së ndonjë qëllimi konkret politik në procesin e zgjerimit të BE-së në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, Bullgaria mbështeti lidhjen dixhitale brenda rajonit në dokumentin përfundimtar të samitit.
Shtojca e tij përmbante premtimet për të nisur një Axhendë Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, përfshirë një udhërrëfyes për të lehtësuar uljen e kostos së telefonatave roaming dhe futjen e një pakete të asistencës teknike për identifikimin e investimeve të mundshme dixhitale përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor ose Instrumentin për Para-anëtarësimin.
Eventi hackathon është pjesë e Javës Europiane Dixhitale dhe të Inovacionit, e cila zhvillohet nga 25 deri në 29 qershori në Sofje dhe pritet të marrin pjesë politikëbërës të lartë të BE-së dhe liderë biznesi.
Regjistrimi për hackathon është i hapur deri më 1 qershor nëpërmjet faqes së internetit të eventit.