Megjithëse jo shumë të përhapura te përdoruesit e biçikletave në Tiranë, çiklistët me eksperiencë thonë se kokoret janë mbrojtja e tyre kryesore në rast aksidentesh, ndërsa ekspertët e shëndetit paralajmërojnë për dëmtime serioze në mungesë të kësaj sigurie.
Rei ka zgjedhur biçikletën si mjet transporti për të lëvizur nëpër rrugët e Tiranës. Që nga dita kur doli për herë të parë me të për të shkuar në shkollë kanë kaluar 20 vjet, por ai e mban mend mirë atë moment, sepse të gjithë e shihnin me habi për shkak të kaskës mbrojtëse, që mbante mbi krye. Në atë kohë ajo ishte thuajse e panjohur për përdoruesit e biçikletave. Sot e njohin, por sërish nuk e përdorin.
“Është shumë e rrezikshme për drejtuesit e biçikletave të dalin pa kokore. Një pjesë e trupit mund të rigjenerohet, në rast aksidentesh, por koka është shumë e rëndësishme dhe mund të lerë pasoja për tërë jetën. Unë e përdor kokoren sidomos në segmentet më të rrezikshme, që në Tiranë nuk mungojnë”, thotë Rei.
Por ata që janë të ndërgjegjshëm për rrezikun e mos vendosjes së kaskës mbrojtëse sa ky djalë janë të pakët.
Një i ri që sapo ka filluar t’i japë biçikletës thotë:
“Me kaq kohë sa kam nuk më është dukur e nevojshme. As shokët dhe shoqet e mia që kanë biçikletë, nuk mbajnë kaskë. Nëse unë do ta blej do të jem i pari.”
Ndërsa për drejtuesit e mjeteve motorike, Kodi Rrugor, e sanksionon si detyrim përdorimin e kaskës mbrojtëse, gjatë lëvizjeve, për drejtuesit e biçikletave nuk parashikohet ende asgjë në këtë drejtim, as në Kod, as në rregulloren e tij.
Po le të shohim çfarë ndodh në rrugë. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, gjatë vitit 2016, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga përdoruesit e biçikletës janë regjistruar 163 aksidente. Prej tyre 21 persona kanë humbur jetën dhe 47 të tjerë kanë pësuar dëmtime të rënda. Ndërsa për vitin 2017 janë regjistruar 26 aksidente me pasojë 4 vdekje dhe 3 persona të plagosur rëndë.
Sipas kirurgut, Fatos Olldashi në Spitalin Universitar të Traumës, ku ai shërben, çdo ditë vijnë mesatarisht 4 drejtues biçikletash të aksidentuar. Gjatë verës pjesa më e madhe prej tyre janë fëmijë. Një pjesë e mirë mund të kishin shpëtuar, nëse do të kishin përdorur kaskat mbrojtëse, sepse dëmtimet më të rënda dhe fatale janë ato të trurit.
“Dëmtimi kryesor te njerëzit që përdorin biçikleta nga mungesa e përdorimit të kaskës mbrojtëse është dëmtimi i kokës dhe i trurit. Nga statistikat e vendeve të zhvilluara del se mbajtja e kaskës mund të reduktojë deri në masën 70% dëmtimet e kokës. Pra është një shifër shumë e lartë. Ndërsa për sa i takon parandalimit të dëmtimeve fatale të trurit kap shifrën 50%”
Një kaskë mbrojtëse mund të të shpëtojë jetën. Ua ka shpëtuar shumë përdoruesve të motorëve, që nga vendosja e ligjit, duke e reduktuar ndjeshëm numrin e fataliteteve. I tillë është rasti i Rovinit.
Ai e kujton gjithmonë me shumë emocione atë fillim janari të vitit 2010, kur pësoi një aksident gati fatal, që mund t’i kishte marrë jetën, në rast se nuk do të kishte vënë, për herë të parë, kaskën mbrojtëse.
“Hoqa shpretkën, pankreasin, çava mushkëritë. Mos e provoftë njeri. E them nga vetja ime që të gjithë duhet të përdorin skafandër, sepse pa skafandër je i mbaruar”- thotë Rovini.
Dëmtimet e rënda në kokë kanë edhe një kosto të madhe personale dhe familjare.
“Këto mund të shkojnë nga dëmtime të lehta, që përfundojnë me marrjen e një ndihme të shpejtë në spital dhe kthimin brenda ditës në shtëpi, deri te të sëmurë që qëndrojnë me muaj të tërë në spital, apo edhe me vite të tëra.” – thotë neurokirgu, Fatos Olldashi.
Për ata që kanë zgjedhur lëvizjen me biçikletë, problemet me parregullsitë e korsive, apo mungesën e sinjalistikës kërkojnë më shumë kohë për t’u zgjidhur, por përdorimi i kaskës mbrojtëse nuk mund të jetë më një opsion.
Sipas ekspertit të qarkullimit rrugor, Artur Sulce, numri i përdoruesve është rritur shumë vitet e fundit në rrugët tona dhe kjo kërkon jo vetëm më shumë ndërgjegjësim, por edhe rregulla të reja.
“Në rastin e një aksidenti në rrugë, që dëmtimet të jenë sa më të lehta do të ishte mirë që biçiklisti të përdorte kaskën. Do të ishte mirë të ndërmerrej një nismë ligjore për vendosjen e kaskave mbrojtëse, meqenëse tani edhe biçikletat janë projektuar me marshe, pra e kanë rritur shpejtësinë e nuk janë më ato të zakonshmet” tha ai.
Ndërgjegjësimi personal për rrezikshmërinë e rrugës dhe domosdoshmërinë e mbajtjes së kaskës mbrojtëse fillon që në moshë të hershme dhe në familje.
Enedi është 10 vjeç. Del çdo ditë nga liqeni. Bashkë me skuterin, prindërit i blenë edhe kaskën mbrojtëse dhe i shpjeguan që ajo të mbron jetën. Një mësim që ai do ta mbaj mend gjithmonë.