Blog2 Apr 2019

Çfarë është dizinformimi

Një përpjekje për të përkufizuar një term që po përdoret gjithnjë e më shumë në politikën shqiptare.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një pamje e ekranit të artikullit të Telegraph në lidhje me Malin e Zi me shenjën “i rremë” mund të shihet në uebsajtin e ministrisë ruse.

Fillimisht dizinformimi ishte një mjet lufte përmes të cilit, njëra palë i përçonte informacione të rreme mbi synimet apo fuqinë e vet luftuese palës tjetër, me qëllim krijimin e një perceptimi të gabuar te kundërshtari dhe rrjedhimisht, zënien në befasi apo në kurth të tij.

Filozofi i lashtësisë kineze Sun Tzu në udhëzimet e tij mbi Artin e Luftës shkruan: “E gjithë lufta mbështetet te mashtrimi. Kur je në gjendje të sulmosh, duhet t’i dukesh kundërshtarit si jo në gjendje për të sulmuar; dhe kur jemi duke vepruar me trupat tona, duhet të dukemi sikur nuk po veprojmë; kur ne jemi afër, duhet të bëjmë armikun të besojë se jemi larg; dhe kur jemi larg, duhet ta bëjmë të besojë se jemi afër”. Termi i përdorur në përkthimin standard në anglisht të fjalëve të Sun Tzu është “Deception”, i cili në shqip do të thotë, mashtrim apo hile. Dizinformimi është ekzaktësisht kjo që pëshkruan Sun Tzu si mashtrim.

Termi dizinformim hyri në anglisht shumë vonë në vitet 1980, dhe u huazua nga rusishtja, dezinformatsiya. Por sovjetikët e përdorën të njëjtën taktikë për të keqorientuar opinionin publik të popullit të vet. Në perëndim, një taktikë e ngjashme njihej me emrin “propaganda e zezë”.

Propaganda e zezë konsiston në shtirjen e një personi sikur i përket palës tjetër dhe në përçimin e informacioneve që duket sikur vijnë nga pala tjetër. Shembulli historik është rasti i një radioje të ndërtuar nga Britania e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila transmetonte në gjermanisht dhe prezantohej si radio e partisë naziste gjermane. Në një shembull të kohëve të fundit, në Facebook u zbulua një skemë akoma më e koplikuar se sa thjeshtë shtirja sikur i përket palës kundërshtare. Një rrjet llogarish në median sociale rezultuan se ishin krijuar nga të njëjtët persona me synimin e pjesëmarrjes në debat nga të dyja palët. D.m.th, një person krijon dy llogari që prezantohen si dy palë të kundërta në një çështje të nxehtë debati. Ashtu si në rastin e propagandës së zezë, shtirja si pala kundërshtare synon portretizimin e kundërshtarit sipas dëshirave të dizinformuesit. Fjala vjen, a dëshiron që kundërshtari yt politik të shfaqet në sytë e publikut të gjerë si, fjala vjen, i dobët, i egër, ekstremist, me ide kontroverse apo me ide të turbullta? Atëhere dizinformuesi krijon llogari që prezantohen si mbështetës të kundërshtarit dhe që përhapin mesazhe të tilla.

Se sa peshë kanë fushata të tilla dizinformimi në jetët tona, kjo është një çështje tjetër. Shqetësimi kryesor është që, fjala vjen, Rusia mendohet se synon të shkaktojë destabilitet në shoqëritë demokratike përmes ashpërsimit të ndasive ekzistuese në këto shoqëri. Në rast se SHBA-të kanë një problem me marrëdhëniet mes shumicës së bardhë dhe pakicës afro-amerikane, atëhere një fushatë dizinformimi synon ta transformojë këtë ndasi në një konflikt gjithnjë e më të madh. Dizinformuesi mundet në botën e mediave sociale që të prezantojë veten si afro-amerikan që shan apo lavdëron të bardhët apo anasjelltas. Krijimi i një identikiti social të një grupimi shoqëror është teorikisht e mundur në botën e medias sociale.

Këto janë disa përkufizime të termit.

  1. Teknikë për menaxhimin e opinionit publik përmes hartimit, publikimit apo shpërndarjes së informacionit çorientues dhe çoroditës me synimin e shmangies së goditjes ndaj dizinformuesit apo zbutjes së forcës së zemëratës popullore ndaj një gjendjeje të caktuar.
    2. Teknikë e ushqimit të informacionit të rremë te armiku politik apo ushtarak me synimin e shmangies së goditjes apo forcës goditëse ndaj dizinformuesit.
    3. Teknikë që përdor përhapjen e informacioneve të rreme apo të vërteta në radhët e armikut me synimin e çorientimit apo përçarjes së armikut.
    4. Teknikë e përhapjes së informacioneve në publikun e gjerë me synimin e krijimit të një gjendjeje shpirtërore të caktuar, fjala vjen, ankth, shpresë apo urrejtje.