Gjatë 15 viteve që Bashkimi Europian u zgjerua drejt lindjes, ndarjet kulturore, politike dhe historike midis Lindjes dhe Perëndimit kanë vazhduar të pengojnë solidaritetin e vërtetë. Por ekosistemet industriale të integruara të kontinentit – vlerën e të cilave edhe nacionalistët e palodhur nuk mund ta shpërfillin – japin ende arsye për shpresë.
Zgjerimi i madh i Bashkimit Europian drejt lindjes në vitin 2004 ishte një moment për shpresë dhe optimizëm. Pas 15 vjetësh, megjithatë, Europa Lindore dhe Perëndimore janë të ndara si kurrë më parë në aspektin kulturor dhe atë politik.
Edhe pse vendet e Evropës Lindore kanë gëzuar prosperitet më të madh që nga hyrja në BE, ato po mbeten gjithnjë e më shumë pas homologëve të tyre perëndimorë në aspektin normativ dhe material. Ato kanë përjetuar emigrim masiv, sidomos në mesin e të rinjve. Dhe ndërsa remitancat nga ata që punojnë në Europën Perëndimore kanë kontribuar në rritjen e standardit të jetesës në rajon, depopullimi ka krijuar problemet e veta.
Ndarja e sotme Lindje-Perëndim ishte e parashikueshme. Kur shtetet anëtare të BE-së filluan të diskutonin me zell zgjerimin drejt lindjes – fillimisht në një samit të vitit 1997 në Amsterdam dhe pastaj në një takim pasues në Nicë në vitin 2000 – ato e kishin të vështirë ta kuptonin këtë ide. Në mënyrë specifike, shumë delegatë dukeshin se e mohonin nevojën për të përshtatur institucionet e përbashkëta dhe për të rritur transfertat financiare për të integruar anëtarë të rinj dhe për të ruajtur kohezionin brenda bllokut.
Një formë e ngjashme skepticizmi ekziston sot, vetëm se tani ai prek si shtetet e vjetra ashtu edhe ato të reja. Sidoqoftë, para vitit 2004, BE-ja mbështetej ende nga një shpresë e përbashkët për një të ardhme të përbashkët europiane. Në dekadën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, si Lindja ashtu edhe Perëndimi ishin të etur për të ndjekur bashkimin, me besimin se ai do të sillte paqe dhe prosperitet.
Ajo bindje e fortë është zhdukur nga dyshimi, që rrjedh nga mosmarrëveshjet thelbësore mbi vlerat dhe pikëpamjet e botës. Europianët lindorë të ditëve të sotme ndihen si qytetarë të dorës së dytë dhe ata kanë arritur në një pikë që i shohin europianët perëndimorë si kujdestarë arrogante dhe vetë-shërbyese të interesave të tyre të ngushta. Në të njëjtën kohë, europianët perëndimorë mendojnë se homologët e tyre lindorë duhet të jenë më mirënjohës dhe duhet të tregojnë më shumë solidaritet, sidomos kur bëhet fjalë për pranimin e emigrantëve dhe refugjatëve.
Për më tepër, europianët perëndimorë druhen se homologët e tyre po e trajtojnë gjithnjë e më shumë sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve jo si shtylla themelore të projektit europian, por si ide institucionale perëndimore. Kryeministri hungarez Viktor Orbán ëndërron haptazi për krijimin e një “demokracie të iliberale”, në të cilën një shumicë mund të shkelë me këmbë të drejtat e pakicave. Më keq akoma, ai duket se beson se mazhoritarianizmi autokratik mund të shërbejë si bazë për solidaritetin e BE-së. Këtu, ai gabohet shumë.
Orban dhe idetë perverse të shokëve të tij populistë rreth demokracisë – për të mos përmendur përpjekjet e tyre për të dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit dhe shtypin e lirë – janë në qendër të përçarjes së re Lindje-Perëndim. Në thelb nuk është më një politikë specifike, por një konflikt më i thellë mbi vlerat themelore. Zgjidhja e kësaj polemike normative do të marrë një kohë shumë të gjatë. Sfida e BE-së është të zhvillojë një mirëkuptim të ri të përbashkët pa lëshuar pe kur është fjala për ruajtjen e parimeve bazë.
BE-ja nuk mund të mbijetojë si një projekt nacionalist, duke qenë se nacionalizmi është pikërisht impuls që u krijua për të penguar. Ata që këmbëngulin në interpretimin e projektit europian ndryshe po mbjellin farat për shkatërrimin e tij. Me botën që po përjeton një zhvendosje gjeopolitike dhe ekonomike drejt rajonit të Azisë dhe Paqësorit, një thyerje e unitetit europian tani do ta zhvendoste kontinentin në skaj për brezat që do të vijnë.
Për fat të mirë, përveç një respekti të përbashkët për vlerat demokratike, solidariteti europian gjithashtu përfiton nga uniteti komercial. Një rezultat i zgjerimit të pas Luftës së Ftohtë ishte krijimi i shumë vendeve të reja të punës në Europën Lindore, për shkak të investimeve të huaja direkte nga kompanitë e Europës Perëndimore, sidomos në industrinë e automobilave. Përveç forcimit të kushteve ekonomike në shtetet e reja anëtare, këto investime krijuan një industri automobilistike mbikombëtare europiane në të cilën Lindja dhe Perëndimi kanë ardhur të varen në të njëjtën masë.
Kjo industri po fillon tani një rregullim të konsiderueshëm strukturor, pasi ajo fillon nga motorët me djegie të brendshme me karburant deri tek automjete elektrike (EVs). Megjithatë, vëzhguesit e jashtëm mund të falen që mendojnë se rishikimi është rreptësisht një nismë e Europës Perëndimore – dhe sidomos gjermane. Në të vërtetë, ndryshimet e ardhshme do të ndikojnë vendet e punës në Europë, sidomos në vendet anëtare të Lindjes. Është një sfidë e përbashkët që kërkon një zgjidhje të përbashkët. Nëse liderët aktualë të Europës Lindore nuk e pranojnë këtë, vendet e tyre do të paguajnë një çmim të lartë.
Sfida me të cilën përballet industria automobilistike europiane është gjithashtu një mundësi për të mbyllur ndarjen Lindje-Perëndim. Përpjekja e përbashkët e nevojshme për të mbështetur avantazhin konkurrues të Europës në EV, digjitalizimin dhe fusha të tjera tregtare mund të kapërcehen dhe të bëjë të parëndësishme pakënaqësitë dhe dyshimet e 15 viteve të fundit. Ajo mund ta kthejë Europën në rrugën e prosperitetit të përbashkët. Edhe një njeri i verbër ndaj përfitimeve nga BE-ja, siç është Orbani, mund të jetë në gjendje ta shohë këtë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Commercial Case for EU Solidarity