Zanafilla e konfliktit të armatosur me familjen e peshkatarëve, që çoi në pranga deputetin Armando Prenga nisi me tenderin e shfrytëzimit për peshkim të lagunës së Patokut, që u fitua nga kompania e sapothemeluar e vëllait të tij.
Një tender i denoncuar si klientelist për shfrytëzimin e lagunës së Patokut është shkaku i përplasjes së armatosur mes deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga dhe një familjeje peshkatarësh nga Fushë-Kuqja e Kurbinit. Shtatë persona mbetën të plagosur në konfliktin që nisi mesnatën e së premtes, ndërsa policia njoftoi se kishte arrestuar gjashtë persona, mes të cilëve edhe deputetin Prenga.
Sipas njoftimit të policisë, deputeti Armando Prenga u arrestua në flagrancë me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, i akuzuar për “plagosje të rëndë me dashje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje serioze për vrasje”.
Policia sqaron gjithashtu se konflikti nisi në një lokal në Patok mes Prengës dhe Gjok Calit, i cili deklaroi më pas në polici se deputeti e kishte goditur me qytë pistolete në kokë. Konflikti është zhvendosur më pas në dyert e komisariatit të Kurbinit, ku familjarë të të dyja palëve janë përleshur me njëra-tjetrën.
Laguna e Patokut shfrytëzohej prej dy dekadash për peshkim nga familja Cali, e cila thelemoi edhe një kompani për këtë qëllim në vitin janar të vitit 2004. Por një tender i shpallur në janar të vitit 2015 nga Ministria e Bujqësisë për shfrytëzimin e luginës së Patokut ndryshoi rrjedhën e këtij biznesi.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, fitues i tenderit u shpall kompania “Tenki-01” me administrator Eduard Prengën-vëllai i deputetit socialist Armando Prenga, ndërsa familja Cali e denoncoi publikisht si klientelist këtë tender.
Dy familjet kanë qenë në konflikt prej fillimit të vitit për këtë çështje. Megjithatë, konflikti preku kulmin mesnatën e së premtes në dyert e komisariatit të Kurbinit, ku vëllezërit Prenga dhe familjarët Cali u përleshën me njëra-tjetrën.
Policia njoftoi se nga përplasja mbetën të plagosur me mjete të forta gjashtë persona, katër prej të cilëve nga familja Cali dhe dy të afërm të deputetit Prenga, mes të cilëve edhe vëllai i tij. Tom Cali, 66 vjeç ka mbetur i plagosur me armë zjarri, akuzë kjo që rëndon direkt mbi deputetin Armando Prenga.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në një deklaratë për shtyp se implikimi i deputetit socialist në një përleshje të armatosur brenda ambienteve të një komisariati është fundi i shtetit ligjor. Ai akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se tentuan të fshihnin ngjarjen.
“Për dhjetë orë me radhë, me urdhër të Ramës dhe Tahirit, policia vendosi një shtetrrethim të vërtetë në vendin e ngjarjes për të fshehur dhe manipuluar provat, për të mbrojtur agresorin, të përzgjedhurin e Ramës në Laç,” tha Basha.
Por kryeministri Rama u përgjigj se deputeti do të ndëshkohej, pasi askush nuk është mbi ligjin. “Koha e të paprekshmëve ka ikur bashkë me Saliun,” shkroi Rama në Facebook.
Tenderi i dyshimtë për lagunën
Zanafilla e plagosjes masive, për të cilën akuzohet deputeti i mazhorancës Armando Prenga i ka rrënjët tek një tender i Ministrisë së Bujqësisë për shfrytëzimin për peshkim të ujërave të brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Ky tender u shpall më 19 janar 2015 nga Ministria e Bujqësisë në faqen elektronike të Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërkohë që në listë ndodhej edhe laguna e Patokut, zonë e deputetit Prenga.
Dokumentet e publikuara nga Ministria e Bujqësisë, të siguruara nga BIRN tregojnë se për lagunën e Patokut ishin përfshirë në konkurim dy kompani: “Cali” shpk, e cila e shfrytëzonte atë për peshkim që prej viteve ’90 dhe “Tenki-01” shpk.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, QKR, kompania “Tenki- 01” shpk është themeluar më 22 dhjetor 2014; më pak se një muaj para shpalljes së tenderit. Kjo kompani është në pronësinë e Eduard Prengës, vëllai i deputetit socialist Armando Prenga.
Më 23 mars 2015, Ministria e Bujqësisë shpalli fituesit e tenderit, duke ia hequr të drejtën e peshkimit kompanisë së vjetër “Cali” dhe duke ia kaluar atë “Tenki-01” të Prengës. Në muajin prill, familjarët Cali akuzuan publikisht deputetin Prenga se kishte ndikuar që tenderi të fitohej nga vëllai i tij.
“Kemi dorëzuar të gjitha dokumentet për rinovimin e kontratës 10-vjeçare, por më pas morëm vesh se po konkuronim me vëllanë e deputetit. Për këtë çështje njoftuam kryeministrin, por nuk morëm përgjigje,” deklaroi për mediat Gjergj Cali.
Në një deklaratë për mediat, edhe opozita e denoncoi tenderin si klientelist, të dhënë për llogari të deputetit të mazhorancës.
Asokohe, deputeti Prenga deklaroi në një intervistë për A1 Report se nuk kishte lidhje me tenderin e fituar nga i vëllai. “Unë merrem me politikë, nuk merrem me biznes. Nëse im vëlla ka marrë diçka jashtë ligjit, të reagojnë institucionet,” u mbrojt Prenga.
Jehona e tenderit të dyshimtë u shua pas këtyre deklaratave, por konflikti mes dy familjeve Cali dhe Prenga nuk u mbyll. Mbrëmjen e së premtes, ai shpërtheu në përleshje të armatosur para komisariatit të Kurbinit, ku shtatë persona u plagosën dhe deputeti socialist u arrestua për ngjarjen.
Të shtunën, Partia Socialiste tha në një deklaratë se Armando Prenga ishte përjashtuar nga radhët e saj dhe se ai “ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e PS”.
Ky artikull është pjesë e një serie shkrimesh mbi prokurimin publik dhe korrupsionin të publikuara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN Albania, me mbështetjen e USAID, për të mbështetur gazetarinë investigative në Shqipëri. Opinionet e autorit të shprehura në artikull jo domosdoshmërish reflektojnë ato të USAID apo të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës