Lajm10 Jun 2016

Deputetëve serbë u kërkohet ta deklarojnë Srebrenicën gjenocid

OJQ-të serbe të të drejtave të njeriut i bënë thirrje deputetëve të miratojnë një rezolutë parlamentare që dënon si gjenocid masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica më 11 korrik 1995.

Autor: Sasa Dragojlo BIRN Beograd
Printo

Përfaqësuesit e OJQ-së serbe në konferencën për shtyp të së premtes. Foto: Beta

Përfaqësuesit e OJQ-së serbe në konferencën për shtyp të së premtes. Foto: Beta

Në prag të 21-vjetorit të masakrave të Srebrenicës muajin e ardhshëm, tre OJQ-të serbe i bënë thirrje anëtarëve të parlamentit të premten të miratojnë një rezolutë që i dënon si gjenocid vrasjet nga forcat serbe të Bosnjës.

“Serbia duhet të tregojë vlerat që ne përfaqësojmë. Ne nuk mund të jemi liderë pajtimi në rajon, nëse mohojmë gjenocidin,” tha në një konferencë për shtyp Anita Mitiç, drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd.

Nemanja Stjepanoviç nga Qendra për të Drejtën Humanitare tha se roli i shtetit serb në masakrën e Srebrenicës ishte i padiskutueshëm, sepse ai mbështeti dhe financoi Ushtrinë Serbe të Bosnjës.

“Kombi serb nuk është gjenocidal dhe kjo është arsyeja pse serbët duhet të dënojnë gjenocidin që individë të caktuar kryen në emër të kombit,” tha Stjepanoviç.

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Qendra për të Drejtën Humanitare dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut me qendër në Beograd i bënë gjithashtu thirrje deputetëve të marrin pjesë në një takim përkujtimor për viktimat e gjenocidit para ndërtesës së parlamentit në Beograd më 11 korrik.

Masakrat janë përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjykata shtetërore boshnjake.

Por ky përkufizim është kontestuar fuqishëm nga zyrtarët serbë dhe serbë të Bosnjës, të cilët pretendojnë se krimet nuk përbëjnë gjenocid.

Në mars të vitit 2010, parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë që e dënon masakrën, por nuk arriti ta quante atë gjenocid.

Vitin e kaluar, Mitiç ishte një nga organizatoret e një eventi të planifikuar të quajtur #sedamhiljada, i cili kishte për qëllim të mblidhte simbolikisht 7,000 njerëz – që përfaqësojnë numrin e përafërt të vdekjeve në Srebrenicë – jashtë parlamentit për të përkujtuar 20 vjetorin e masakrave.

Por ministri i brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç i ndaloi të gjitha tubimet për përvjetorin e kësaj, duke cituar rreziqet e sigurisë, dhe Mitiç u akuzua për kundërvajtje se kishte shkelur ligjin duke organizuar një tubim publik pa njoftuar paraprakisht autoritetet.