Kriza e pandemirë dhe bllokimi i pjesshëm i ekonomisë solli një rënie në të ardhurat buxhetore në masën 30% në muajin Prill, periudhë gjatë se cilës, shpenzimet e qeverisë shënuan rritje dhe kursimet e supozuara në shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes nuk u materializuan.
Të ardhurat e buxhetit të shtetit në muajin Prill 2020 ranë me 12 miliardë lekë ose 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënie kjo e shkaktuar nga paraliza ekonomike e imponuar nga koronavirusi i ri dhe masat kundër përhapjes së virusit.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ranë me 33% në Prill 2020 në krahasim me Prillin e vitit të kaluar. Kjo sugjeron se edhe konsumi i shqiptarëve ishte 33% më i ulët. Tatimi mbi fitimin që paguhet nga kompanitë ra me 50% ndërsa të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale ranë me 20%.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, të cilat reflektojnë nivelin e punësimit, ranë me 7.9%.
Në total për periudhën katërmujore Janar-Prill 2020, rënia e të ardhurave buxhetore në krahasim me një vit më parë është në masën 16 miliardë lekë ose 132 milionë euro.
Shpenzimet e qeverisë gjatë periudhës katërmujore ishin 149 miliardë lekë, me një rritje prej 3% në krahasim me një vit më parë. Ndryshe nga sa pritej, shpenzimet buxhetore nuk kanë shfaqur ndonjë tendencë kursimi edhe në kushtet kur pjesa më e madhe e administratës publike ka qëndruar në shtëpi, gjë që sugjeron ndonjë kursim në zërin e shpenzimeve operative e të mirëmbajtjes. Përkundrazi, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes u rritën me rreh 18 milionë euro në krahasim me një vit më parë.
Shqipëria gjendet në një situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia, e cila ka ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik.
Ekonomia u bllokua nga mesi i Marsit deri në mes të Majit, kur qeveria autorizoi rihapjen e saj, megjithëse shumë kufizime vijojnë të mbeten.
Megjithatë, rënia e të ardhurave buxhetore pritet të jetë gjithsesi më e ulët në Maj dhe në muajt në vazhdim, ndonëse një pjesë e aktivitetit ekonomik, të tilla si fluturimet ajrore dhe turizmi pritet të mos kthehen në normalitet edhe për shumë kohë.