Lajm14 Jun 2018

Dëgjesa e vonuar për Teatrin Kombëtar pritet me mosbesim nga artistët

Në një sallë të tejmbushur me artistë, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës organizuan dëgjesën e parë publike për fatin e Teatrit Kombëtar, ndërsa u përballën me një grup akuzash për thyerje besimi, mungesë transparence dhe përvetësim të pronës publike përmes partneritetit publik-privat.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Aktorët flasin gjatë një dëgjese për Teatrin Kombëtar me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës. 14 qershor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Takimi i parë mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe aktorëve për të diskutuar për planet e Teatrit Kombëtar u organizua nga bashkia në një nga kullat luksoze të Tiranës, fare pranë godinës që rrezikon shembjen për t’i hapur rrugë ndërtimit të një serie kullash dhe një teatri të ri.

Diskutimi i moderuar nga vetë Veliaj, ku nuk u lejuan kamera të televizioneve pasi u konsiderua me “regji të mbyllur” të bashkisë, nisi me kryebashkiakun që u shpjegoi aktorëve rregullat se ai do t’i jepte sipas radhës 5 minuta kohë kujtdo që i kërkonte fjalën për të dhënë argumentet.

Veliaj e çeli diskutimin duke u kërkuar aktorëve që ky të ishte një fillim i ri, larg inateve të mëparshme dhe parashtroi katër argumente.

Për 20 minutat e ardhshme në sallë mbizotëroi qetësia, ndërsa kryebashkiaku tha se godina e Teatrit Kombëtar është në kushte të mjerueshme për aktorët dhe spektatorët; si dhe argumentoi se rikostruktimi i 9500 metrave katrorë të teatrit do të kushtonte 30 milionë euro, që shteti nuk i ka.

Ai u bëri thirrje aktorëve që të zgjedhin mes “nostalgjisë për llaçin dhe tullat” e teatrit aktual 73-vjeçar dhe mes institucionit që teatri përfaqëson.

“Vlera reale e teatrit jeni ju, sepse ju mund të bëni teatër në çdo godinë. Teatri janë njerëzit,” tha Veliaj, ndërsa një pjesë e artistëve ndoqën me fytyra të ngrysura fjalimin e tij.

Takimi erdhi pasi aktorët kërcënuan me “luftë” qeverinë me të dalë një projektligji i jashtëzakonshëm, i cili, duke shmangur ligjet aktuale mbi menaxhimin e pronës publike apo mbi partneritetin publik-privat, ka në plan të japë tokën drejtpërsëdrejti te kompania Fusha sh.p.k për të realizuar disa pallate dhe një ndërtesë teatri në njërin cep.

Veliaj këmbënguli se projektligji i propozuar nuk ishte një kontratë koncensioni apo vendim për shembjen e teatrit kombëtar, por një dokument që i jepte Bashkisë së Tiranës të drejtën e negocimit me kompaninë e parazgjedhur. Ai nuk dha shpjegime se pse ishte zgjedhur pikërisht kjo kompani.

Duke bërë batuta, Veliaj e trajtoi projektin e Teatrit si rastin e një “tironsi babadem” që jep një copë tokë te një investitor dhe rregullon jetën. Ai gjithashtu theksoi se asgjë nuk është e paracaktuar dhe se ky është thjesht një diskutim për një projekt të mundshëm, ku ftoi një përfaqësi aktorësh të bëhen pjesë e negocimit të tij.

Regjisori Alert Çeloaliaj nga Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit mori i pari fjalën ndër përfaqësuesit e artistëve dhe i tërhoqi vëmendjen kryebashkiakut Veliajt se deri më tani aktorët janë anashkaluar në vendimmarrje.

“Në ftesën tuaj thoni që teatri kombëtar do të ndërtohet në të njëjtin vend, pra qenka e vendosur. Ju thoni se nuk do të ketë kullë mbi teatër, por nuk saktësohet nëse do të ketë pranë tij. E gjithë ftesa është në kohën e kryer, pra s’ka vend për diskutim sepse qenka vendosur,” tha regjisori Çeloaliaj.

“Kërkuam shpalljen e Teatrit Kombëtar monument kulture tre javë më parë në peticionin dërguar ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, por nuk kemi lajme,” shtoi ai.

Ministrja Kumbaro qe gjithashtu e pranishme, por zgjodhi të mos flasë, ndërsa mbajti shënime diskutimet dhe herë pa herë ndërhyri jashtë mikrofonit për të qetësuar ata që dëshironin të flisnin, por që Veliaj nuk u jepte fjalën.

Duke iu përgjigjur krahasimeve të kryebashkiakut me rastet e teatrot të tjerë nëpër botë, Çeloaliaj i kërkoi qeverisë të ndjekë gjithashtu shembullin e diskutimeve demokratike dhe bëri thirrje kundër prishjes arbitrare të teatrit dhe cënimit të identitetit kombëtar.

“A janë ezauruar të gjitha mjetet për mbledhjen e fondeve?” pyeti ai, ndërsa e përfundoi fjalën e tij duke thënë se Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit qëndron për ruajtjen e tërësisë territoriale të Teatrit dhe për rikonstruktimin e tij.

Aktori Neritan Liçaj sugjeroi se duhen ndërtuar fillimisht themele të mira pastaj të flitet për Teatrin. “Në vend të merremi me tullat së pari, përse të mos bëjmë njëherë një ligj të mirë [të artit dhe kulturës]?”, tha Liçaj në 5 minutat e tij të kohës.

Mohimi për t’i dhënë fjalën tre pjesëmarrësve të ndryshëm në dëgjesë shkaktoi në pjesë të caktuara tensione në sallë mes Veliajt dhe të interesuarve për të shprehur mendimin e tyre. Duke i sugjeruar takime të tjera me shoqërinë civile në një të ardhme të pacaktuar, Veliaj replikoi me një avokate dhe aktiviste në mbrojtje të teatrit, ndërsa tha që Haradinaj kishte të drejtë kur kishte ndërprerë me forcë fjalimin e paftuar të një zonje gjatë një diskutimi.

“Profesor Berti, ju lutem filloni,” sinjalizoi Veliaj të drejtën e fjalës për aktorin e dashur për publikun shqiptar dhe një nga kundërshtarët më të hapur kundër shembjes së teatrit kombëtar, Robert Ndrenika.

“Jam kundër PPP-ve, se kam vuajtur prej tyre e ka hile brenda,” tha Ndrenika.

“Kam bindjen zoti Erion se të kanë gënjyer me ato milionat. Maksimumi 10 ose 15 milionë duhen,” iu drejtua ai kryebashkiakut, ndërsa shprehu mendimin se teatri mund të riparohet dhe të dalë diçka e shkëlqyer edhe pa 30 milionë euro investime.

“E kam pjekur këtë mendim gjatë kësaj kohe dhe mendoj se i gjithë kompleksi i theatrit mund të ruhet,” përfundoi Ndrenika.

Në fjalën e tij të shprehur me një ton zëri të prekur regjisori Robert Budina, bëri të qartë kampin e politikës dhe aktorëve.

“Ju keni marrë përsipër të bëni politikë, ndërsa neve shfaqje,” tha Budina, ndërsa shtoi se strategjia për teatrit nuk mbaron me një pushtet dhe se diskutimet po vijnë me vonesë, pasi ligji është bërë fakt i kryer.

“Unë nuk mendoj se ju jeni i sinqertë në propozimin që bëni,” shtoi Budina.

“Jam shumë i trishtuar për shtetin tim, të bëhet një ligj që shkel ligjet e tjera. Këtu s’ka sinqeritet,” përfundoi ai.

Aktori Arben Derhemi dhe drejtuesi i Sindikatës së Artistëve të Pavarur i quajti gënjeshtarë hartuesit e raporteve që rekomandonin prishjen e Teatrit të cituara më herët nga kryebashkiaku Veliaj ndërsa tha se qëllimi i vetëm i tyre ishte prishja e teatrit.

“Çdo centimetër i Teatrit është vend i shenjtë dhe nuk do të cënohet, sepse aty fillon dhe mbaron konsensusi dhe bisedimet me ne,” tha Derhemi i vendosur, duke shtuar se kullat paraqesin mungesën e vizionit të qeverisë.

Aktori veteran Luftar Paja në fjalën e tij u shpreh se ai është pro një teatri të ri kombëtar dhe tha se artistët duhet të përqendrohen te prodhimi i një arti cilësor në vend të diskutimeve për godinat.

Aktori Reshat Arbana nga ana tjetër tha se u takon ekspertëve të vendosin se çfarë do të ndodhë me teatrin, të prishet apo të rindërtohet, por bëri thirrje që të mos ketë kulla dhe territori i teatrit t’i mbetet shtetit.

Fjalët e aktorit Laert Vasili që e cilësoi Teatrin Kombëtar si kapanon që nuk përfaqëson emocionet e aktorëve dhe kërkesa e tij për një rilindje shpirtërore, sipas sloganit për rilindje të qeverisë Rama 1 dhe 2, u pritën me polemika nga kolegët, ndërsa Veliaj ndërhyri shpejt për të lënë Vasilin të tregojë eksperiencën e tij të pakëndshme me Teatrin dhe kolegët që ai i cilësoi si “racistë”.

Regjisori Altin Basha i doli në mbrojtje teatrit, pasi tha se pavarësisht defekteve aktuale ai mbetet një trashëgimi kulturore  dhe tha se diskutimet mund të bëhen vetëm me frymë besimi dhe jo me imponim.

“Të pezullohet projektligji pasi ka kundërshtime dhe ngut,” tha Basha.

“Fondet janë çështje që ju takojnë juve ta zgjidhni, nëse nuk keni para, atëherë lëreni Shqipërinë ta bëjë kur të ketë,” shtoi Basha, duke këmbëngulur te ruajtja e plotë e territorit.

Aktori Alfred Trebicka, një tjetër kundërshtar i fortë i planit të qeverisë për partneritet publik privat për teatrin kombëtar i sugjeroi kolegëve të mos nisen nga përvojat e tyre personale për të vulosur fatin e teatrit.

“Nuk ka njeri që të thotë dua teatër pa kushte minimale pune, por këtu s’po flasim për dushe,” tha Trebicka, ndërsa shtoi se thelbi i diskutimit është territori, hapësira dhe lakmueshme e atij vendi.

“Ta perceptosh kujtesën dhe memorien e një vendi apo të një territori thjesht si objekt, kjo është e qëllimtë,” tha Trebicka, duke iu përgjigjur komenteve të Veliajt se teatri janë ata.

“Nëse ne pranojmë këtë projektligj për atashimin e këtij partneri të fuqishëm, është i fuqishëm ai, na mbyti ne, ikëm ne,” tha Trebicka i zemëruar, ku theksoi se objektivi i artistëve është ruajtja e territorit të teatrit.

Artistët Zamira Kita, Arben Malo dhe Kastriot Çaushi thanë se ata mbështesin idenë e një teatri të ri.

Ndrenika dhe Derhemi iu drejtuan Kitës duke e pyetur nëse ka njohuri se rreth 60% e pronës së teatrit shkon për kulla, por ajo u përgjigj se për sa kohë ndërtohet teatri, nuk ka rëndësi çfarë ndodh rreth tij, gjë që shkaktoi dhe largimin e Ndrenikës nga salla e takimit.

Çaushi kërkoi të mos prekej thelbi i teatrit aktual, ndërsa Imami tha se nuk i vinte mirë që prona publike t’i jepej privatit dhe tha se duhej më shumë transparencë dhe besim nga institucionet.

Aktori Bujar Asqeriu mori fjalën drejt fundit të takimit dhe iu drejtua qartë Veliaj dhe Kumbaros duke i thënë: “Ne dyshojmë se shteti juaj vjedh, prandaj është kjo klimë. Korrupsioni këtu është galopant, këtu përvetësohet paraja publike.

“Si mund t’i zësh në gojë rrogën aktorit?!” tha Asqeriu duke kritikuar drejtorin e Teatrit Kombëtar Henri Çuli në sulmin e tij ndaj aktorit Mirush Kabashi që i doli kundër ndërtimit të teatrit.

“Fyen artistë kështu, unë besoj në shenjtërinë e aktrimit dhe e shoh teatrin si një tempull mistik ku ndjej aromën e artistëve që nuk jetojnë më,” tha ai me nota prekëse.

“Nëse doni të bëheni milionerë, bëhuni me forcat tuaja por jo duke grabitur tendera,” përfundoi Asqeriu.

Prej disa muajsh, aktorët kanë kundërshtuar planet e qeverisë për një partneritet publik privat për Teatrin Kombëtar, ku koncensioni do të vërë në dispozicion të investitorit hapësirën 9500 metra katrorë të teatrit aktual me kushtin e ndërtimit të një teatri të ri. Artistët e kanë cilësuar këtë një skemë vjedhjeje dhe i kanë bërë thirrje qeverisë të marrë parasysh rikonstruktimin e teatrit aktual.

Kryeministri Rama shprehu gjatë prezantimit të planit arkitekturor të teatrit vendosmërinë e tij të prishjes me çdo kusht të teatrit që e cilësoi si gërmadhë.

Aktorët janë shprehur gjithashtu të vendosur për të kundërshtuar çdo plan që cënon territorin e teatrit duke kërcënuar edhe ngujim brenda tij.