Shtatë anëtarët e komisionit të verifikimit të dëmeve prej tërmetit në Burrel janë proceduar penalisht nga policia e Dibrës, pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare” për abuzime dhe ndarje selektive të fondeve. Kryetari i bashkisë mohoi akuzat.
Shtatë anëtarë të komisionit të verifikimit të dëmeve nga tërmeti në Burrel janë proceduar penalisht nga policia e Dibrës, pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare” për abuzime dhe ndarje selektive të fondeve për dëmet në banesa. I pyetur nga BIRN kryetari i Bashkisë së Matit Nezir Rizvani mohoi selektivitetit dhe tha se “gjithçka kishte qenë e ligjshme.”
Policia e Dibrës bëri me dije në një njoftim për shtyp se 7 anëtarët e komisionit të caktuar nga bashkia e Matit për të bërë verifikim të dëmeve nga tërmeti i korrikut të vitit të kaluar, do të ndiqeshin në gjendje të lirë.
“Procedimi nisi mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative si dhe bazuar në materialet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Keta shtetas dyshohet se duke qenë anëtarë të Komisionit të Verifikimit dhe Komisionit të Vlerësimit në Bashkinë Mat kanë përzgjedhur në mënyrë selektive qytetarët përfitues për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 11 korrik 2018 në Bashkine Mat”, thuhet në njoftimin e policisë.
Fiks Fare trasmetoi të enjten emisionin në të cilin disa banorë u ankuan se ishin lënë padrejtësisht jashtë listave të përfituesve. Banorët e fshatit Barbullej denoncuan gjatë emisionit të trasmetuar të premten se nga 15 familje të dëmtuara përfitues ishin vetëm gjashtë prej tyre. Sipas denoncimit përfituesit ishin anëtarë të pleqësisë të afër të tyre dhe po ashtu anëtarë e votues të Partisë Demokratike e cila kontrollon pushtetin lokal në Mat.
Kreu i Bashkisë Mat Nezir Rizvani mohoi në një telefonatë për BIRN të ketë pasur përzgjedhje politike të përfituesve, por tha se do të bëheshin verifikime. Ai tha se anëtarët e komisionit ishin caktuar nga bashkia, por kishte pasur edhe specialistë që nuk ishin staf i saj. Rizvani tha se lista e dala pas verifikimeve në terren ishin miratuar nga prefektura. “Gjithçka ka qenë e ligjshme”, tha Rizvani.
Tërmeti i 11 korrikut me epiqendër në Mat shkaktoi dëme në dhjetra shtëpi të zonës. Verifikimet e bashkisë zbuluan 400 banesa të dëmtuara, ndërsa u miratua një liste me 100 familje që do të përfitonin ndihmë finaciare për të mbuluar dëmet. Dëmshpërblimet që variojnë nga 300 në rreth 700 mijë lekë ende nuk janë ndarë, por ndërkohë familje të lëna jashtë listës së përfituesve ankohen se komisioni ka qenë selektiv.