Lajm11 Feb 2021

Buna përmbyt lagje të qytetit të Shkodrës, evakuohen 10 familje

Shirat e fundit dhe shkarkimet nga HEC-et kanë përmbytur dy lagje të qytetit të Shkodrës. Bashkia kërkon shpallje të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Lagje e qytetit të Shkodrës e përmbytur. Foto:Anila Dushi.

Reshjet e dendura dhe dalja nga shtrati e lumit Buna riktheu pas gati një dekade përmbytjet në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës. Bashkia e qytetit njoftoi se situata ishte rënduar dhe 10 familje ishin evakuuar në të afërm dhe në mjediset e ngritura për t’i pritur.

Bashkia e Shkodrës njoftoi se sipërfaqja e tokës nën ujë kishte arritur mbi 5 mijë hektarë, ndërsa harta e përmbytjeve është zgjeruar në Lagjen. 1 dhe nr. 2 të qytetit, si pasojë e rritjes së nivelit të liqenit dhe daljes nga shtrati të lumit Buna.

“Po monitorojmë hap pas hapi situatën, e cila po rëndohet. Parashikimet flasin për një situatë të vështirë edhe për orët, ditët në vijim”, tha në një njoftim kryebashkiakja Voltana Ademi, që përsëriti kërkesën për shpallje të gjendjes së fatkeqësisë në zonën që është e përmbytur prej 36 ditësh.

Dalja nga shtrati  e lumit Buna ka ardhur për shkak të reshjeve të dentura dhe shkarkimeve nga HEC në kaskadën e Drinit. Rritja e nivelit të liqenit ka  krijuar  vështirësi qarkullimi në disa lagje qytetit, duke rrethuar nga uji territorin që shtrihet në pjesën veriperendimore të qytetit si lagjet nr.1 dhe nr. 2, në Livadhe, Xhabije, Tophanë, Zoteknikë, shtëpitë në lagjen Tepe, Perash.

Gjatë natës forcat zjarrëfikëse kanë punuar për largimin ujit nga shtëpitë të cilat kanë patur prezencë uji në oborre, duke parandaluar dëmtimin e disa banesave. Bashkia ndërkohë njoftoi se kishte bërë gati ndërmarrjen e trajtimit të studentëve me 470 shtretër në rast nevoje.

Disa familje janë vendosur aty. Dashamir Dauti, banor i lagjes Liria është akomoduar me familjen nënën dhe bashkëshorten shtatzanë në mjediset e konviktit. Dauti tregoi se ishin evakuuar nga ushtria pas uji hyri në banesë.

Ndërkohë bashkia njoftoi se në bashkërendim me efektivët e Forcave të Armatosura po punohej në çdo pjesë të territorit të bashkisë.