Pjesa më e madhe e qyteteve kryesore në vend kanë respektuar urdhërat për karantimin, ndërsa disa qindra shoferë u ndaluan dhe makinat u bllokuan për qarkullim pa autorizim. Kryeministri njoftoi në mbrëmje masa shtesë, ndërsa bëri me dije kufizim të udhtimit ndërqytetas.
Shqipëria mbylli të premten ditën e parë në vetë izolim. Shumica dërrmuese e qytetarëve u janë bindur paralajmërimeve duke qëndruar në shtëpi, ndërsa rrugët në qytetet kryesore janë zbrazur. Masat në qytete kanë qenë të ndryshme, më të lehta në Kukës dhe më të ashpra në Tiranë, Durrës e Fier.
Megjithëse u raportuan shëtitje buzë detit në Durrës e Vlorë apo në rrugët e qyteteve të tjera, numri i personave që lëvizën ishte i pakët.
Policia ka ndërhyrë në mjaft raste të grumbullimeve, ndërsa në Korçë zjarrfikësja u kujdes të shuante zjarre të ndezura nga të rinj për të kremtuar sipas traditës “Ditën e Verës”, pavarësisht kundërshtimit të këtyre të fundit. Festa që i takon mëngjesin e të shtunës, nuk duket se do të festohet ndërsa grumbullimet janë të ndaluara.
Zbulimi i 33 rasteve të para të Covid-19 në Shqipëri kanë sjellë ndër të tjera karantinimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve. Qytetet me raste të konfirmuara të sëmundjes i kanë pasur rrugët e zbarzura, por nga ana tjetër mbi 500 shoferë u ndaluan dhe u gjobitën dhe disa prej tyre u shoqëruan pasi nuk iu bindërn urdhërave për ndalim të qarkullimit.
Ndërkohë kryeministri njoftoi se masat e marra për shtetrrethim në qytetet kryesore të vendit dhe bllokimi i hyrje daljeve nga Tirana e Durrësi, pritet të zgjaten edhe pas të hënës dhe të zgjerohen gjeografikisht duke përfshirë gjithë vendin dhe të gjitha komunikimet ndërqytetase. Kryeministri njoftoi të premten se do kishte një dritare, mes mesnatës së të dielës dhe mëngjesit të së hënës për ata që donin të ktheheshin në shtëpi, ndërsa tha se masat shtrënguese do të ashpërsoheshin në vijim duke përfshirë të gjithë vendin.
Kukës
Qarku verilindorë nuk po e përjeton me të njëjtin ankth shfaqen e virusit Covid-19 në Shqipëri. Pjesa më e madhe e bareve, kryesisht ato që kanë hapësira të jashtme, kanë qëndruara të hapura, ndërsa edhe në rrugë qarkullimi kaq vijuar si normalisht. Ndërkohë ka masa të shtuara në kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës edhe pse fluksi i udhëtimeve në të dy krahët ka rënë shumë.
Bashkia e Kukësit njoftoi se kishte bllokuar udhëtimin mes njësive administrative dhe qytetit dhe se nga ora 21.00 e të premtes ishte urdhëruar edhe mbyllja e bareve dhe kafeneve në qytet.
Shkodër
Në Shkodër megjithatë një pjesë e kafeneve vijojnë të jenë të hapura kryesisht paraditeve, ndërsa qytetarët qëndrojnë jashtë tyre. Në akset kryesore vërehen patrulla të përforcuara të policisë , me maska, doreza dhe armë që ndalojnë mjetet që lëvizin. Bashkitë e Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Malësisë së Madhe kanë njoftuar ose janë duke kryer dizifektim të mjediseve, përfshi universitetin “Luigj Gurakuqi”. Mjekë të spitalit thanë se vizitat janë shtuar, por thanë se shumica ishin me raste të gripit të zakonshëm, rastet e dyshuara për Covid-19 janë dërguar drejt Tiranës, por nuk ka pasur përgjigje pozitive.
Lezhë
E ngjashme është situata në Lezhë. Pjesa më e madhe e qytetit ishte e boshatisur të premten. Në rrugë dhe trotuare lëvizjet ishin të pakta. Frika nga coronavirusi ka ndërgjegjësuar qytetaret, pjesa më e madhe e të cileve kanë qëndruar në banesa. Shumica e bizneve kanë mbyllur qepenat, por nuk kanë munguar dhe ata të cilët kanë vijuar aktivitin e tyre, duke mos ju bindur urdhërit të autoriteteve si masë parandaluese për mos përhapjen virusit. Në disa pika të qytetit janë të vendosur policia dhe ushtria. Lëvizja është lejuar vetëm për automjetet e autorizuara, ndërsa policia u ka hequr lejen e drejtimit 61 drejtuesve të mjeteve të cilët kanë lëvizur pa autorizim gjatë ditës së premte, ndërsa bëhet e ditur se nuk do të ketë tolerime ndaj shkelësve. Po ashtu janë paralajmeruar edhe baret qe nuk kanë mbyllur aktivitetin. Drejtoresha e Njesisë së Shëndetësisë në Lezhë Zojë Zefaj bën të ditur se në Lezhë nuk eshte konstatuar asnjë rast me Covid-19, ndërsa një vend i posaçëm është përcaktuar në ambjentet e spitalit mëse do ketë raste të tilla. Problem në Lezhë mbetet mungesa e maskave nëpër farmaci, pasi ka patur kërkesa të shumta për këtë mjet mbrojtes gjatë javeve të fundit.
Dibër
Në bashkitë e qarkut Dibër deri më tani, sipas informacioneve të marra nga krytarët e bashkive, nuk konfirmohen të infektuar dhe aktivitetet kanë vijuar normalisht, përveç shtimit të distancave në lokale. Po kështu edhe transporti ndërqytetas nuk është mbyllur, por nuk ka shumë udhëtarë që lëvizin.
Në bashkinë Mat para 10 ditëve kanë ardhur nga Italia 10 persona, të cilët sipas autoriteteve janë të vetëkarantinuar. Ndërkohë i është bërë testi njërit prej të kthyerve dhe përgjigjet priten në ditën në vijim. Bashkitë kanë vijuar dezinfektimin e institucioneve dhe bulevardeve, si dhe sensibilizimin e banorëve.
Durrës
Në qytetin e Durrësit ku u shënua edhe viktima e parë nga Covid-19 në Shqipëri, janë kryer rreth 89 testime dhe janë zbuluar 5 raste një prej të cilëve një mjek që i shërbeu të moshuarës që humbi jetën.
Shumica e qytetit ka jetuar në karantinë gjatë ditës së premte, ndërsa pak mjete kanë qarkulluar në rrugët e qytetit. Të gjitha lokalet, restrantet, dyqanet, në qytet janë të mbyllura. Përjashtim bëjnë vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë ndërkohë që tregu i fruta perimeve ka funksionuar deri në orën 13:00 dhe më pas është mbyllur. Gjithë shërbimi urban dhe interurban, në qytet është ndaluar. Megjithatë në bregun e detit ka pasur prani qytetarësh që kanë shëtitur.
Tiranë
Kryeqyteti u gdhi të premten thuajse i izoluar, krejt përkundër zakonit në ditë të ngrohta pranvere në pjesën më të madhe të rrugëve mbizotëron qetësia dhe qarkullimi i mjeteve motorike është minimal, veç atyre të policisë dhe në pak makina që kanë marrë leje të posaçme nga policia, ndërsa shumë pak njerëz lëvizin në këmbë.
Kryeqyteti që ka numrin më të madh të rasteve me Covid-19 u izolua. Qarkullimi i mjeteve në rrugë ishte i kufizuar dhe rastet e shkeljes u penalizuan nga policia që bllokoi disa mjete që qarkullonin pa pasur leje.
Shërbimet e vetme të hapura ishin supermarketet, farmacitë dhe furrat e bukës dhe një pjesë e këtyre me masa të shtuara sigurie. Pjesa më e madhe e rasteve të zbuluara në kryeqytet lidhen me dy rastet e para që u gjetën.
Elbasan
Fieri pari të premten katër raste të Covid 19, ndërsa një rast u rregjistrua në Lushnje. Në të dy qytetet janë marrë masa izolimi, ndërsa lokalet janë mbyllur dhe qarkullimi është ndaluar në disa raste me ndërhyrjen e policisë që ka bllokuar disa mjete.
Poliklinika e qytetit ndërkohë po ofron shërbim vetëm mbi bazë referimesh për raste të urgjencave, ndërsa recetat po lëshohen online.
Berat
Informacionet se një grua e sëmurë që kishte udhëtuar në Itali sëfundmi kontaktoi shërbimin mjekësorë pa i njoftuar për udhëtimin jashtë vendit, kanë krijuar shqetësime në Berat. Drejtoresha e Spitalit Edlira Shkëmbi tha se një mjek, një infermiere dhe një shofer ambulance janë vetëizoluar në pritje të përgjigjeve të analizave pasi kontaktuan me një grua që kishte sëmundje kronike dhe një histori udhëtimi në Itali.
Përgjigje të analiza pret edhe gruaja. “Zonja, është në shtëpinë e saj në pritje të përgjigjes, nuk kishte shenja të prekjes nga koronavirusi. Njihet si paciente me asmë”, tha drejtoresha. Ajo pranoi se gruaja nuk kishte njoftuar fillimisht se ishte kthyer nga Italia, por menjëherë sapo kjo është mësuar është marrë tamponi për testim të saj dhe stafit të spitalit që e asistoi. Ndërkohë qyteti ashtu si pjesë të tjera të vendit ishte pjesërisht i izoluar.
Vlorë
Qyteti i Vlorës i është nënshtruar shtetrrethimit që filloi mëngjesin e të premtes, por jo të gjithë qytetarët janë bindur. Në Vlorë policia ka bllokuar disa mjete që kanë refuzuar urdhërin për të mos qarkulluar. Në mjaft raste policia tha se kishte marrë çelasat e makinave dhe në disa raste kishte urdhëruar bllokimin e mjeteve.
Elbasani
Në Elbasan ku janë identifikuar 2 raste të lidhura me një prej personave të kthyer nga Italia, rrugët kanë qenë përgjithësisht të zbrazura. Lokalet po ashtu janë urdhëruar të qëndrojnë mbyllur, edhe pse ka pasur raste që rregullat janë shkelur. Bashkitë e qarkut ndërkohë kanë urdhëruar mbylljen e disa tregjeve. Bashkia Librazhd urdhëroi ndër të tjera mbylljen e tregut të së shtunës, ndërsa qytetarëve janë ftuar të kufizojnë masivisht lëvizjet.
Policia bashkiake në Elbasan ndërhyri në disa raste për të ndalur grumbullimin e të moshuarve që lozin domino në parqe apo zona të tjera të qytetit.
Korçë
Korça është kthyer në një qytet të zbrazët pas thirrjeve për të mos dalë nga shtëpitë dhe për të shmangur çdo lëvizje të panevojshme. Por ndërsa shumica e banorëve nuk lëvizin, nëpër parqe dhe lulishte ka ende nga ata që nuk i tremben rrezikut se mund të preken nga virusi. Janë kryesisht të moshuarit që i frekuentojnë ato çka e ka detyruar policinë bashkiake dhe policinë e rendit që të monitorojnë këto hapësira për të mos lejuar grumbullimet. Si në gjithë vendin edhe në Korçë krahas masave për pezullimin e transportit urban, mbylljen e tregut industrial, karantinimin e qendrave sociale si shtëpia e fushnjës apo qendra e zhvillimit rezidencial dhe dezinfektimet e shumta, bashkia ka urdhëruar edhe mbylljen e lokaleve, bareve, dhe restoranteve.
Situata është reflektuar edhe nëpër hotelet e Korçës ku nuk mungojnë as anullimet e rezervimeve. “Gjatë orëve të fundit jo vetëm që nuk ka rezervime por janë shtuar anullimet. Thuajse cdo 1 orë vijnë emaile apo telefonata që na njoftojnë së nuk do të vijne. Madje edhe disa grupe të huajsh që kishin rezervuar per në maj kanë anulluar ardhjen e tyre.” – tha menaxheri i një hoteli.
Voskopoja dhe Dardha kanë mbyllur gjithashtu hotelet dhe në këto fshatra nuk ka turistë.
Gjirokastra
Në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin nuk është shënuar deri tani asnjë rast me koronavirus. Është bllokuar transporti publik i brendshëm dhe qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për të qëndruar në shtëpi.
Kryesisht farmacitë dhe njësitë tregëtare të ushqimeve frekuentohen. Në të gjitha farmacitë nuk ka alkol,maska dhe dizifektues duarsh, ndërsa nuk shihen mungesa të tjera. Pika e Kakavijës me Greqinë është e hapur,me regjime kontrolli shëndetësor dhe me një fluks tejet të ulur të mjeteve dhe njerëzve.
Edhe zona fqinje e Greqisë së Veriut (Janina dhe Igumenica) nuk kanë shënuar deri tani asnjë rast. Shkëmbimet tregëtare me Janinën kanë vijuar normalisht, kryesisht nga tregëtarët e vegjël. Qendra Historike e Gjirokastrës pasuri e UNESCO-s, është boshatisur nga turistët dhe rreth 90% e rezervimeve të kësaj periudhe janë anulluar në hotelet kryesore. Pikat atraktive si Parku i Viroit janë të frekuentuara, por jo të mbipopulluara.