Deputetët serbë të Kosovës e kaluan natën e së dielës në ndërtesën e parlamentit, duke kërkuar një takim me komisionerin e BE-së Johannes Hahn, për të shprehur zemërimin e tyre ndaj vendosjes së taksave të larta për importet serbe.
Deputetët e partisë së mbështetur nga Beogradi në Kosovë, Lista Serbe, e kaluan natën e së dielës në ndërtesën e parlamentit të Kosovës dhe u zotuan se s'do të largohen që aty derisa të takoheshin me komisionerin e BE-së Johannes Hahn, i cili ishte në Kosovë.
Ata ngritën një banderolë në anglisht ku shkruhej “100% taksë = 0% liri”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të aplikuar një taksë 100 për qind mbi importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
“Nëse kjo taksë nuk hiqet brenda një kohe të shkurtër, do të kemi probleme të mëdha, jo vetëm serbët në Kosovë, të cilët ne përfaqësojmë, por të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse do të ketë mungesë qumështi, uji dhe ushqimi,” tha për mediat të dielën kreu i grupit parlamentar të partisë, Sasa Milosavljeviç.
“Ne nuk duam të arrijmë në këtë pikë, kështu që në mënyrë paqësore dhe demokratike, në një takim me komisionerin Johannes Hahn, ne do ta informojmë atë për këtë problem të madh,” shtoi ai.
Taksat doganore janë tema kryesore e vizitës së Hahn në Kosovë. Megjithatë, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk tregon shenja se do të tërhiqet nga lëvizja e saj, të cilën e ndërmori pasi Serbia nuk lejoi që vendi t'i bashkohej Interpolit.
Kosova fillimisht vendosi një taksë prej 10 për qind, por më 21 nëntor ajo e çoi atë në 100 për qind.
Shumica e njerëzve në Kosovë duket se e mbështesin këtë lëvizje si një përgjigje të justifikuar ndaj veprimeve armiqësore serbe.
Megjithatë, BE-ja e ka dënuar këtë si një shkelje të anëtarësimit të Kosovës në organin rajonal të tregtisë së lirë, CEFTA.
Vendimi gjithashtu ka shkaktuar zemërim në pjesën veriore kryesisht serbe të Kosovës, ku katër kryetarë komunash dhanë dorëheqjen javën e shkuar dhe iu bashkuan protestave të organizuara nga serbët e Kosovës në qytetin e ndarë të Mitrovicës.