Lajm9 Jul 2019

Çelet gjykimi për  ‘El Classico’, Prokuroria: Akuza e provuar, gjyqtarët s’paguan asnjë faturë

Kërkesa për gjykim e prokurorisë, në çështjen ndaj tre gjyqtarëve të Durrësit të akuzuar për korrupsion pasiv, u bazua të tre dëshmi dhe letër pororsitë nga Spanja, sipas të cilave tre gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno, nuk kishin paguar asnjë faturë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Tre gjyqtarët e Apelit, Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno

Pas dështimit të gjashtë seancave të para, Gjykata e Krimeve të Rënda çeli të martën procesin gjyqësor ndaj tre anëtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës dhe një biznesmeni, të cilët akuzohen nga prokuroria për korrupsion.

Në sallën e gjyqit të martën ishin të pranishëm gjyqtarët e akuzuar Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno dhe biznesmeni Namik Sadiku si edhe mbrojtësit ligjorë të zgjedhur prej tyre. Në përfaqësimin e akuzës ishin të pranishëm prokurorët Arenc Çela dhe Klodian Braho.

Kryesuesja e trupës gjykuese, Irena Gjoka i pyeti të pandehurit nëse i qëndronin kërkesës së tyre për gjykimin e shkurtuar të kryer gjatë seancës paraprake. Të katër të pandehurit u shprehën se i qëndronin kësaj kërkese, pavarësisht se e mohojnë akuzën.

Ndërsa Dhimitri sqaroi se prokuroria e kishte kaluar afatin 3 vjeçar të hetimit në këtë rast dhe se për një vit e gjysmë, dosja ishte mbajtur pa kryer asnjë veprim hetimor. Më tej Dhimitri shtoi se një pjesë e dëshmitarëve jetojnë jashtë Shqipërisë dhe kjo do të sillte vështirësi për gjykatën nëse nuk do të procedohej me gjykim të shkurtuar.

“Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, prokurori e pranon se çështja nuk ka koherencë. Veç vonesave aktuale do të kishte një shtyrje më të gjatë të procesit prandaj kam kërkuar gjykimin e shkurtuar, bazuar në këto fakte…,” tha ndër të tjera i pandehuri Dhimitri.

Prokurori Arenc Çela shpjegoi në seancë se çështja në ngarkim të katër të pandehurve kishte nisur pas një kallëzimi penal të kryer nga Oliver Ushina, i cili pretendonte se tre gjyqtarët e sipërcituar, me anë të vendimi të dhënë prej tyre më datë 18 shkurt 2015, kishin favorizuar të pandehurin Namik Sadiku kundrejt përfitimeve të parregullta, në një çështje civile që kishin pasur ndërmjet tyre.

Prokurori Çela i parashtroi gjykatës një panoramë të rezultateve të hetimit që sipas tij vërtetojnë lidhjet mes të pandehurve dhe “aktet korruptive të kryera prej tyre”. Prokurori tha se hetimet e kryera kanë konstatuar se të pandehurit kanë udhëtuar dy herë në shoqërinë e njëri-tjetrin, më 2 tetor 2014 drejt Italisë dhe më 24 tetor 2014 drejt Madridit për të parë ndeshjen mes Real-Madridit dhe Barcelonës.

Udhëtimi i parë

Prokurori Arenc Çela tha se në udhëtimin e parë kanë qenë Spahiu, Dhimitri, Namik Sadiku dhe një shtetas i quajtur Artan Shqypi, i cili kishte prenotuar edhe biletat e udhëtimit.

”…Kanë udhëtuar më datë 2 tetor 2014 në të njëjtën orë, të gjithë së bashku me destinacionin Tiranë-Romë me linjën ajrore “Alitalia”, me numër fluturimi “AZ 510/507” dhe janë kthyer të gjithë më datë 5 tetor 2014, në të njëjtën orë, me destinacion Bari-Tiranë, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas, me linjën ajrore “Alitalia”, me numër fluturimi “Bari 588-589,” lexoi prokurori në sallën e gjyqit.

Për të vërtetuar pretendimin e akuzës, prokurori shtoi se ishin marrë në pyetje pronari i agjencisë ku ishin prerë biletat, Artan Shqypi dhe një shtetas italian nga Napoli, në shtëpinë e të cilit kishin qëndruar të akuzuarit.  Ai shtoi se pronari i agjensisë ka pranuar se i kishte shitur Shqypit biletat për atë vetë dhe gjyqtarët Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, por nuk e mbante mend nëse ndër to bënte pjesë edhe bileta për biznesmenin Sadiku.

Sipas prokurorit, Artan Shqypi dëshmoi për udhëtimin drejt Italisë në shoqërinë e dy gjyqtarëve, por mohoi që me ta të kishte qenë edhe Sadiku.

“Sipas deklarimeve të Shqypit, ai ka qëndruar së bashku me Kliton Spahiun dhe Petraq Dhimitrin në Napoli, në provincën “Scafati” dhe se aty janë strehuar në vilën e mikut të tij në Itali me emrin Ferdinando Mollo,” tha prokurori. Ai shtoi më tej se dëshmia e italianit Mollo, e marrë përmes letër-porosisë tregonte se në shtëpinë e tij kishte qenë i njohuri i tij Shqypi, gjyqtari Petraq Dhimitri dhe dy persona të tjerë, “të cilët nuk i njihte, por njëri ishte prezantuar si gjyqtar”.

“Pra, sipas deklarimeve të shtetasit italian rezulton se ai ka pritur në shtëpinë e tij katër persona, shtetasin Artan Shqypi, të pandehurin Petraq Dhimitri dhe dy persona të tjerë që nuk i njeh, njëri prej të cilëve është prezantuar si gjyqtar,” shtoi prokurori Arenc Çela në seancë.

Udhëtimi drejt Madridit

Udhëtimi i dytë drejt Madridit, sipas prokurorisë është paguar nga një funksionar i ambasadës shqiptare në Spanjë, por që nga hetimi ka rezultuar i afërm i biznesmenit Namik Sadiku.

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se më datë 24 tetor 2014 të pandehurit Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno dhe djali i këtij të fundit, kanë udhëtuar së bashku në të njëjtën orë me linjën ajrore nga Tirana në Romë. Ndërkohë, po të gjithë janë kthyer më datë 26 tetor 2014 nga Roma në Tiranë në linjë ajrore.

“Nga hetimet ka rezultuar se ky udhëtim është bërë me qëllim për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid, midis skuadrave Real Madrid dhe Barcelona”, pohoi prokurori Çela.

Nga këqyrja e dokumenteve në agjencinë e udhëtimit dhe nga shpjegimet e punonjëses, prokurorisë i ka rezultuar se biletat e udhëtimit për tre gjyqtarët dhe biznesmenin Namik Sadiku, kanë pasur fillimisht rezervim më datë 12 tetor 2014, por janë anulluar dhe nisja është realizuar më datë 24 tetor 2014.

Ndërkohë nga aktet e dërguara prej autoriteteve të drejtësisë spanjolle ka rezultuar se rezervimi dhe parapagimi i dhomave në hotelin “Novotel” Hotels&Resorts në Madrid (i quajtur më parë “Hotel Covencion”) në të cilin qëndruan gjyqtarët, është kryer nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, për datat 24 deri në 26 tetor 2014.

Rezervimi, sipas prokurorisë, ka qenë fillimisht për tre dhoma, por një prej tyre, ajo që do të zihej nga Sadiku është ç’regjistruar. Sadiku, tha prokuroria, ka qëndruar në hotelin “NH Colletion Abscal” në datat 23-26 tetor 2014. Rezervimi edhe për të është kryer nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë me një vlerë prej 346.50 euro.

Gjithashtu, po sipas të dhënave të dërguara nga drejtësia spanjolle, rezulton sipas prokurorisë se gjyqtarët nuk kanë paguar për asnjë prej faturave. Nga hetimi ka rezultuar se rezervimi dhe pagesa është bërë me kartë krediti nga Fatjon Pula.

Prokurori Çela tha se Fatjon Pula ka ushtruar funksionin e këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid, Spanjë. Pula ka shpjeguar para prokurorëve se ka njohje me Sadikun dhe se e ka takuar atë në Spanjë në muajin tetor të vitit 2014.

Sipas prokurorisë, Namik Sadiku është kushëri i vjehrrës së shtetasit Fatjon Pula. Ndërkohë, Pula ka mohuar të ketë pasur njohje me të pandehurit Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, edhe pse rezulton se ka paguar për ta.

“Në shpjegimet e tij ai ka pranuar që të ketë bërë rezervimin në hotelet e mësipërme për të pandehurin Namik Sadik. I pyetur në lidhje me rezervimin e dy dhomave të tjera në ‘Hotel Convencion’, ka shpjeguar se personat në fjalë nuk i njeh, mundet që ndonjë i njohuri i tij t’i ketë kërkuar që të kryejë rezervimin, por nuk i kujtohet se cili person konkret i’a ka kërkuar që të kryejë këtë rezervim”, citoi dëshminë e tij, prokurori Çela.

Prokurori tha se fakti që Sadiku kishte paguar për gjyqtarët “konfirmohej plotësisht”. Ai shpjegoi se ndërsa shuma prej 461.67 euro, është paguar nga Fatjon Pula, ky ishte i afërm i të pandehurit Namik Sadiku. “Po kështu, provohet plotësisht se asnjë nga të pandehurit Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno dhe shtetasi Endri Çeno, nuk ka paguar ndonjë faturë”, tha prokurori Arenc Çela.

Prokurori tha se Pula kishte kryer ç’rregjistrimin dhe më pas rezervimin e dytë për Sadikun, ndërsa tha se akuza e konsideronte të provuar lidhjen mes gjyqtarëve dhe biznesmenit.

Po ashtu sipas prokurorëve të çështjes, nga verifikimet e numrave telefonikë që përdoren nga të pandehurit dhe shtetasit e tjerë të pyetur në cilësinë e dëshmitarit, ka rezultuar se ata kanë pasur komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.

Prokurori Çela tha se nga hetimet rezulton që për në tetor dhjetor 2014, Namik Sadiku ka pasur 10 telefonata dalëse dhe 6 hyrëse me gjyqtarin Petrit Çeno. Po ashtu rreth të njëjtës periudhë ai kishte bërë 7 biseda me gjyqtarin Petraq Dhimitri dhe 8 të tilla me Kliton Spahiun.

“Në vlerësim të të gjitha rrethanave dhe fakteve të mësipërme, rezulton se të pandehurit Kliton Spahiu, Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri, duke qenë në cilësinë e trupit gjykues që do të shqyrtonte çështjen gjyqësore me të pandehurin Namik Sadiku, në kohën që gjykimi i kësaj çështje ka qenë në zhvillim e sipër, kanë përfituar nga i pandehuri Namik Sadiku përfitime të parregullta, me qëllim dhënien e vendimit gjyqësor në favor të këtij të fundit”, tha prokurori në fund të parashtrimeve të tij.

Ai tha se kryerja e veprës penale të korrupsionit pasiv për gjyqtarët dhe aktiv për biznesmenin, provohej tej çdo dyshimi.

Pasi prokurori Arenc Çela lexoi kërkesën për gjykim, treshja gjykuese e Krimeve të Rënda u tërhoq për disa minuta dhe mori vendim lidhur me kërkesën për gjykimin e shkurtuar të kryer prej të pandehurve duke e pranuar atë.

Më pas, kryesuesja e trupës, gjyqtarja Irena Gjoka i pyeti prokurorët nëse kishin përgatitur konkluzionet përfundimtare. Por, pasi prokurorët e çështjes, Arenc Çela dhe Klodian Braho kërkuan kohë për përgatitjen e pretencës, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 24 korrik, ora 13:00.