Lajm18 May 2021

COVID-19 kufizon vizitat e familjarëve për të paditurit për krime lufte në Kosovë

Në një përpjekje për të parandaluar infektimet brenda njësive të saj të paraburgimit, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kufizuar vizitat e familjarëve për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë në pritje të gjyqit.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë
Printo

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Foto: Europol.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me qendër në Hagë thanë për BIRN se për shkak të pandemisë, ajo po kufizon vizitat e të afërmve të ish-guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po presin gjyqin në qendrën e saj të paraburgimit.

Në vend të vizitave fizike, kjo gjykatë po ofron vizita video, telefonata dhe korrespondencë në përpjekje për të mbrojtur nga COVID-19 të dyshuarit dhe njerëzit që punojnë në qendrën e paraburgimit.

Megjithatë, disa njerëz të afërt të të akuzuarve kanë shprehur pakënaqësi me kufizimet.

Artan Behrami, një ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili është ndër ata që presin gjyqin për krime lufte, u ankua se politika është shtypëse.

“Nuk është Gjiri i Guantanamos dhe as burgu Pokrov ku po mbahet lideri rus i opozitës Alexey Navalny”, shkroi në Tëitter Behrami, i cili tani drejton faqen e lajmeve Demokracia.

“Qendra e Paraburgimit e Dhomave të Specializuara të Kosovës është i vetmi vend në Evropë ku ndalohen vizitat familjare, në shkelje të standardeve të BE-së dhe KE-së”, shtoi ai.

Dhomat e Specializuara i thanë BIRN në një përgjigje me shkrim se ata po zbatojnë masa proporcionale, bazuar në këshillat mjekësore, “për të mbrojtur shëndetin e të paraburgosurve dhe të tjerëve në Qendrën e Paraburgimit”.

“Bazuar në këtë këshillë, vizitat personale me familjarët dhe vizitorët e tjerë në institucionet e paraburgimit janë të kufizuara përkohësisht. Në çdo moment Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë parasysh shëndetin dhe mirëqenien e individëve në Qendrën e Paraburgimit dhe i bazojnë politikat e tyre në këshillat aktuale mjekësore”, thanë Dhomat e Specializuara.

“Ne e kuptojmë që për të paraburgosurit dhe familjet e tyre rifillimi i vizitave personale është e një rëndësie të madhe. Me këtë në mendje, këto masa të përkohshme janë nën rishikim të vazhdueshëm, në dritën e situatës së përgjithshme të shëndetit publik dhe situatës specifike brenda Qendrave të Paraburgimit, për shembull, në lidhje me vaksinimet”, shtoi ai.

Thaçi dhe tre ish-politikanë të tjerë të Kosovës akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit kur ishin figura të larta të UÇK-së në fund të viteve 1990. Ata të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që synonte të merrte kontrollin mbi Kosovën gjatë luftës “duke përfshirë kanosjen, keqtrajtimin e paligjshëm, dhunim ndaj dhe largimin e atyre që konsiderohen si kundërshtarë”.

Aktakuza përfshin pretendime për persekutim, burgosje të paligjshme, ndalim arbitrar, vrasje dhe zhdukje me dhunë në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan për të gjykuar ish-guerilasit e UÇK-së për krime të pretenduara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga 1998 në 2000.

Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një përpjekje për të njollosur luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *