Lajm14 Sep 2018

Bullgaria ndalon gazetarët që hetuan mashtrimin me fondet e BE-së

Policia bullgare të enjten ndaloi dy gazetarë nga mediat e pavarura Rise Romania dhe Bivol ndërsa ata po investigonin mashtrimin me fondet e BE-së para se më pas t’i lironte ata.

Autor: Ana Maria Luca, Martin Dimitrov BIRN Bukuresht, Sofje
Printo

Bullgaria renditet e 111-ta, renditja më e ulët e të gjitha vendeve të BE-së, në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij. Foto: Cornel Putan/Inquam Photos

Policia bullgare në Pernik, një qytet i vogël në periferi të kryeqytetit të vendit Sofje, të enjten ndaloi dy gazetarë investigativë nga platformat e pavarura Rise Rumania dhe Bivol Bullgaria pasi ata hulumtuan një histori mbi mashtrimet me fondet europiane, njoftuan mediat.

Attila Biro, një redaktor i Rise Rumania dhe Dimitar Stojanov nga Bivol u ndaluan ndërsa përpiqeshin të filmonin subjektet e hetimit të tyre duke djegur dokumente në një fushë boshe jashtë qytetit.

Rise Rumania tha se policia prangosi dy gazetarët dhe i mbajti ata në fushë për rreth një orë para se t’i çonin ata në rajonin e policisë në Radomir, pranë Pernikut.

“Rajoni i policisë i Radomirit dhe ai i Pernikut refuzuan të bashkëpunonin kur i kontaktuam ata,” shkroi Bivol në faqen e tyre në Facebook.

“Nuk kemi pasur kontakt me kolegët tanë për tre orë. Po dëshmojmë një brutalitet policor të paprecedent ndaj gazetarëve!” thanë ata.

Gazetarët u liruan pasi lexuesit në Rumani dhe Bullgari i bënë thirrje rajoneve të policisë në Radomir dhe Pernik që t’i bënin presion autoriteteve për të dhënë informacione mbi gazetarë. Biro gjithashtu mori ndihmë nga konsullata rumune në Bullgari, tha Rise në një përditësim.

“Attila dhe Dimitar ndihmuan policinë bullgare që të transportonin dokumentet e shpëtuara në rajonin e policisë, por ato ishin të djegura ose të zhubravitura,” tha Rise.

Një njoftim për shtyp i ministrisë së jashtme rumune tha se policia bullgare kishte thënë se ata i ndaluan gazetarët për verifikim, sepse ata ishin në një zonë nën mbikëqyrjen e policisë dhe se i liruan ata pasi bënë verifikimet e nevojshme.

Ministria e brendshme e Bullgarisë tha për BIRN në telefon “të presim derisa situata të sqarohet për komente të mëtejshme”.

Dega bullgare e Shoqatës së Gazetarëve Europianë, një OJQ për lirinë e medias, shkroi në një deklaratë të enjten se shpreson që institucionet relevante të publikojnë më shumë informacione mbi motivet për arrestimet e gazetarëve.

“U kujtojmë autoriteteve që, sipas parimit, gazetarët i shërbejnë interesit publik dhe të gjitha kufizimet në punën e tyre duhet të jenë të motivuara seriozisht ose ato mund të përbëjnë kufizim të lirisë së fjalës,” paralajmëroi OJQ-ja.

Më herët këtë javë, Bivol botoi një investigim në gjuhën angleze në lidhje me abuzimin e fondeve të BE-së nga kompanitë konsulente.

Investigimi, i kryer së bashku me projektin Rise, ishte pjesë e projektit të quajtur Ekspozimi i Mashtrimeve në Projektet e Financuara nga BE-ja në Rumani dhe Bullgari, financuar nga fondi IJ4EU i Komisionit Europian dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias.

Bullgaria renditet e 111-ta, renditja më e ulët e të gjitha vendeve të BE-së, në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij.