Lajm11 Feb 2019

Bullgaria pranon se i dyshuari për helmimin e Skripalëve ishte në vend në vitin 2015

Prokuroria bullgare tha se një nga tre rusët e dyshuar të lidhur me helmimin e Skripalëve në Salisbury në vitin 2018 ishte në Bullgari në vitin 2015 kur u helmua një tregtar armësh.

Autor: Martin Dimitrov BIRN Sofje
Printo

Stoli ku u helmuan Skripalët në Salisbury. Foto: Wikipedia.

Prokurori i Përgjithshëm i Bullgarisë Sotir Tsatsarov konfirmoi të hënën se një nga tre agjentët sekret rusë të lidhur me helmimin në mars 2018 të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Salisbury të Anglisë ishte në Bullgari kur një tregtar armësh u helmua në rrethana të dyshimta në vitin 2015.

Tsatsarov tha se rusi, i njohur me pseudonimin Sergei Fedotov, ishte në vend tre herë nga shkurti deri në maj 2015.

Ai tha se një nga udhëtimet e tij përputhej me helmimin e 28 prillit të vitit 2015 të tregtarit të armëve Emilian Gebrev, djalit të tij Hristo dhe menaxherit të prodhimit të fabrikës së municioneve “Dunarit”, Valentin Tahchiev.

Deklarata e prokurorit konfirmon raportin e faqes investigative të internetit Bellingcat nga 7 shkurti.

Gebrev, pronar i fabrikës së armëve EMCO, po bënte ofertë për të blerë fabrikën “Dunar”, një nga impiantet më të mëdha të municioneve në Bullgari.

Gebrev, djali i tij dhe Tahchiev u çuan me shpejtësi në spitale të ndryshme në Sofje me të njëjtat simptoma pasi darkuan në hotel “Marinela” në Sofje.

Prokuroria bullgare dhe Drejtoria e Policisë së Sofjes hapën një hetim për vrasje në tentativë. Por ata e mbyllën çështjen në vitin 2016 pasi nuk u gjet asnjë i dyshuar.

Në tetor 2018, çështja u rihap pasi Emilian Gebrev kërkoi një ekzaminim të ri. Ai besonte se agjenti që ishte përdorur për helmimin e tij mund të kishte lidhje me agjentin që operativët rusë përdorën kundër Skripalit dhe vajzës së tij në Mbretërinë e Bashkuar në mars 2018, tha Tsatsarov.

Gebrev raportohet se pagoi privatisht Institutin Finlandez për Verifikimin e Konventës së Armëve Kimike, VERIFIN, që të analizonte agjentin me të cilin ai ishte helmuar.

Megjithatë, prokuroria ende nuk ka marrë rezultatet zyrtare nga laboratori.

Tsatsarov tha se hetimet e mëparshme nga autoritetet bullgare kishin zbuluar disa lëndë kimike, duke përfshirë edhe pesticidin toksik Chlorpyrifos, që u gjet në sallatën që konsumuan të tria viktimat, si edhe në ekspresin e kafesë të familjes së tyre.

“Këto pesticide u gjetën në sasi shumë të kufizuara dhe ne e hodhëm poshtë versionin e helmimit, pasi pasoja të tilla kaq të rënda nuk mund të shkaktohen nga sasi të tilla kaq të vogla toksinash,” tha Prokurori i Përgjithshëm. Ai shtoi se nuk u gjetën kimikate të ndaluara nën konventën e Armëve Kimike.

Një hetim nga Capital Weekly, i publikuar në janar, tha se raporti i Institutit Finlandez kishte zbuluar se helmi i përdorur ishte një lloj organofosfati ose insekticidi që nuk është i ndaluar sipas Konventës së Armëve Kimike, por mund të jetë një agjent nervor i quajtur Amiton/Tetram.

Ky agjent konsiderohet si një nga pjesët më pak toksike të familjes Novichok të agjentëve nervorë që u përdorën për të helmuar Skripalët.

Tsatsarov foli pasi u takua me ambasadoren britanike në Sofje, Emma Hopkins, kryeministrin bullgar Boyko Borissov dhe ministrin e brendshëm Mladen Marinov të hënën, ku ata njoftuan bashkëpunimin e tyre të përbashkët në rastin Gebrev.

Bullgaria nuk ndoqi shembullin e shumë vendeve europiane dhe ballkanike të cilët dëbuan diplomatët rusë pasi helmimi i Skripalëve u lidh me agjentë sekretë rusë.