Një delegacion i udhëhequr nga kryetari parlamentit kroat Gordan Jadrankoviç ndërpreu vizitën e tij në Beograd pasi krimineli i dënuar i luftës dhe deputeti serb Vojisllav Shesheli i ofendoi ata dhe shkeli me këmbë flamurin kroat.
Një delegacion parlamentar nga Zagrebi anuloi pjesën tjetër të vizitës së tij të mërkurën pasi Shesheli shkeli me këmbë flamurin kroat brenda në parlamentin serb, pastaj ofendoi delegacionin, duke i quajtur ata ustashë (fashistë kroatë).
“Pavarësisht një fillimi shumë të mirë të vizitës zyrtare, për shkak të këtij akti që cënon dinjitetin e Kroacisë, ne e kemi anuluar vizitën,” tha parlamenti i Kroacisë një njoftim për shtyp të dërguar BIRN-it.
Delegacioni duhej të takohej të enjten me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.
Kryetarja e parlamentit të Serbisë Maja Gojkoviç nxori një deklaratë duke dënuar “përpjekjen brutale të deputetit Vojisllav Shesheli për të kërcënuar dinjitetin e Asamblesë Kombëtare të Serbisë dhe delegacionit nga parlamenti i Kroacisë”.
“Mungesa e respektit ndaj simboleve shtetërore të Kroacisë nuk mund të lejohet dhe gjithashtu fyen popullin serb, të cilët krenohen me traditën e tyre të mikpritjes,” tha Gojkoviç.
Por Partia Radikale Serbe e Sheshelit nxori një deklaratë ku mburret për incidentin, duke thënë se “pesë anëtarë të sigurisë nuk qenë në gjendje të merrnin banderolën dhe flamurin” nga Shesheli dhe një deputet tjetër i partisë.
Incidentet që përfshijnë radikalët janë rritur së fundmi, pasi OJQ-të dhe politikanët e opozitës filluan të vënë në dukje se dënimi i Sheshelit për krime lufte ligjërisht e përjashton atë nga posti i tij si deputet.
Më 11 prill, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare e dënoi Sheshelin në mungesë me dhjetë vjet burg për nxitje të krimeve me fjalimet nacionaliste në rajonin e Vojvodinës në Serbi gjatë luftës në vitin 1992.
Ligji serb citon qartë se mandati i një deputeti përfundon nëse atij/asaj i jepet një dënim me gjashtë muaj ose më shumë burg, por Shesheli ka këmbëngulur se ai nuk do të japë dorëheqjen.