Lajm8 Jun 2016

Debati Gjermani-Turqi mund të ringjallë “rrugën Ballkanike” të refugjatëve

Ekspertët shprehen se debati i Turqisë me Gjermaninë mbi rezolutën e gjenocidit armen mund të bëjë që Ankaraja të lejojë më shumë refugjatë të marrin “rrugën e Ballkanit” drejt Europës.

Autor: Sasa Dragojlo BIRN Beograd
Printo

Refugjatët në kufirin Serbi-Kroaci. Foto: Filip Avramovic.

Refugjatët në kufirin Serbi-Kroaci. Foto: Filip Avramovic.

Debati Ankara-Berlin mbi rezolutën e fundit për gjenocidin të parlamentit gjerman po kërcënon marrëveshjen midis Turqisë dhe Bashkimit Europian, e cila synon të zgjidhë krizën e refugjatëve dhe mund të lejojë më shumë refugjatë të vazhdojnë udhëtimet e tyre përmes Ballkanit drejt Europës Perëndimore, thanë për BIRN disa ekspertë.

Vladimir Petronijeviç, drejtori i Grupit 484, një OJQ me bazë në Beograd që merret me çështjet e azilit, tha për BIRN se Turqia mund të përdorë çështjen e refugjatëve për të ushtruar presion politik.

“Turqia ka padyshim mekanizmat për të ndikuar në shtimin e refugjatëve në rrugën e Ballkanit,” tha Petronijeviç.

“Nëse kjo ndodh, vendet e Ballkanit do të mbajnë një barrë të madhe,” tha Petronjijeviç.

Petronijeviç tha se Greqia do të goditej më ashpër, sepse refugjatët mbërrijnë atje në fillim.

“Situata në Greqi është më e komplikuara, si në ishuj ashtu edhe në pjesën kontinentale. Kushtet në qendrat e azilit nuk janë në nivele të kënaqshme dhe një fluks i ri refugjatësh do të çonte në një katastrofë të vërtetë,” tha ai.

Ivan Miskoviç, një zëdhënës për Komisariatin Serb të Refugjatëve, tha për BIRN se Turqia mund të bëjë një lëvizje simbolike për të treguar se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi i saj për BE-në.

“Turqia nuk do t’i lëshojë të gjithë refugjatët menjëherë. Nuk do të lëshojnë menjëherë me mijëra refugjatë thjeshtë për të treguar se çfarë janë të aftë të bëjnë,” tha Miskoviç.

Numri i refugjatëve që kalojnë përgjatë rrugës ballkanike, nga Greqia në përpjekje për të kaluar përmes Maqedonisë dhe Serbisë në Hungari dhe Kroaci dhe drejt Europës Perëndimore, është ulur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

BE-ja nënshkroi marrëveshjen e saj me Turqinë më 7 mars, me Ankaranë që ra dakord të merrte mbrapsht azilkërkuesit që zbarkojnë në Greqi, dhe BE-në që i premtoi Ankarasë se do t’i jepte gjashtë miliardë euro për të ndihmuar numrin e madh të sirianëve që kanë ngecur në tokën turke.

Për çdo sirian të rikthyer në Turqi, Europa ka premtuar të pranojë një tjetër sirian që jeton në një kamp turk. Ajo ka premtuar gjithashtu t’ia bëjë më të lehtë turqve pajisjen me viza europiane.

Por marrëveshja duket të jetë në rrezik, pasi Ankaraja reagoi me zemërim ndaj një votimi në parlamentin gjerman më 2 qershor  për të përcaktuar si gjenocid masakrat e armenëve nga turqit otomanë.

Por Petronijeviç sugjeroi se kufizimet aktuale mbi refugjatët përgjatë rrugës ballkanike ishin në dobi të trafikantëve të njerëzve.

“Numri i zbuluar i trafikantëve të njerëzve është rritur që prej mbylljes së kufijve. Kufizimet kanë qenë në dobi të trafikantëve,” tha ai.

Bandat e trafikantëve të njerëzve mblodhëm rreth 6 miliard euro në vitin 2015, sipas një raporti të përbashkët të bërë publik më 17 maj nga Interpoli dhe agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, Europol.

Më shumë se 90 për qind e emigrantëve përdorin trafikantët e njerëzve në një pikë të udhëtimit të tyre – duke paguar një mesatare nga 3,000 deri në 6,000 euro – dhe kjo përqindje pritet të rritet këtë vit, thuhet në raport.

Ministria e Brendshme e Serbisë paraqiti 759 kallëzime penale në vitin 2015 kundër 1,127 personave që ishin të përfshirë në trafikim të qenieve njerëzore, dhe gjatë katër muajve të parë të vitit 2016 paraqiti 127 kallëzime penale kundër 206 personave.

Në arrestimet më të fundit, policia serbe ndaloi katër persona më 15 maj në Zejacar, një qytet pranë kufirit me Bullgarinë, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandimin e 23 refugjatëve.

Ndërkohë, autoritetet maqedonase gjatë dy javëve të fundit kanë raportuar disa zbulime për emigrantë dhe refugjatë që transportohen në mënyrë të paligjshme. Të gjithë u kthyen në Greqi.

Emigrantët besohen se i kanë paguar deri në  800 euro trafikantëve të paligjshme për të hyrë në Maqedoni dhe u është premtuar një rrugë e sigurt për më në veri të Serbisë.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është rritur gjatë muajve të fundit,” tha një burim i policisë maqedonase për BIRN në kushte anonimati.

“Pikat kryesore të hyrjeve për të këta njerëz, të cilët janë kryesisht të rinj dhe meshkuj e që vijnë kryesisht nga Siria dhe Iraku, janë zonat kufitare me Greqinë ku mbaron gardhi kufitar. Ata shfrytëzojnë natën dhe terrenin kodrinor për t’iu fshehur policisë dhe ushtrisë maqedonase që janë të shpërndarë në vijën kufitare,” tha burimi i policisë.

Në vitin 2015, rajoni i Ballkanit regjistroi 764,000 kalime të paligjshme kufiri nga emigrantë, një shifër kjo 16 herë më e lartë se në vitin 2014, sipas agjencisë kufitare të BE-së Frontex. Sirianët përbëjnë përqindjen më të madhe të tyre, të ndjekur nga irakianët dhe afganët.