Lajm13 Mar 2018

Byroja e Sigurimeve fillon pagesat për praktikat e papaguara

Byroja Shqiptare e Sigurimeve fillon të shlyej borxhet e akumuluara prej më shumë se një dekade ndaj qytetarëve të përfshirë si palë të treta në aksidente automobilistike.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Një makinë e dëmtuar pas një aksidenti, në Unazën e Madhe, pranë Kopështit Botanik, si pasojë e motit të keq dhe lageshtirës në rrugë | Foto nga : LSA

Të martën Byroja Shqiptare Sigurimeve publikoi një listë prej 206 praktikash aksidentesh, ndaj të cilave ka një borxh prej 30.1 milionë lekësh që daton që nga viti 2001 dhe akoma nuk është paguar.

“Me qëllim kryerjen e verifikimeve përkatese dhe përpilimit të listës për pagesat e demëve të vjetra po publikojmë listën e demve për te cilat nuk është arritur të kontaktohet përfituesi dëmit,” tha Byroja në një njoftim për shtyp.

Tregu i sigurimeve në Shqipëri siguroi 15.6 miliardë lekë të ardhura të raportuara pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në vitin 2016. Kompanitë e sigurimit deklaruan pagesë dëmesh prej 4.2 miliardë lekësh. Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike për dëme që mund t’i shkaktohet palëve të treta nga këto mjete përbëjnë të ardhurat kryesore të kompanive të sigurimit.

Gjatë vitit 2016, të ardhurat nga ky lloj sigurimi ishin 10.2 miliardë lekë ndërsa dëmet e paguara ishin 2.6 miliardë. Ky lloj sigurimi është detyrim ligjor për të gjithë pronarët e mjeteve motorike.

Byroja Shqiptare e Sigurimit është krijuar që në vitin 1992, me miratimin e ligjit ‘Për sigurimin e detyrueshëm, të mbajtësve të mjeteve motorike si dhe për përgjegjësinë ndaj palëve të treta.

Shuma prej 30.1 milionë lekësh është vetëm një fraksion in detyrimeve të prapambetura të Byrosë ndaj të personave të dëmtuar në aksidente ose familjarë të viktimave të aksidenteve automobiliste.

Një investigim i BIRN i publuikuar në dhjetor, gjeti se gati 750 qytetarë që kanë fituar çështje gjyqësore ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve nuk janë dëmshpërblyer, e cila ka akumuluar nga viti 2001 deri në vitin 2018 një borxh prej 1.8 miliardë lekësh.

Sipas ekspertëve, për vite më radhë llogaritë bankare të Byrosë janë financuar në nivele minimale nga kompanitë e sigurimeve, çfarë ka sjelle dhe rritjen e borxhit ndaj qytetarëve.

Pasi BIRN ngriti çështjen e pagesave të prapambetura me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, bordi i saj me 28 dhjetor mori një vendim për t’i detyruar kompanitë që të paguajnë në mënyrë të menjëhershme borxhet e akumuluara për efekt të fondit të kompensimit. Sipas vendimit Byroja duhet të paguj në mënyrë të menjëhershme të gjitha detyrimet që janë me vendim të formës së prerë nga gjykatat dhe presin ekzekutimin.

Në një njoftim të martën AMF u shpreh se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e besimit të tyre në treg.

“AMF, ashtu siç ka vepruar përmes shumë vendimeve të marra gjatë vitit 2017, do të vazhdojë të fokusohet te mbrojtja e interesave të qytetarëve,” tha Autoriteti.

“Për këtë arsye, Autoriteti e konsideron shlyerjen e detyrimeve të praprambetura që nga viti 2002, objekt i Fondit të Kompensimit ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së tij gjatë këtij viti,” shtoi ai.