Analize19 Dec 2020

Bumi i hoteleve në qendrën historike të Durrësit frenohet nga pandemia

Rënia drastike e numrit të turistëve si pasojë e kufizimit të udhëtimeve ndërkombëtare për shkak të pandemisë së COVID-19, ka frenuar hovin e investimeve në hoteleri në qytetin bregdetar të Durrësit.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Tiranë
Printo

Turistë të huaj duke vizituar amfiteatrin antik të Durrësit Foto nga Gëzim Kabashi

Gjashtë hotele të rinj janë hapur kohët e fundit në të dy anët e bulevardit “Epidamn” në qytetin e Durrësit.

Por dy prej tyre janë vënë shumë shpejt në shitje, megjithëse kanë kaluar vetëm pak muaj nga ceremonia e përurimit.

“Numri i frekuentuesve gjatë këtij viti është përgjysmuar kudo në Durrës, por nuk ka qenë vetëm pasojë e tërmetit të fundvitit të kaluar, apo e pandemisë së shkaktuar nga Covid 19,”  tha për BIRN, eksperti i turizmit Edmond Basho.

“Fatkeqësisht, oferta turistike e Durrësit po zbehet çdo vit,” shton Basho, duke nënvizuar se “kalendari i koncerteve e festivaleve, i ekspozitave apo i festave qytetare ka ardhur në rënie dhe turistët nuk joshen më vetëm nga bregdeti”.

Numri i hoteleve në qendrën historike të Durrësit u 3-fishua brenda një kohe shumë të shkurtër.

Një pjesë u ngritën në banesat gati njëshekullore të rrugës më përfaqësuese të qytetit, që nis te godina e Bashkisë dhe vazhdon për gati 350 metra deri në hyrjen e portit detar.

Por vëmendja e “qeverisë lokale” ndaj tyre u mjaftua me dhënien e lejes së ndërtimit.

Albert Doda, i cili menaxhon një hotel-boutique vetëm 100 metra larg amfiteatrit antik thotë se megjithëse gati katër vjet më parë autoritetet lokale i dhanë kësaj rruge emrin e arkeologut zbulues “Vangjel Toçi”, në të gjitha hartat elektronike ajo vijon të thirret me emrin e vjetër.

“Kjo i krijon probleme turistëve që prenotojnë në distancë, të cilët edhe kur mbërrijnë në Durrës nuk orientohen dot për të gjetur destinacionin,” shpjegon Alberti, duke shtuar se përpjekjet e tij pranë bashkisë dhe Ministrisë së Brendshme që përditëson hartat, deri tani nuk kanë patur sukses.

Sipas drejtuesit të hotelit, e vetmja mënyrë për të rikthyer gjallërinë turistike në Durrës mbetet restaurimi i siteve arkeologjike në qytetin 3,000-vjeçar.

“Amfiteatri ka të njëjtën pamje të viteve 1970,” shton Albert Doda, duke këmbëngulur se hartimi i projekteve të njëpasnjëshme do të ketë vlerë vetëm kur arena dhe shkallaret e monumentit të jenë krejtësisht të hapura për vizitorët.

Muzeu arkeologjik dhe forumi rrethor, amfiteatri dhe termat romake, ndodhen shumë pranë njëra tjetrës në zonën historike të qytetit, por bashkërendimi I veprimtarive kulturore, guidave arkeologjike dhe biznesit turistik thuajse nuk ekziston.

Në një nga rrugicat pranë mureve mesjetare që prej 20 vjetësh vazhdon tu shërbejë vendasve dhe të huajve një hotel i ngritur nga trashëgimtarët në pronën e familjes Myshketa.

Betimi, 55-vjeçari që drejton biznesin i trembet më shumë të ardhmes së turizmit në Durrës.

“Vitin e kaluar disa turistë që kishin prenotuar qëndrime 4-5 ditore u larguan shumë shpejt, pasi përveç mungesës së guidave profesionale, sipas tyre në Durrës mungon jeta e natës, si dhe lokalet me muzikë – tregon për BIRN, Betim Myshketa.

Ndryshimet arkitekturore dhe infrastrukturore pas investimeve të mëdha që kanë realizuar institucionet lokale përbëjnë një shqetësim tjetër për njeriun që i ka kushtuar hotelerisë dy dekadat e fundit.

Rikonstruksioni i sheshit “Liria” apo punimet e stërzgjatura për projektin “Veliera” sipas Myshketës, jo vetëm që nuk ia kanë shtuar vlerat Durrësit e kanë vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve në qytet.

Pinjolli i familjes së vjetër durrsake nuk pajtohet me mungesën e një rruge pedonale, e cila duhet tu shërbejë kalimtarëve vendas dhe të huaj, që bashkë me baret dhe restorantet duan të vizitojnë dyqanet me suvenire apo me veshje.

“Numri i klientëve në hotele nuk mund të rritet nëse porti tregtar I Durrësit kthehet në port turistik, por mbi të gjitha nëse ndryshon menaxhimi i qytetit”.

Ky është opinioni i Doranin Agalliut, me profesion ekspert kontabël, i cili vlerëson se turistët që mbërrijnë me jahte dhe kroçera në shumicën e rasteve flenë në anijet e tyre.

“Të huajt kërkojnë elementet që nuk i gjejnë në vendet e tyre,” thotë Agalliu, i cili bashkohet me mendimin e hotelierëve të qytetit.

“Një kalendar i ngjeshur artistik dhe kulturor, veçanërisht në stinën e verës, si dhe “rizgjimi” i monumenteve arkeologjike të qytetit antik, mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve – shton eksperti kontabël.

“300 shtretër hotelesh në zonën historike të qytetit me 250 mijë banorë është një numër normal, por edhe ato nuk do të frekuentohen nëse qyteti antik, do të vazhdojë të jetë i përgjumur dhe nuk do të nxjerrë në dritë trashëgiminë e tij historike dhe arkeologjike,” përfundoi eksperti i turizmit, Edmond Basho.