Lajm8 May 2019

Deputetët e Kosovës hartojnë një rezolutë duke e akuzuar Serbinë për gjenocid

Një komision parlamentar i Kosovës miratoi një projektrezolutë duke e akuzuar Serbinë për gjenocid kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së viteve 1998-1999, edhe pse ekspertët vunë në dyshim nëse ajo ka ndonjë qëllim praktik.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Komisioni parlamentar i ngarkuar të përgatisë rezolutën. Foto: BIRN.

Një komision parlamentar ad hoc i ngritur për të përgatitur një rezolutë që dënon krimet nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë miratoi një draft të martën dhe pritet ta dërgojë atë në parlament për një votim javën e ardhshme.

Projektrezoluta, të cilën BIRN e ka parë, fokusohet në akuzimin e Serbisë për kryerjen e gjenocidit kundër shqiptarëve etnikë.

Ajo pretendon se forcat serbe ishin përgjegjëse për më shumë se 270 masakra gjatë luftës dhe vëren se 1,600 persona rezultojnë ende të zhdukur nga konflikti.

Ajo thotë se parlamenti duhet të propozojë ta bëjë 15 janarin një Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe i kërkon shtetit të Serbisë të pranojë se kreu gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Rezoluta gjithashtu i kërkon qeverisë së Kosovës një ligj për të penalizuar justifikimin, minimizimin ose mohimin e gjenocidit në Kosovë.

“Kjo rezolutë do të jetë e dobishme për gjykatën e Kosovës në të ardhmen, pasi ne nuk kemi më EULEX-in dhe UNMIK-un, që të fillojë të ngrejë padi dhe të gjykojë; fillimisht për të ndjekur penalisht individët që kanë kryer krime dhe gjithashtu më vonë për të përgatitur një padi kundër shtetit të Serbisë,” tha të martën për RTK Bilall Sherifi nga Partia Nisma Social Demokrate, NISMA, i cili kryeson komisionin.

Misioni i sundimit të ligjit të BE-së EULEX-i ia kaloi përgjegjësinë për ndjekjen penale të krimeve të luftës sistemit gjyqësor të vendit vitin e kaluar. Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, ishte paraardhësi i EULEX-it.

Megjithatë, Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, vuri në dyshim nëse rezoluta e planifikuar parlamentare do të ketë ndonjë efekt juridik ose praktik.

“Kjo do të jetë një zgjidhje dhe vetëm kaq,” tha Blakaj për BIRN.

“Është bërë shumë popullore, por besoj se këto iniciativa që po ndodhin janë një justifikim që deputetët po përpiqen të bëjnë për paaftësinë e tyre, sidomos në sytë e viktimave në 20 vjetorin e ngjarjeve të kohës së luftës,” shtoi ai.

Përkujtimet e 20-vjetoreve të masakrave të kohës së luftës po mbahen tashmë prej disa javësh në Kosovë.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç e hodhi poshtë rezolutën e propozuar, duke thënë se ajo tregonte se politikanët e Kosovës ishin të pakënaqur që negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve kanë ngecur.

“Rezoluta është thjesht një sërë veprimesh pa ndonjë vlerë të dobishme, me qëllim që të tregojnë se nuk u pëlqen rrjedha e dialogut, me fjalë të tjera që nuk po shkon si planifikonin ata. Kjo do të thotë se qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj ende respektohet dhe nuk ka oër të shkuar siç kanë planifikuar ata, me Serbinë që njeh Kosovën,” tha Daçiç.

Ndërkohë kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thirrur një takim në lidhje me një propozim për të krijuar një gjykatë speciale për krimet e luftës të kryera nga Serbia.

Por Sherifi argumentoi se propozimet për rezolutën dhe gjykatën duhet të mbahen të ndara.

“Ne duhet t’i konsiderojmë ato si dy nisma që mund të shkojnë paralelisht,” tha ai.

Propozimi për një gjykatë është ngritur pasi prokurorët në Hagë vazhdojnë të marrin në pyetje ish-luftëtarët e Kosovës për krimet e dyshuara të luftës dhe të pasluftës.

Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë pritet të gjykojë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e kryera midis vitit 1998 dhe 2000, edhe pse ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.