Fakti që njeriu më i pushtetshëm i tre dekadave u shpall “i korruptuar” duhet të shërbejë si një njësi matëse për vlerësimin e Shqipërisë gjatë këtyre tre dekadave ndërsa është mirë që ky moment të shfrytëzohet për të debatuar mbi llojin e shoqërisë, shtetit dhe politikës që ne dëshirojmë për të ardhmen.
Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur Sali Berishën non grata dhe për ta etiketuar atë dhe familjen e tij si “të korruptuar” pati fuqinë të trondiste opinionin publik shqiptar dhe jo vetëm shënjestrën e tij, njeriun që ka dominuar jetën publike në vend si president, kryeministër, kryetar i opozitës dhe, së fundmi, si celebritet i medias sociale me 1 milionë ndjekës.
Synimi i deklaruar i Shteteve të Bashkuara për këtë vendim është lufta kundër korrupsionit. Sekretari Blinken e bëri të qartë këtë në deklaratën e tij. Një njoftim i tillë dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndër mend të tolerojnë korrupsionin nëpër vendet aleate dhe se kanë në plan ta përdorin mekanizmin që kanë në dorë, konkretisht ndikimin e opinionit publik në vendet si Shqipëria, ku pëlqimi për SHBA është i lartë.
Por ka që besojnë se shkaqe të tjera përpos luftës së korrupsionit mund të fshihen pas vendimit. Aludohet se SHBA-të po mbështesin stabilitetin në Shqipëri në këtë periudhë paszgjedhore, në të cilën, Partia Demokratike do të duhet të zgjedhë nëse do të bëjë opozitën parlamentare, siç imponohet nga politika konvencionale, apo do të vijojë politikën e tensionimit, politikë për të cilën Berisha është i famshëm prej tre dekadash.
Sa i përket asaj që duket, pra vendimi i marrë si deklaratë e SHBA-së në mbështetje të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, disa argumentojnë me të drejtë se pse kjo masë u mor vetëm ndaj Berishës, ndërkohë që edhe politikanë të tjerë, përfshirë Ramën dhe Metën, perceptohen gjerësisht si të korruptuar. Akoma më tutje, pyetja shtrohet se pse kjo u ndërmor ndaj ish-udhëheqësit të opozitës shqiptare dhe jo, fjala vjen, kundër një numri të lartë ish-udhëheqësish apo udhëheqës aktualë në Ballkan, një rajon i njohur shumë për praktika korruptive.
Por disa të tjerë shkojnë përtej kësaj pyetjeje dhe vrasin mendjen nëse, duke shënjuar më vete vetëm Berishën, SHBA-të po ndihmojnë Ramën. Dhe ka një shqetësim i arsyeshëm nëse, vendimi i DASH, në vend që të ndihmojë luftën kundër korrupsionit, mund ta dëmtojë atë. Pra çështja është nëse SHBA-të kanë justifikuar politikat aktuale kontroverse të qeverisë, të tilla si koncesione dhe tenderë të dyshimtë, duke shënjuar si të korruptuar vetëm Berishën.
Administrata Biden e ka bërë të qartë tashmë se politika e saj e jashtme synon të luftojë korrupsionin me ashpërsi. Janë disa mesazhe të dhëna në këtë drejtim dhe aspekti më i rëndësishëm i vendimit të fundit ka të bëjë me profilin e lartë të shënjestrës së zgjedhur. Kuptohet që Departamenti i Shtetit nuk është një gjykatë morali që vlerëson të gjithë udhëheqësit politikë njëherësh por është një institucion i politikës së jashtme dhe politika e jashtme zakonisht ka prioritete konfliktuale. Nga njëra anë duhet të punohet me një vend aleat si Shqipëria, përfaqësuesi i së cilës, Edi Rama, vështirë se mund të shpallet zyrtarisht si “i korruptuar” për shkak se përndryshe nuk ka më komunikim, jo me Ramën, por me Shqipërinë. Nga ana tjetër nevojitet që klasa politike e një vendi si Shqipëria të marrë mesazhin se korrupsioni nuk pritet më të tolerohet. Ai do të duhet të luftohet jo vetëm si çështje etike, por edhe si prioritet strategjik i SHBA-ve.
Që prej vitesh tashmë në botën perëndimore është forcuar bindja se korrupsioni në një vend aleat nuk përbën vetëm një problem të brendshëm për këtë vend por edhe një problem të tillë që cënon sigurinë kombëtare të atij vendi si dhe rrjedhimisht, sigurinë kolektive të institucioneve shumëpalëshe si NATO apo BE. Kjo shpjegon njëkohësisht investimin e stërmadh politik dhe financiar për Reformën në Drejtësi si dhe profilin e lartë të shënjestrës së Blinken, një ish-kryeministër, figurë qendrore.
Klasifikimi i Berishës si “i korruptuar” dhe shpallja e këtij klasifikimi në mënyrë publike përbën asgjë më shumë se sa një mesazh.
Ne mundet të diskutojmë mbi pasojat e këtij mesazhi, ku para së gjithash vlen të diskutohet efikasiteti që ka ky mesazh në synimin e deklaruar: luftën kundër korrupsionit. Heqja e të drejtës së hyrjes në SHBA nuk ngjan ndonjë penalizim i jashtëzakonshëm i figurave të tilla publike.
Dhe po kështu, mesazhi indirekt për klasën politike shqiptare në tërësi mund të mos ketë efekt. Perspektiva që mund të shpallesh “i korruptuar” në SHBA pasi ke humbur pushtetin mund të mos jetë një element mjaftueshëm frenues për të mos u korruptuar sot. Dhe autoritetet ligjore që kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin mund të mos frymëzohen mjaftueshëm nga ky mesazh. Por ajo që vlen të kihet parasysh është gjithashtu që diplomacia, qoftë ajo edhe diplomacia amerikane, nuk ka mundësi të arrijë çdo gjë me një deklaratë.