Lajm11 Jun 2019

Debati për krimet e komunizmit, padia e Agron Tufës ndaj Spartak Brahos kalon për gjykim

Drejtuesi i Institutit të Studimit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa, akuzon për “shpifje” dhe “fyerje”, deputetin Spartak Braho, Arben Dukën, Sabit Brokajn, Fatos Tarifën, Shaqir Vukajn dhe gazetën “Dita”. Seanca për pajtim dështoi.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Deputeti i PS Spartak Braho, i poaditur nga shkrimatri Agron Tufa për “shpifje” dhe “fyerje”.

Seanca e pajtimit e zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt shqyrtimi kërkesë-padinë e dorëzuar nga drejtuesi i Institutit të Studimit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa, i cili akuzon për “shpifje” dhe “fyerje”, deputetin Spartak Braho, Arben Dukën, Sabit Brokajn, Fatos Tarifën, Shaqir Vukajn dhe gazetën “Dita”, ka dështuar pasi të paditurit refuzuan të kërkonin falje.

Gjatë seancës të zhvilluar të martën, gjyqtari Besnik Hoxha u komunikoi palëve se seanca e parë kishte qëllim pajtimin mes tyre. Ai e pyeti denoncuesin Agron Tufa nëse ishte i gatshëm të pajtohej. Tufa tha se nuk kishte asgjë kundër pajtimit, por u shtoi se shpifjet dhe fyerjet ndaj tij kishin zgjatur më shumë se 32 ditë. “Padinë e kam kryer në emrin tim personal. Kushti im është që të tërheqin ato që kanë thënë dhe të kërkohet publikisht falje”, pohoi Tufa.

Pasi Tufa kërkoi që të akuzuarit të tërhiqnin publikisht fyerjet kundër tij, gjyqtari Hoxha pyeti të denoncuarit. Deputeti Spartak Braho u shpreh se nuk ishte kundër faljes. “E fal Agron Tufën për gjithçka”, deklaroi Braho.

Ndërsa avokati mbrojtës, i deputetit Braho, Ardian Visha e cilësoi si një situatë për të cilën po përpiqet që të marrë një karakter gjyqësor, por që sipas tij ka të bëjë me pikëpamje të ndryshme të historisë. Ai tha se inkurajonte zgjidhjen e çështjes me pajtim dhe se denoncimi nuk kishte materie për çështje penale.

Duke ju përgjigjur qëndrimit të deputetit Braho, Tufa u shpreh se falja është një gjë e mirë, por se atë e bën i dëmtuari. “Unë mbroj emrin tim të ngritur nga edukata familjare dhe shoqërore. Ata duhet të kërkojnë ndjesë, se jam unë i dëmtuari!”, tha ndër të tjera Tufa.

Ndërkohë, i padituri Agron Duka u shpreh se ndihej i befasuar nga akuzat e ngritura ndaj tij, pasi nuk e kishte përmendur asnjëherë emrin e Tufës. “Unë kam shkruar në shumës, akuzohet njëri në shumës?”, pohoi Duka. Edhe i padituri Sabit Brokaj u shpreh për pajtim, ai tha se nuk kishte dashur të fyente askënd, por thjesht të mbronte të vërtetën historike.

I denoncuari Fatos Tarifa i sqaroi gjykatës se duke qenë studiues e sociolog, ato që ka shkruar në botimet e tij për të të cilat e akuzon Tufa, janë thjesht koncepte sociologjike. “Duke kërkuar pajtim, nuk tërhiqem nga bindjet e mija dhe ç’kam shkruar”, pohoi Tarifa. Po ashtu, edhe i denoncuari Shaqir Vukaj pohoi se nuk dinte se përse akuzohej, ndërsa përfaqësuesja ligjore e gazetës “Dita” tha se, kjo media është një shoqëri tregëtare për përcjelljen e informacionit.

Pasi Tufa u njoh me qëndrimet e të denoncuarve, pohoi para gjykatës se fyerjet që i janë bërë kanë karakter racist që sjellin përçaje të unitetit kombëtar. Ai i qëndroi pohimit fillestar se nuk ishte kundër pajtimit, por pasi të tërhiqeshin fyerjet dhe shpifjet ndaj tij e të kërkohej falje publike nga të denoncuarit.

Tufa pretendon në kërkesë-padinë e depozituar në gjykatë se, të denoncuarit prej tij kanë shpifur dhe e kanë fyer publikisht në mënyrë të përsëritur. Sipas Tufës, më datën 1 prill, gjatë mbledhjes kur në Komisionin e Ligjeve pranë Parlamentit u lexua relacioni lidhur me punën e Institutit e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, deputeti Braho në mënyrë kërcënuese, shpifëse dhe fyese, e ka anatemuar në prani të medieve jo vetëm institutin që drejton, por edhe atë personalisht. Ai shton se më pas, Braho ka dhënë një intervistë për gazetën “Dita” duke përdorur të njëjtin fjalor. Në kërkesë padi ai thotë se është cilësuar prej Brahos si një “fashist”.

Edhe të denoncuarin Fatos Tarifa, Tufa e akuzon se e ka fyer në një artikull të botuar në të njëjtën media. Po ashtu, edhe për tre të denoncuarit e tjerë, Sabit Brokajn, Agron Dukën dhe Shaqir Vukajn, Tufa shprehet në kërkesë-padi se kanë publikuar në gazetën “Dita” artikuj denigures e fyes ndaj tij. Ndërkohë, në kërkesë-padi thuhet se gazeta “Dita”, prej datës 2 prill e në vazhdim, në të gjithë numrat e saj, jo vetëm u ka hapur rrugën personave të akuzuar, por se ka dhënë edhe opinione duke shpifur ndaj tij dhe duke e fyer.

Në fund të seancës, gjyqtari Besnik Hoxha konstatoi pamundësinë e pajtimit dhe vendosi kalimin e çështjes në gjykim. Ai vendosi njoftimin e prokurorisë për nisjen e gjykimit dhe caktoi zhvillimin e seancës së radhës më datë 25 qershor, ora 14:00.