Reportazh13 Jun 2021

Çlirimi nga pandemia e COVID-19 mbledh mijëra pelegrinë në kishën e Shna Ndout

Të distancuar nga masat kundër përhapajes së COVID-19, mijëra besimtarë të krishterë dhe myslimanë u mblodhën në kishën e Shna Ndout në Laç për të kremtuar ditën e shenjtorit të shumë mrekullive.

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Besimtarë të mbledhur në Kishën Shna Ndout në Laç | Foto : E Hila

Naze Brahimlika ka udhëtuar nga Burreli, për të kaluar natën e 12 qershorit në kishën e Shna Ndout në Laç. E moshuara e besimit mysliman thotë se pavarësisht përkatesisë fetare, beson shumë tek ky vend i shenjtë.

“Kam shumë besim tek ky vend i shenjtë, pasi ka bërë mrekulli të shumta,” tha 78-vjeçarja, “Lutem për familjen dhe mbarë njerezit që kjo natë e madhe ti ndihmoj,” shtoi ajo.

Brahimlika tregon se është frekuentuese e rregullt e vendit kishës së Shna Ndout, prej të paktën 30-vitesh, por kohët e fundit pandemia e COVID-19 e pengoi që ta vizitonte për një kohë të gjatë.

“Jam gëzuar shumë se jemi çliruar nga virusi dhe e kam prit shumë këtë ditë, që të vi në këtë kishë që ka bërë mrekulli të shumta,” theksoi ajo.

Gjatë fundjavës, me 12 dhe 13 qershor, mijëra besimtarë mblodhën në kishën e Shna Ndout në Laç, për të festuar ditën e Antoni të Padovës, i cili njihet nga besimtarët katolik shqiptar si Shna Ndou dhe nga ortodoksët si Shën Andoni.  Shna Ndou vdiq në moshën 36 vjeçare në vitin 1231 pas një jete të devotshme. Për numrin e shumtë të mrekullive që i njihen ai u kanonizua një vit pas vdekjes, nga Papa Gregori IX.

Peleginazhi i shenjtë i besimtarëvë të feve të ndryshme fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në kishën e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor, ditë që është dhe festa e këtij të shenjti. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë të të gjitha feve, me qirinj në duar dhe me lutje të veçanta kërkojnë fatin e tyre, duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.

Rituali i shenjtorit fillon sapo kalon qytetin e Laçit, ku dhe fillon ngjitja në mal. Ndalesa e parë bëhet tek gjurmët që është dhe vendi ku mendohet se ka kaluar Shna Ndou. Në gurë janë shenjat e këmbëve dhe të duarve të tij, gjithashtu vendi ku mendohet se ai ka pushuar. Të gjithë besimtarët përshkojnë këto pjesë të shenjta të pelegrinazhit me prekje dhe vendosje të kokës, duarve dhe komplet trupit në vendin për të cilin mendohet se ka kaluar Shna Ndou.

Të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, besimtarët u nisën në rrugën e pelegrinazhit që prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës, për të kaluar natën pranë kishës. Pelegrinë të besimeve të ndryshme fetare thonë se ky vend ka bërë mrekulli të shumta, ndaj dhe besojnë tek kisha e Laçit dhe fuqia e saj.

“Lutem për fëmijët, për zotin, për të gjitha,” tha një pelegrin nga Berati i besimit mysliman, i cili shtoi se ‘kam shumë besim te kisha.”

Në kishën e Shna Ndout në Laç, në gusht 2011, Foto: Elvis Hila.

“Patëm pak frikë nga virusi se u bllokuam brenda, [por] tani jemi çliruar dhe jam shumë i gëzuar,” shtoi ai.

Ndërsa një besimtare nga Durrësi i tha BIRN se ka ardhur bashkë me familjen për ta kaluar natën tek kisha e Shna Ndout, të cilën e vizitonte shpesh gjatë vitit.

“Vijmë çdo vit, çdo të martë, çdo kohë kur të kemi mundësi,” tha besimtarja, e cila shtoi se luten për familjen, shëndetin dhe mbarësi.

“Ka bërë mirë ky vend,” tha ajo, ndërsa përforcoi se “këtu kanë ardhur njerëz të sëmurë dhe janë shëruar.”

Pelegrinazhi këtë vit është zhvilluar nën masa të rrepta të distancimit social, në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës dhe Policinë e Shtetit. Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, përfaqësues të kishës Katolike thanë se njerëzit janë treguar besnik ndaj këtij vendi të shenjtë.

“Janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen nga të gjitha rreziqet nga sëmundjet e pandemisë,” tha Padër Prel Gjurashaj, i cili shtoi se pelegrinët kanë ardhur për të lutur zotin, por edhe për ndërmjetësinë e të shenjtit Shna Ndou.

Gjurashaj theksoi se ai ka kërkuar besimtarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë masat kundër COVID-19.

“Për këtë kujdes i kam ftuar në meshë dhe do i ftoj në të gjitha meshat që kam pas, do i ftoj edhe sonte që të kenë sa më shumë kujdes, të largohen nga njëri-tjetri dhe të zbatojnë të gjitha këshillat që na i ka dhënë Ministria e Shëndetësisë,” theksoi ai.

Për të garantuar mbarëvajtjen e pelegrinazhit u angazhuan dhjetëra forca policie, ndërsa pranë mjedisit të kishës kanë qëndruar në gadishmëri dy autoambulanca me personel mjekësor. Por pavarësisht masave të marra, fluksi i lartë i automjeteve krijoj kaos në lëvizjë në qytetin e Laçit. Nata e 12 qershorit u shoqërua me bllokim total të qarkullimit për shumë orë dhe u krijuan radhë kilometrike automjetesh nga autostrada deri në kishën e Shna Ndout.

Kjo situatë erdhi dhe si shkak i punimeve që po kryhen në qytetin e Laçit në kuadër të rindërtimit nga tërmeti, pasi një pjesë e rrugëve janë të bllokuara dhe nuk lëvizet. Për lehetësimin e lëvizjes u angazhuan një numër i lartë efektivësh policie, por qarkullimi nisi të normalizohet vetëm paraditen e së dielës.

Shna Ndoo ne krishtin fëmi | Pikturë bfa Antonyo de Pereda Salgado

“Jemi nisur në 7 pa 15 nga Tirana dhe ora është 10 tani,” u ankua një drejtues mjeti. “Në 12:00 po arritëm jemi të lumtur po nuk besoj,” shtoi ai, duke nënvizuar se gati i është sosur durimi, por nuk kanë zgjidhje tjetër.

Ndërsa një qytetar nga Burreli tregoi se për 4 orë ka ngelur i bllokuar në trafik; megjithatë, ai shtoi se pritja ishte e justifikuar.

“Ka 4 orë që jemi te bllokuar,” tha qytetari nga Burreli, ndërsa shtoi se trafiku fillonte që nga dalja e autostradës. “S’kemi çtë bëjmë, ja vlen të sakrifikosh për të shkuar në një vend të shenjtë,” përfundoi ai.