Në një demokraci, një krizë është një provë politike. Një lider duhet të ruajë ose forcojë besimin e publikut, ose të rrezikojë të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Por në një autokraci, një krizë është një kërcënim për legjitimitetin e regjimit. Kjo është arsyeja pse përgjigja zyrtare është aq shpesh mohimi i të vërtetës.
Kriza COVID-19 është bërë fronti i fundit në përplasjen e përshkallëzuar të ideologjive që është bërë një tipar kryesor i gjeopolitikës vitet e fundit. Përfaqësuese e autoritarizmit është Kina, e cila ka mbrojtur suksesin e strategjisë së saj të izolimit agresiv në frenimin e përhapjes së koronavirusit. Demokracinë e përfaqësojnë një grup i gjerë vendesh, disa prej të cilëve janë përgjigjur shumë më keq se të tjerët. Pra, cili sistem politik është më i përshtatshëm për të menaxhuar krizat?
Nocioni që regjimet autoritare kanë një avantazh mund të jetë joshës. Ndërsa në demokracitë, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, njerëzit mund ta keqkuptojnë lirinë e tyre dhe t’i rezistojnë masave mbrojtëse si mbajtja e maskës, regjimet autoritare mund të imponojnë dhe zbatojnë me lehtësi rregulla që i shërbejnë të mirës publike. Për më tepër, disa kanë argumentuar se Kina përfiton nga tradita konfuciane, me theksin e saj te bindja dhe respektimi i autoritetit, në kontrast me demokracitë perëndimore të cilat theksin e kanë te autonomia individuale dhe pëlqimi për autoritetin.
Qeveria e Kinës është përpjekur t’i përforcojë këto narrativa, përfshirë edhe duke tallur përgjigjen e ngadaltë në SHBA. Dhe është e vërtetë se një izolim i papritur dhe i rreptë si ai që frenoi përhapjen e mëtejshme të COVID-19 në Wuhan – epiqendra e parë e pandemisë – do të ishte anatemë për amerikanët. Por, kur bëhet fjalë për të vlerësuar aftësinë e sistemeve politike për t’iu përgjigjur krizës, ky krahasim e humb thelbin.
Pikë së pari, demokracitë që mbështesin normat konfuciane – të tilla si Hong Kongu, Japonia, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajvani – e kanë menaxhuar krizën COVID-19 në mënyrë pothuajse po aq efikase sa Kina. Po ashtu kanë bërë edhe disa demokraci pa një traditë konfuciane, përfshirë Australinë, Austrinë, Greqinë, Zelandën e Re dhe Portugalinë. Në fakt, midis vendeve, performanca e të cilave gjatë krizës është vlerësuar si e lartë, shumica dërrmuese janë demokraci.
Ajo që kanë të përbashkët këto demokraci të renditura lart është se liderët e tyre e pranuan shkallën e sfidës, komunikuan me besueshmëri me qytetarët e tyre dhe ndërmorën veprime në kohë. Ndryshe nga kjo, vendet me performancën më të keqe ose u zunë në befasi (Italia dhe Spanja), ose kishin liderë që e vonuan ndërmarrjen e masave (Brazili, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja).
Në një farë mase, edhe dështimi i këtyre të fundit nuk është diçka e re në histori. Siç tregon edhe përfundimi i dy luftërave botërore, demokracitë shpesh kanë qenë të ngadalta për të pranuar kërcënimin e luftës. Megjithatë, pasi e kanë bërë këtë, ato gjithmonë kanë mbizotëruar, falë një kombinimi të veprimit të vendosur dhe besimit të publikut te qeveria.
Është e vërtetë që disa qeveri demokratike në ditët e sotme e kanë humbur besimin e publikut dhe duken të vendosura të mos veprojnë. Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti brazilian Jair Bolsonaro të dy e kanë minimizuar ashpërsinë e virusit dhe kanë kundërshtuar këshillat e ekspertëve, ndërkohë që kanë kënaqur nevojën e tyre narcizistike për t’u dukur si të fortë. Kryeministri britanik Boris Johnson ka shfaqur tendenca të ngjashme.
Por kjo nuk mund të shihet si një grackë e demokracisë, në fund të fundit, gjatë krizës së COVID-19, shumë krerë të qeverive demokratike janë shfaqur si shembuj lidershipi të shkolluar.
Në Zelandën e Re, kryeministrja 39-vjeçare Jacinda Ardern ka folur sinqerisht për kërcënimin që paraqet virusi, i ka bërë thirrje njerëzve për përgjegjësi të përbashkët dhe vuri në zbatim masat e bazuara te shkenca. Aty ka ditët që nuk zbulohet ndonjë rast i ri infektimi.
Në Gjermani, komunikimi i qetë, transparent dhe i besueshëm i kancelares Angela Merkel ka kontribuar në një përgjigje që e ka mbajtur të ulët normën e fatalitetit. Masat e vendosura dhe të marra në kohë nga Mette Frederiksen e Danimarkës, Tsai Ing-ëen e Tajvanit, Erna Solberg e Norvegjisë, Katrín Jakobsdóttir e Islandës dhe Sanna Marin e Finlandës kanë prodhuar rezultate po aq mbresëlënëse, pa u larguar nga parimet demokratike.
Këto lidere kishin besimin e qytetarëve të tyre. (Dikush mund të argumentojë se zgjedhja e një gruaje – në disa raste, një grua shumë e re – pasqyron pjekurinë politike të një vendi dhe besimin themelor te puna e qeverisë.) Dhe përgjigjet e tyre e thelluan këtë.
Ndërkohë, regjimet autoritare varen nga propaganda dhe censura për të ruajtur një prarim të ligjshmërisë, duke e bërë praktikisht të pashmangshme mungesën e besimit në qeveri. Pse do t’i besonte dikush shifrave të COVID-19 të Kinës, kur është raportuar gjerësisht se përgjigjja fillestare e autoriteteve lokale ndaj shpërthimit të virusit u shoqërua me shtypje të informacionit?
Kjo nuk është hera e parë që në Kinë ndodh kjo gjë. Gjatë shpërthimit të SARS në vitin 2003, një mjek u desh të bëhej informator para se qeveria të tregonte të vërtetën për epideminë. Disa vëzhgues të informuar nuk besojnë as statistikat zyrtare të PBB-së së Kinës. Gjithsesi, tani në Kinë duket se po shfaqet një valë e re infeksionesh me COVID-19.
Ekziston gjithashtu një arsye e mirë për të besuar se shpërthimet e virusit në Iran dhe Rusi janë shumë më serioze sesa është raportuar. Pas një sërë gabimesh zyrtare – përfshirë refuzimin fillestar të Kremlinit për ta marrë seriozisht krizën – popullariteti i presidentit rus Vladimir Putin ra në nivelin e tij më të ulët në 20 vitet e tij të pushtetit.
Ndërsa krahasojmë performancën e vendeve gjatë krizës së COVID-19, ekzistojnë edhe faktorë të rëndësishëm që nuk kanë asnjë lidhje me sistemet politike. Vende që kanë përjetuar shpërthime të sëmundjeve infektive në të kaluarën e fundit – të tilla si Kina, Vietnami, Hong Kong, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajvani – përfitojnë nga njohuritë institucionale.
Por edhe këtu, me përjashtim të Vietnamit, demokracitë duket se kanë nxjerrë mësime të vlefshme nga shpërthimet e viruseve në të kaluarën. Përvoja e Koresë së Jugut në vitin 2012 me sindromën e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme formësoi përgjigjen e saj ndaj COVID-19, e cila theksoi testimin në shkallë të gjerë. Në ndryshim nga kjo, Kina përsëriti gabimin që ajo bëri me epideminë e SARS, duke u përpjekur ta mbulonte fillimisht shpërthimin e virusit.
Problemi nuk është se Kina nuk e mësoi mësimin e saj, por se ajo nuk mund ta bënte këtë. Në demokraci, një krizë është një provë politike: një lider duhet të ruajë ose forcojë besimin e publikut, ose të rrezikojë të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Por në një autokraci, një krizë është një kërcënim për legjitimitetin e regjimit, për mbijetesën e tij.
Me kaq shumë gjëra në rrezik, një fshehje e së vërtetës do të duket gjithmonë si zgjidhja më e mirë. Të presësh që një qeveri e tillë të përgjigjet ndryshe, siç ka kërkuar Trump nga kinezët, mund të jetë njësoj si të bësh thirrje për ndryshim të regjimit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Democracies Are Better at Managing Crises