Reportazh31 Jul 2019

Dëmtohet rruga e rikonstruktuar me fondet e Rilindjes Urbane në Berat

Një gropë e madhe është hapur si pasojë e dëmtimit të asfaltit në rrugën e ‘Stadiumit’ në Berat -  rikonstruktuar vetëm tre vite më parë nëpërmjet projektit më të shtrenjtë të programit të Rilindjes Urbane të qytetit muze të mbrojtur nga UNESCO.  

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Gjatë punës për rregullimin e dëmit në rrugën e dëmtuar, Foto E.Azizolli

Banorët e lagjes ’30 vjetori’ në Berat, gjatë fundjavave shpesh mblidhen në një bar të vogël në rrethrotullimin pranë stadiumit “Tomorri”, ku burrat gjerbin kafe dhe luajnë domino për të kaluar kohën. Paraditja e së dielës i ka gjetur aty si çdo ditë tjetër klientët e përhershëm të lokalit, të cilët janë bërë dëshmitarë të dëmtimit të rrugës pak metra përpara stadiumit.

“Ishim duke luajtur lojën e radhës, kur pamë se pak metra më tej një makinë ra në një gropë që u hap si me magji në rrugë, tha Qazimi, një pensionit i lagjes për BIRN.

Qazimi shoti se drejtuesi i mjetit ka mundur të manovrojë dhe të largohet ndërsa gropa ka tërhequr kërshërinë e kalimtarëve.  Menjëherë pas shembjes së rrugës, policia rrugore ka bllokuar nëpërmjet një kordoni të verdhë  qarkullimi e mjeteve në këtë segment të karrexhatës, ku asfalti është dëmtuar në disa metra gjatësi dhe gjerësi.

Ky segment rrugor urban u rikonstruktua 3 vjet më parë si pjesë e një prej projekteve të ashtuquajturës program të Rilindjes Urbane, të financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

Banorët e lagjes ankohen së rikonstruksioni i rrugës nuk ka qenë në cilësinë e duhur dhe përveç gropës prej disa metrash të hapur të dielën në mesin e saj, ata kanë gjithashtu probleme me ujërat e shiut.

Gropa e hapur para stadiumit Tomori në Berat, | Foto kortezi e Bashkisë Berat

Ndërkohë, në një prononcim publik bashkia e Beratit ka mohuar që gropa e hapur në rrugë të ketë ardhur si pasojë e rikonstruksionit të saj, por nënvizoi se lidhej me shembjen e një kanalit të vjetër të ujërave nëntoksore.

“Me apo pa dashje, segmente të caktuara kanë furnizuar mediat me lajme të pavërteta, duke keqinformuar opinionin publik,” deklaroi bashkia Berat nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook.

Programi i Rilindjes Urbane është një projekt i qeverisë shqiptare për të përmirësuar infrastrukturën urbane të njësive të qeverisjes vendore nëpërmjet një programi grantesh konkurruese të shpërndara nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve nëpërmjet thirrjeve periodike në fusha të caktuara si infrastruktura rajonale.

Midis viteve 2014-2017 bashkia e Beratit ka fituar 18 projekte nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për një vlerë totale prej 1.3 miliardë lekë.

Shembja e rrugës të dielën nuk është hera e parë që investimet e realizuara si pjesë e programit të Rilindjes Urbane nxjerrin në pah problematika në Berat. Vetëm pak ditë më parë bashkia u përplas me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për defektet që kanë dalë në dritë në kalldrëmin që të çon drejt kalasë së qytetit.

Rruga “Stadiumi i Vjetër”-“Stadiumi i ri”, “Stadiumi”-“Koli-Vesho”, është projekt i financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve në 10 mars 2016 në saj të programit Infrastruktura vendore dhe rajonale dhe është projekti më i shtrenjtë i financuar në bashkinë Beratit.

Ky investim kap vlerën 312 milionë lekë dhe u realizua gjatë vitit 2016. Punimet për zbatimin e projektit u realizuan nga kompanitë e ndërtimit ‘G.P.G Company’ dhe ‘Boshnjaku B.’ Përveç rishtrimit me asfalt të rrugës ky investim përfshiu dhe sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza.

Në një raport të mbajtur nga specialistët e bashkisë së Beratit, shkruhet se shembja e rrugës ka ardhur si pasojë e dëmtimit të një kanali të vjetër ujërave të zeza dhe se nuk ka lidhje me investimin e realizuar për rikosntruksionin e rrugës me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

“Pranë stadiumit të ri, është shembur muri mbajtës nëntokësor i kanalit të vjetër të ujërave të zeza, që vijnë nga “Pusi me çati” dhe vazhdojnë deri në fund të gjatësisë së tij,” tha bashkia në përgjigje me shkrim për BIRN. “Ky ndërtim i bërë vite më parë nuk ka lidhje me kanalin e ri të ndërtuar gjatë investimit të bashkisë”, shtoi ajo.

Bashkia shtoi se pas konstatimit të shembjes, specialistët e shërbimeve publike kanë filluar punë për të riparuar segmentin rrugor të dëmtuar.

“Punonjësit janë duke punuar për riparimin e pjesës së dëmtuar dhe rikthimin e qarkullimit normal të automjeteve në këtë zone”, tha bashkia e Beratit.

Një shpjegim të ngjashëm për dëmtimin e segmentit rrugor dha për BIRN edhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Berat, Gëzim Zena.

“Asfalti ka shkarë për shkak të shembjes së njërit krah të murit mbajtës nëntokësor të kanalizimeve të ujërave të zeza”, shpjegoi ai.

Gropa e shkaktuar në rrugën e dëmtuar në Berat, | Foto Eriola Azizolli

Por ndryshe nga bashkia, banorët e lagjes ’30 Vjetori” fajësuan punimet e dobëta për rikonstruksionin e rrugës për dëmtimin e saj. Ata i thanë BIRN se shembja e ndodhur nuk është i vetmi problem i konstatuar prej tyre në investimin e kryer nga bashkia. Sipas tyre në rast reshjesh intensive lagja ka probleme pasi uji vërshon në rrugë.

“Mezi e pritëm këtë investim, por kur bie shi uji nuk përcillet mirë nga pusetat dhe del i gjithë në rrugë” tha një banor i lagjes, pa dashur të identifikohet.

Reagime ka pasur nga qytetarët edhe në rrjetet sociale, ku disa syresh kanë ngritur pikëpyetje mbi shpjegimin e dhëna nga bashkia e Beratit për dëmtimin e segmentit rrugor.