Parlamenti i Maqedonisë të hënën nis një seancë plenare mbi ndryshimet kushtetuese që do të ndryshonin emrin e vendit – mes pasigurisë nëse mocioni do të mbështetet nga një numër i mjaftueshëm deputetësh.
Parlamenti i Maqedonisë ka filluar të debatojë kërkesën e qeverisë për ndryshimet kushtetuese me qëllim vënien në zbatim të marrëveshjes historike të emrit me Greqinë.
Rezultati do të jetë testi i parë nëse partitë në pushtet kanë siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretash për të miratuar ndryshimet kushtetuese.
“Njerëzit duan stabilitet, siguri dhe prosperitet ekonomik. E vetmja rrugë për këto qëllime është nëpërmjet anëtarësimit në NATO dhe BE. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një alternativë tjetër,” tha të premten kryeministri Zoran Zaev, duke u bërë thirrje ligjvënësve të mbështesin mocionin.
Partitë në pushtet mund të mbështeten te 71 prej 120 deputetëve në parlament. Megjithatë, që ndryshimet kushtetuese të miratohen, ata kanë nevojë të paktën nëntë deputetë të tjerë nga kampi i opozitës, i udhëhequr nga partia nacionaliste VMRO DPMNE, e cila e ka kundërshtuar marrëveshjen.
Sipas rregullores së parlamentit, miratimi i plotë i amendamenteve që do të ndryshonte emrin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut mund të zgjasë tre muaj ose më shumë.
Nëse dy të tretat e deputetëve e mbështesin mocionin, qeveria mund të fillojë të përgatisë draft ndryshimet kushtetuese dhe t’i paraqesë ato përsëri për votim, që këtë herë do të kërkojë vetëm një shumicë të thjeshtë.
Nëse deputetët i miratojnë draft ndryshimet, ato do të duhet të dërgohen gjithashtu për një debat publik pas të cilit parlamenti do të duhet të votojë për herë të tretë dhe të fundit. Votimi i tretë do të kërkojë përsëri një shumicë prej dy të tretave në parlament.
Nëse votimi i parë – i cili pritet të mbahet brenda ditëve të ardhshme, dhe jo më larg sesa dhjetë ditë nga e hëna – dështon, për shkak të opozitës, Zaev ka lajmëruar zgjedhje të parakohshme në ndjekje të dy të tretave të shumicës, e cila më pas do të ishte në gjendje të përfundonte vetë procesin historik.
Megjithatë, shumica e vëzhguesve pajtohen se alternativa më e mirë do të ishte përfundimi i punës në parlament tani, duke bindur të paktën disa deputetë të opozitës që të mbështesin ndryshimet, duke shmangur kështu pasigurinë shtesë të zgjedhjeve të parakohshme.
Partia opozitare VMRO DPMNE përballet me një presion të madh ndërkombëtar për të ndalur bllokimin e procesit dhe për të mos vënë në rrezik të ardhmen e vendit.
Ndërkohë, partitë në pushtet kanë nisur bisedime me deputetë të opozitës në përpjekje për t’i bindur ata që të ndryshojnë mendje.
Një afat joformal për zbatimin e marrëveshjes është në mars të vitit të ardhshëm, në mënyrë që parlamenti grek të jetë në gjendje të ratifikojë marrëveshjen para se vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme, në të cilat forcat politike kundër marrëveshjes kanë një shans të vërtetë për të fituar.