Kur mendojmë për internetin, është tunduese të imagjinosh një botë pa rregulla dhe pa kufi. Realisht, megjithatë, çfarë lejohet në një vend është shumë e ndryshme nga ajo që lejohet në një tjetër.
Sipas një studimi të fundit të Liria në Rrjet, dy të tretat e të gjithë përdoruesve të internetit – 67% – jetojnë në vende ku kritikat ndaj qeverisë, ushtrisë apo familjes në pushtet janë subjekt i censurës.
Organizata e rendit secilin vend nga liria e internetit: 0 është më e mira, 100 është më e keqja. Zonat në ngjyrë të kuqe të errët kanë pikët më të larta ose me fjalë të tjera kanë më pak liri interneti. Kina, për shembull, shënon 99 pikë dhe Afrika e Jugut 25 pikë.
Akses i kufizuar
Raporti zbuloi se vetëm një e katërta (24%) e popullatës së internetit kishte akses plotësisht të lirë. 29 për qind kishin akses pjesërisht të lirë dhe 35% nuk kishin aspak akses të lirë. 12% e popullatës së internetit nuk u arrit të vlerësohej.
Studimi zbuloi se liria e internetit në botë ra në vitin 2016 për të gjashtin vit radhazi dhe se shumë njerëz po ndëshkohen për përdorimin e medias sociale.
Në shkallë globale, 27 për qind e të gjithë përdoruesve të internetit jetojnë në vende ku njerëzit janë arrestuar se kanë publikuar, shpërndarë apo thjesht pëlqyer materiale në Facebook. Autoritetet në 38 vende bënë arrestime bazuar në postimet në mediat sociale gjatë vitit të shkuar. Kjo krahasuar me 21 vende ku njerëzit u arrestuan për përmbajtje të publikuar në sajte lajmesh apo blogje.
Por përdoruesit nuk janë në rrezik vetëm në disa rrjete sociale; sistemet e dërgimit të mesazheve në internet po shënjestrohen gjithashtu. ËhatsApp u përball me shumicën e kufizimeve, ku 12 nga 65 vende bllokuan të gjithë shërbimin ose disa specifika të tij, duke prekur miliona nga një miliard përdoruesit e aplikacionit në të gjithë botën, gjatë periudhës së studimit (qershor 2015 dhe maj 2016).
Mes trendeve të vëna re nga raporti ishte një zgjerim në gjërat që qeveritë kanë filluar të mbikëqyrin. Për shembull, faqet ku njerëzit fillojnë peticione dixhitale apo bëjnë thirrje për protesta u censuruan në më shumë vende se më parë. Censura e imazhit gjithashtu është në rritje.
Por liria e internetit nuk preket vetëm nga censura direkte. Raportimet thonë se në disa zona, kompanitë telefonike që e ofrojnë internetin falas e kanë kufizuar shërbimin ose e kanë hequr fare, në mënyrë që të pakësojnë konkurrencën me rrjetet tradicionale telefonike.
Mbikëqyrje e shtuar
Një tjetër trend i nënvijëzuar në raport ishte rritja e ndryshimeve ligjore për të lejuar qeveritë të monitorojnë komunikimin online të njerëzve. Kjo është çështje e një debati intensiv dhe po ndodh si në vendet demokratike dhe ato jo demokratike.
Arsyeja më e shpeshtë për ndryshimet është se qeveritë kërkojnë të mbrojnë shtetasit e tyre nga aktiviteti terrorist; agjencitë ligjzbatuese dhe ato të inteligjencës argumentojnë se duhet të aksesojnë informacion për të parandaluar dhe hetuar sulmet terroriste.
Nga 65 vende të vlerësuara, 34 kanë qenë në trajektore negative që nga qershorit 2015, por 14 vende kanë regjistruar përmirësime të përgjithshme. Nga 65 vende të vlerësuara, qeveritë në 24 vende kufizuan aksesin në media sociale dhe mjete komunikimi, nga 15 që ishin një vit më parë.