Lajm8 Jan 2017

Çeta : grupimi ‘street-art’ që sfidon politikën për hapësirat publike

Në pranverën e vitit 2016, një grup të rinjsh në Tiranë vendosën të mblidhen nën një grupim anonim të quajtur Çeta, me synimin kryesor të përdorimit të hapësirave publike për të bërë rezistencë ndaj politikave të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Deri më tani Çeta ka instaluar në muret e kryeqytetit nëntë punime me në qendër tematikat sociale dhe politike.

Në intervistat e dhëna në kushte anonimiteti, tre anëtarë të grupimit të artit të rrugës i thanë BIRN se ata kanë vendosur të mos identifikohen për të shmangur gjobat e Bashkisë dhe për të ruajtur vëmendjen te problematikat që ata trajtojnë.

Duke i konsideruar hapësirat publike si të përdorura historikisht në Shqipëri nga politikanët për propagandë, Çeta pretendon se përmes mesazheve politike që grupimi përcjell, po krijon një mënyrë të drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët për të nxitur ndërgjegjen civile.

“Streetart nga ka pasur edhe përpara Çetës në Tiranë, por Çeta ka diçka që të tjerët nuk e kanë. Të paktën edhe sot, me 9 ndërhyrje që kanë bërë, janë 9 ndërhyrje që kanë kapur direkt momentin e problematikës sociale,” tha për BIRN kritiku i artit Romeo Kodra, duke shtuar se grupimin e veçon gadishmëria për të vepruar dhe leximi i kohës.

“Është një mënyrë për t’u ballafaquar me publikun pa filtrin e institucioneve, dmth është mënyra më direkte për të pasur impakt me publikun,” shtoi ai.