Ndërkohë që mund të jemi në gjendje ta menaxhojmë pandeminë COVID-19 me distancim social, ilaçe të reja antivirale dhe duke shpresuar gjithashtu për një vaksinë, ndryshimet klimatike paraqesin një kërcënim edhe më të madh ekzistencial, sepse efektet e tyre nuk kanë një trajtim apo një jetëgjatësi të njohur. Për ekonominë globale post-pandemike mund të ketë një buton që rregullon gjithçka, por nuk ka një të tillë për planetin tonë.
Kriza COVID-19 ka nxjerrë në pah brishtësinë e rendit botëror. Qeveritë kanë kërkuar të kufizojnë përhapjen e virusit përmes bllokimeve dhe kufizimeve të udhëtimit, të cilat kanë ngecur ekonomitë dhe kanë krijuar një recesion global. Vendet e varfra, duke mos pasur burime dhe rezistencë për të zbutur pandeminë, do të goditen më rëndë. Ashtu si ndryshimet klimatike, COVID-19 do të përkeqësojë pabarazitë globale.
Ky krahasim ofron mësime me vlerë. Njësoj si me ndryshimin e modeleve të motit dhe humbjen e ekosistemeve të paprekura dhe biodiversitetin, COVID-19 është një kërcënim. Ashtu si politikëbërësit adresojnë efektet afatshkurtra të gazrave serë dhe karburanteve fosile, qeveritë janë përpjekur të adresojnë pasojat e menjëhershme shëndetësore dhe ekonomike të virusit, duke anashkaluar rreziqe më të gjera të sigurisë. E megjithatë, ashtu si me ndryshimet klimatike, shpërfillja e dimensioneve socio-politike të krizës çon në rritje të paqëndrueshmërisë, ekstremizmit, migrimit dhe shpërthimit të epidemive të reja ose të përsëritura.
Përhapja e COVID-19 do të prekë pjesët e shoqërisë më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Popullsia në disavantazh përballet me rreziqe më të mëdha shëndetësore për shkak të mungesës së qasjes në ujë, kanalizime dhe ambiente shëndetësore adekuate. Të varfërve, të pastrehëve ose të shpërngulurve shpesh u mungon aftësia për t’u izoluar në mungesë të shtëpive të përshtatshme, sigurisë në punë ose të një rrjeti të sigurimeve shoqërore. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, niveli i vdekjeve ka qenë i lartë në mënyrë disproporcionale mes afrikano-amerikanëve, një pasqyrim i pabarazive të gjata strukturore.
Efekti i COVID-19 në sigurinë ushqimore gjithashtu është i ngjashëm me atë të ndryshimeve klimatike. Komunitetet të cilëve u mungon e drejta e votës vuajnë më shumë nga pasojat e ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit dhe shtrëngimit të tregtisë ndërkombëtare. Jetesa e fermerëve të vegjël, barinjve dhe peshkatarëve ndikohet gjithashtu negativisht, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të detyrohen të falimentojnë ose mbyllen, duke i çuar qytetarët me të ardhura të ulëta dhe ata të klasës së mesme në varfëri.
Pasojat ogurzeza nuk ndalen këtu. Njësoj si me ndryshimet klimatike, dëmi që po i shkakton pandemia jetesës mund të krijojë gjithashtu stimuj ekonomikë për t’u bashkuar me grupet e armatosura, duke rritur rrezikun e konfliktit. Potenciali për dhunë është veçanërisht i lartë në sistemet e brishta politike, brenda komuniteteve që kanë një histori konflikti dhe midis të margjinalizuarve politikë.
Trajtimi jo adekuat ose i papërgjegjshëm që qeveritë i bëjnë krizës së COVID-19, nga të cilat Brazili dhe Nikaragua ofrojnë shembuj të qartë, do të tendos marrëdhëniet me qytetarët dhe do të çojë në shqetësim dhe pakënaqësi të publikut. Nuk do të ishte habi që tensionet të arrinin kulmin në trazira civile në një nivel më të gjerë, duke pasur parasysh numrin e vendeve ku mungesa e ushqimit dhe ujit, e shkaktuar nga mosarritja e shtetit për t’u përshtatur me pengesat që lidhen me klimën, kanë nxitur një trazirë sociale. Ekziston gjithashtu një rrezik serioz që keqmenaxhimi zyrtar i krizës së shëndetit publik do ta margjinalizojë popullsinë edhe më shumë dhe do të rrisë tensionet përgjatë linjave gjeografike, etnike ose sektare.
Po ashtu, njerëzit që kanë pakënaqësi ndaj qeverive të tyre mund të shfrytëzojnë pandeminë për të minuar autoritetin e shtetit. Në rajonin e Liqenit të Çadit, thatësira shkatërruese dhe mungesa e ndërhyrjes nga ana e qeverisë çuan në rritjen e përpjekjeve për radikalizm dhe rekrutim nga Boko Haram dhe milicitë e tjera xhihadiste. I njëjti zinxhir ngjarjes kontribuoi në ngritjen e Shtetit Islamik në Irakun verior dhe Siri.
Dhe, njësoj si me ndryshimet klimatike, elitat politike që synojnë të mobilizojnë përkrahjen ose të fshehin të metat mund të manipulojnë krizën duke fajësuar të tjerë, gjë e cila mund të shkaktojë forma më të rënda dhune. Në Algjeri, qeveria ka shfrytëzuar krizën shëndetësore për të shtypur opozitën, ndërsa politikanët nacionalistë në SHBA dhe Europë kanë fajësuar emigrantët dhe të huajt për përhapjen e virusit, duke nxitur stigmatizimin, diskriminimin dhe sulmet raciste.
Në fakt, shumë kanë vërejtur rrezikun se kriza mund të shkaktojë një reagim të thellë kundër refugjatëve. Me kampe për personat e zhvendosur brenda vendit tepër të ndjeshëm dhe ndaj shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse, flukset e reja të njerëzve që largohen nga konflikti ose efektet e ndryshimeve klimatike mund të përballen me rezistencë më të ashpër nga autoritetet dhe komunitetet lokale. Në kufirin greko-turk, forcat e sigurisë qëlluan me municione dhe gaz lotsjellës ndaj refugjatëve, duke treguar se deri ku mund të arrijnë qeveritë kombëtare për të zmbrapsur azilkërkuesit dhe emigrantët.
Pandemia e COVID-19 e ka vendosur botën përballë një prove në të cilën ajo duket se po dështon. Ka munguar bashkëpunimi dhe qasjet gjithëpërfshirëse për adresimin e pasojave të shumëanshme të krizës. Politikëbërësit nuk mund të përqendrohen vetëm në frenimin e pandemisë, por gjithashtu duhet të investojnë tek e ardhmja. Kjo përfshin ndjekjen e ndryshimeve të shpejta, të largëta dhe të pashembullta për të limituar ngrohjen globale dhe për të forcuar reagimin tonë kolektiv ndaj kërcënimeve që kjo paraqet.
Bota tani mund të jetë më pranuese për reforma të tilla. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Ndërkohë që mund të jemi në gjendje ta menaxhojmë pandeminë COVID-19 me distancim social, ilaçe të reja antivirale dhe duke shpresuar gjithashtu për një vaksinë, ndryshimet klimatike paraqesin një kërcënim edhe më të madh ekzistencial, sepse efektet e tyre nuk kanë një trajtim apo një jetëgjatësi të njohur. Për ekonominë globale post-pandemike mund të ketë një buton që rregullon gjithçka, por nuk ka një të tillë për planetin tonë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. COVID-19 Is Clarifying the Climate Challenge