Lajm6 Oct 2018

Çështja “Agron Xhafaj”, prokuroria ngre akuzë për kallëzim të rremë ndaj tre personave

Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti akuzë për “kallëzim të rremë” ndaj Albert Veliut, kunatit të tij Fredi Alizoti, ndërsa përfshiu në akuzë edhe gazetarin Jetmir Olldashi. Për Veliun dhe Alizotin u caktua masë sigurie “arrest me burg”. Partia Demokratike akuzoi prokurorinë se ishte në varësi të kryeministrit. Rama tha se shpresonte që hetimi të vijonte.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Protestues të opozitës hedhin flakadanë dhe përplasen me policinë përpara Ministrisë së Brendshme. 26 maj 2018. Foto: Loreta Cuka/BIRN

Audio-përgjim i publikuar në maj nga Partia Demokratike, në të cilin aludohej se vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj bisedonte me një trafikant është cilësuar nga prokuroria si i sajuar. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda,  Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi masa sigurie arresti me burg për Albert Veliun dhe Fredi Alizotin, ndërsa u vendos detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashi.

Në një njoftim për shtyp prokuroria thotë se fillimisht nisi hetimin për “Trafikim të narkotikëve”, por se “Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me vërtetësinë e audio-regjistrimit të bisedës së zhvilluar midis “Bashkëpunëtorit X” dhe “Agronit”  ekziston dyshimi që jemi para veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim”.

Kreu i Partisë Demokratike, e cila publikoi audio-përgjimin, Lulzim Basha sulmoi prokurorinë si të varur nga qeveria, ndërsa tha se nuk mund të pritej diçka tjetër “nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa- Prela”. Basha tha se Rama i kishte vënë kështu zjarrin shtetit ligjorë dhe bëri thirrje për “rrëzimin me çdo mjet të mafias në pushtet”. PD sëfundmi bëri akuza të reja ndaj Agron Xhafës, duke e akuzuar për lidhje të dyshimta me kumarin.

Ndërkohë në anën tjetër kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur: “Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi, jo fundi i drejtësisë”, shkroi Rama në Twitter. Ai pretendoi se audio-përgjimi ishte bërë për të “rrëzuar qeverinë”.

Lexo edhe:

 PS kërkon hetimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj

Rasti në fjalë u bë publik në maj në një konferencë për shtyp të thirrur nga Partia Demokratike. PD kishte ripublikuar më herët dënimin në Itali të Agron Xhafajt vëlla i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj duke akuzuar këtë të fundit se e mbronte nga arrestimi e ekstradimi.

Më pas PD publikoi “audio-përgjimin” duke thënë se në këtë rast Agron Xhafaj ishte angazhuar sërish në trafik narkotikësh. Ministri Xhafaj mohoi akuzat se kishte mbrojtur vëllanë, ndërsa për mosarrestimin e tij u paraqit si justifikim mungesa e e një kërkese nga Italia. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm e cilësuan përgjimin të rremë dhe pretenduan që në fillim që në të nuk ishte zëri i Agron Xhafajt.

Pak ditë pasi Partia Demokratik publikoi audipërgjimin Agron Xhafaj bëri një letër publike ku thotë se do të dorëzohej për të kryer dënimin në Itali. Ndërkohë prokuroria nisi hetimet për “trafik narkotikësh”, bazuar mbi audio-përgjimin.

Sipas njoftimit për shtyp pas hetimeve prokuroria nuk ka gjetur prova për trafik narkotikësh, por pas hetimeve për vërtetësinë e audio-përgjimit ngriti akuza për “kallëzim të rremë të kryer në bashkëpunim”. Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se tre personat e akuzuar kishin kryer këtë vepër penale përmes “krijimit të provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale”.

Pas kërkesës së prokurorisë Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi masë sigurie “arrest në burg” për Albert Veliu, i cili ndërkohë është i ndaluar në Kosovë. Po ashtu masë sigurie “arrest në burg” u dha edhe për Fredi Alizotin.

Ndërkohë prokuroria ka ngritur të njëjtën akuzë edhe ndaj gazetarit Jetmir Olldashi, ndaj të cilit ka masë sigurie detyrim paraqitjeje.