Autoritetet shëndetësore njoftuan se pavioni i tretë dhe i fundit në spitalin COVID-3 u hap të dielën ndërsa planet janë për hapjen e spitalit COVID-4 javës tjetër. Shqipëria mbylli një ditë tjetër të zymtë me 14 të vdekur.
Shqipëria regjistroi një numër krahasimisht më të vogël testimesh dhe rastesh pozitive të dielën ndërsa numri i viktimave vijoi të jetë shumë të lartë dhe spitalet po mbushen me shpejtësi. Bilanci 24 orësh i pandemisë i publikuar të dielën pasdreke, flet për 2,084 testime të kryera në laboratorët publikë dhe privatë dhe 565 raste të reja. Ky është numri më i vogël i testimeve dhe i rasteve të reja në dhjetë ditë.
Por rënia e rasteve të reja në dy ditët e fundit është shoqëruar me shifra rekord viktimash. Pesëmbëdhjetë vetë humbën jetën të premten, shifra më e lartë ditore deri më sot, 13 të shtunën dhe 14 të dielën. Që nga fillimi i pandemisë, numri i viktimave të COVID-19 ka arritur në 699 sipas shifrave zyrtare.
Aktualisht ka 449 pacientë të shtruar në tre spitalet e caktuara për trajtimin e rasteve me COVID-19 ndërsa në spitalin COVID-3 u hap pavioni i tretë dhe i fundit me 50 shtretër. Në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, zv/drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë Ariana Strakosha tha se të tre spitalet aktuale dhe COVID4 që pritet të hapet të shpejti kanë një kapacitet total prej 550 shtretërish.
Plani i qeverisë është që të aktivizojë spitalet bashkiake në rast se numri i të sëmurëve rritet më shumë se sa kaq.