Lajm3 Oct 2019

Denoncimi i Policisë së Shtetit rihap vetingun për gjyqtarin Ramiz Lala

Një denoncim i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mbi dy vendime të kryetarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala për çështjen e gradave është arsyeja kryesore e ankimit të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Ramiz Lala pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: E.Hoxhaj

Një denoncim i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rihapi procesin e vetingut për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala.  Sipas ankimit të Komisionerit Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, denoncimi i Policisë së Shtetit ndaj gjyqtarit Lala kishte mbërritur pas marrjes së vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e tij në detyrë dhe kishte në bazën e vet kriterin e profesionalizmit.

Ankimi i dorëzuar në Kolegj nga komisioneri Florian Ballhysa rendit si shkak kryesor nevojën e administrimit, hetimit dhe shqyrtimit si prova të akteve të dosjeve që i përkasin çështjeve gjyqësore të shqyrtuara Ramiz Lala, me palë paditëse dy punonjës të Policisë së Shtetit dhe palë të paditur, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Njëra prej çështjeve gjyqësore lidhen me vendimin e Lalës për t’i dhënë gradën “Drejtues” njërit prej punonjësve të Policisë së Shtetit.

“Në informacionin e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit parashtron se argumentimi ligjor i këtij vendimi nga ana e subjektit të rivlerësimit bie në kundërshtim me ligjin dhe procedurat përkatëse, që ai parashikon në dhënien e gradave në Policinë e Shtetit,” citohet në ankimin e Komisionerit Publik.

Komisioneri vlerëson se ka vend për të rihetuar aftësitë profesionale të gjyqtarit Lala në lidhje me aftësinë e përgjithshme për të interpretuar ligjin, për të identifikuar konfliktin e normave; për të përdorur parimet e përgjithshme të teorisë së të drejtës dhe për të analizuar jurisprudencën.

“Për sa parashtrohet në pjesën arsyetuese të aktit konkret (vendimit gjyqësor) grada ‘Drejtues’ duket se i është dhënë palës paditëse… , me vendim gjyqësor, pa kryer analizën ligjore të kryerjes paraprakisht së procedurave administrative..,” citohet ndër të tjera në ankim.

Komisioneri Publik vëren se përsa parashtrohet në pjesën arsyetuese të aktit konkret, vendimi i dhënë nga Lala duket se disponon mbi objektin e një konflikti gjyqësor të zgjidhur më parë me vendim të formës së prerë. Komisioneri arsyeton gjithashtu se në vendim, gjyqtari Lala ka disponuar për vënien në ekzekutim të menjëhershëm të vendimit gjyqësor, si dhe një shumë të konsiderueshme monetare përtej kërkimeve të palës paditëse.

Komisioneri shton gjithashtu se KPK e ka konfirmuar Lalën vetëm me një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Në ankim shtohet gjithashtu edhe kriteri i pasurisë, për të cilin Komisioneri thotë se vendimi i KPK-së nuk jep argumente të bazuara dhe të qarta.

“Komisioneri vlerëson se Komisioni në vendimin e tij nuk jep argumente të bazuara, duke rezultuar i paqartë shkaku se pse është ndjekur një metodologji e caktuar, e ndryshme, për kryerjen e analizës financiare, pas kalimit të barrës së provës që ka ndikuar në reduktimin e një balance negative të të ardhurave të ligjshme nga një vlerë -1.235.304 lekë, në shumën – 88.286 lekë,” thuhet në ankim.

“Nga aktet në dosje, konstatohet se vlerat e shpenzimeve të zbritura nga Komisioni, përveç se janë në tejkalim të pretendimeve të vetë subjektit, janë në tejkalim edhe të vlerave të dietave të kredituara në llogaritë bankare të tij,” shtohet aty.

Ballhysa i kërkon Kolegjit që të mundësojë rivlerësimin e zërave të analizës financiare për periudhën 2010-2016, kur Lala ka rezultuar me balancë negative dhe të konkludojë mbi mundësinë financiare të subjektit për të mbuluar me burime të ligjshme të ardhurat e deklaruara dhe shpenzimet e kryera.

Komisioneri kërkon që në përfundim të gjykimit të çështjes, KPA të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Ramiz Lala.