Përdorimi politik i dënimit të Karaxhiçit prej krerëve politikë lokalë fatkeqësisht do të vonojë përballjen me të shkuarën dhe marrjen e nevojshme të përgjegjësisë politike e ushtarake të elitave drejtuese serbe dhe malazeze për luftërat e viteve ’90, thotë Dr. Srdja Pavlovic.
Për disa prej atyre që i mbijetuan ferrit të luftës me regji të Radovan Karaxhiçit në Bosnjë dhe Hercegovinë, dënimi i dhënë nga Gjykata e Hagës me 40 vite burg nuk duket se përbën vënie të drejtësisë në vend. E dimë që humbja e shkaktuar nuk mund të zëvendësohet. Megjithatë pavarësisht nga shpresat e gjithsecilit, e dimë se drejtësia absolute nuk ekziston. Fakti që lideri i serbëve të Bosnjës u gjykua që t’i ngrysë ditët prapa hekurave, flet për ecurinë pozitive të procesit gjyqësor. Për mbështetësit e nacionalizmit serbomadh dënimi i përjetshëm që e pret Karaxhiçin përfaqëson vetëm një prej provave të konspiracionit ndërkombëtar kundër serbëve dhe për karakterin politik të Gjykatës së Hagës. Për fatin e tyre të keq nuk ekziston një gjykim që do t’i nihilizonte teoritë konspirative me të cilat jetojnë çdo ditë. Këndvështrimet e kundërta mbi luftën në Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në të gjithë ish-Jugosllavinë kanë shënjuar tashmë jetët në vendet tona. Për fat të keq gjykimi i Hagës ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjës vetëm sa i përforcon llogoret e ngritura më parë. Gjithsesi i rëndësishëm është fakti se asnjë ndarje nacionalo – etnike e fetare nuk mund të zhbëjë faktet e dhëna nga prokurorët. Dokumentacioni i ruajtur në arkivat gjyqësore dëshmon për mënyrën e detajuar e me themel me të cilën janë bërë hetimet prej ekipeve të prokurorisë. Ekziston tashme një dokumentacion i përshtatshëm provash mbi gjenocidin e kryer ne Srebrenicë dhe këtë nuk mund ta zhbëjnë trumbetuesit e narrativës që e konsideron Karaxhiçin hero. Institucionet e para-shtetit Republika Srpska, përfshi edhe parlamentin e saj, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe forcat policore lokale kanë lënë për veten e tyre prova të shkruara domethënëse mbi ekzistencën e qëllimeve gjenocidale në nivel politik. Nga ky material është e qartë se Radovan Karaxhiçi ka qenë pjesë integrale e procesit të krijimit të atyre qëllimeve. Gjykimi konfirmon qëndrimet e mëparshme se Karaxhiç, si lider i serbëve të Bosnjës, mban përgjegjësi direkte për vendimet politike, por edhe për veprimet ushtarake të bazuara në këto vendime. Për këtë arsye nuk na habit gjykimi për gjenocidin në Srebrenicë. Dënimi i Karaxhiçit mbart në vetvete një dimension të rëndësishëm të karakterit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Fakti që lideri i serbëve të Bosnjës nuk u shpall fajtor për pikën 1 të akuzës (kryerje gjenocidi në komunat Prijedor, Bratunac, Foça, Zvornik, Sanski Most, Vlasenica, Kljuc) është sinjal i qartë për atë sesi i sheh ky trup gjykues përleshjet në Bosnje. Ky vendim do të interpretohet edhe një herë si ndikim i politikës në organet e drejtësisë. Gjyqi i Hagës shihet si mjet politik në varësi të masës që i zbaton apo nuk i zbaton kërkesat maksimaliste të njërës apo tjetrës palë. Dënimi i Radovan Karaxhiçit me siguri do të turpërojë shpirtrat në skenën politike serbe dhe malazeze. Nuk ka dyshim se pasuesit politikë e ideologjikë të tij do të shpenzojnë shumë energji që gjykatën e Hagës ta bëjnë të duket si mjet i “urrejtjes së Perëndimit dhe NATO-s” dhe që krimet e provuara tashmë t’i relativizojnë me shprehjen e famshme “po ata çfarë na bënë ne”[1]. Në mënyrën e tyre partitë në pushtet do të akuzojnë të gjithë kritikët e tyre si simpatizantë të të dënuarit për krime lufte. Këtë do ta bëjnë pavarësisht nga ekzistenca e dokumentacionit se pikërisht këto parti dhe liderët e tyre ishin aprovues të planit të Karaxhiçit për Jugosllavinë post-socialiste, për rishikim të kufijve dhe për shkëmbim territoresh. Kampionët e hershëm antiluftë do ta shfrytëzojnë dënimin e Karaxhiçit për të përfituar edhe njëherë nga e shkuara dhe për të mbuluar servilizmin që vijon prej dy dekadash ndaj elitës qeverisëse. Përdorimi politik i dënimit të Karaxhiçit prej krerëve politikë lokalë fatkeqësisht do të vonojë përballjen me të shkuarën dhe marrjen e nevojshme të përgjegjësisë politike e ushtarake të elitave drejtuese serbe dhe malazeze për luftërat e viteve ’90. E ndërsa pas dënimit, disa prej partive do të festojnë e disa do të vajtojnë, shumë viktima të politikës së Radovan Karaxhiçit do mbeten të heshtura dhe për shumë kohë, të paidentifikuara.
[1] Autori i referohet reagimeve politike në Malin e Zi.
Përktheu nga serbishtja: Armanda Hysa