Reportazh27 May 2021

Del në ankand në Rumani avioni i diktatorit Nicolae Ceausescu

Koleksionuesit e avionëve nga e gjithë bota pritet të bëjnë oferta për ROMBAC 1-11 të prodhuar nga Rumania, të përdorur nga diktatori komunist Nicolae Ceausescu dhe gruaja e tij Elena, i cili do të dalë në ankand më 27 maj.

Autor: Marcel Gascón Barberá BIRN Bukuresht
Printo

Foto: Artmark.

Udhëtimet e profilit të lartë jashtë vendit dhe artefaktet e prodhuara në Rumani, të tilla si makina Dacia, e prodhuar në ish-vendin komunist sipas modelit Renault, ishin dy karakteristika të njohura të sundimit 24-vjeçar të diktatorit komunist të Rumanisë, Nicolae Ceausescu.

Një ankand në internet më 27 maj nga shtëpia e ankandeve e Bukureshtit “Artmark” do t’u japë koleksionistëve një mundësi të rrallë për të blerë një objekt që mishëron në mënyrë të përsosur këto dy tipare të regjimit.

Me një çmim fillestar prej 25,000 eurosh, avioni që Nicolae dhe Elena Ceausescu përdorën midis vitit 1986 dhe ekzekutimit të tyre në revolucionin e vitit 1989 për të udhëtuar nëpër Rumani dhe botë do të dalë në ankand – pjesë e likuidimit të aseteve të ish-ndërmarrjes së aviacionit të Rumanisë, “Romavia”.

“Është një çmim konservator”, tha Alina Panico, menaxhere e marrëdhënieve me publikun në “Artmark”, për BIRN në lidhje me avionin, i cili u quajt Super One Eleven dhe është shpallur pjesë e trashëgimisë së lëvizshme të Rumanisë dhe po shitet nga Ministria e Kulturës.

“Avioni është diçka e çmuar dhe vlera e tij do të rritet vetëm me kalimin e kohës dhe ekspertët tanë vlerësojnë se çmimi përfundimtar ndoshta do të arrijë në 100,000 euro”, shtoi zëdhënësja.

Avioni presidencial i Ceausescut-t mund të jetë joshësh për blerësit nga disa këndvështrime. Avioni është pjesë e historisë së fundit globale, pasi ishte i lidhur ngushtë me një nga tiranët më ikonë të botës.

Me një kapacitet për 119 pasagjerë, ROMBAC 1-11 u ndërtua në një fabrikë rumune nën një licencë Rolls Royce që Ceausescu e bleu nga Mbretëria e Bashkuar dhe ia shtoi krenarinë një çifti diktatorial të njohur për fiksimin e tyre për vetëbesimin dhe lavdinë e vendit.

Air Force One i Ceausescu-t është një nga nëntë avionët ROMBAC 1-11 të prodhuar në Rumani gjatë viteve 1980, i vetmi avion komercial i prodhuar ndonjëherë në Evropën komuniste jashtë Bashkimit Sovjetik. Kjo e bën atë të veçantë në historinë e aviacionit.

E megjithatë, mbetet pyetja se kush dëshiron të blejë si kujtim një avion kaq të vjetër dhe të dalë mode?

“Koleksionuesit, por edhe organizatorët e eventeve në sektorin e mikpritjes dhe turizmit”, përgjigjet Alina Panico, e cila thekson se avioni është ende funksional dhe mund të jetë me përdorim fitimprurës.

Në tokë, ROMBAC 1-11 i Ceausescu “mund të përdoret si muze, restorant ose sallë vallëzimi”, sugjeron ajo, ose në qiell si një mjet fluturimi përmes së cilit “sipërmarrësi mund të promovojë një vend turistik” – për sa kohë që ai nuk del përtej kufijve rumunë.

“Për shkak të faktit se ata tani janë pjesë e Trashëgimisë Kombëtare të Lëvizshme, avioni nuk mund të nxirret nga Rumania”, shpjegon Panico.

Përveç avionit të Ceausescu-t, “Artmark” po shet edhe një tjetër ROMBAC 11-1 në ankandin e 27 majit, i përdorur në fillim të viteve 1990 nga presidenti i parë post-komunist i Rumanisë, Ion Iliescu.

Së bashku me Super One-Eleven, avioni Negresti, siç u quajt ai gjatë ditëve të tij presidenciale, po pret një pronar të ri në bazën e Forcës Ajrore Rumune në veri të Bukureshtit, ku ofertuesit tashmë po inspektojnë këta dy avionë pjesë e historisë rumune.