Lajm17 May 2019

Deputetja e Kosovës pranon që “fotografia e përdhunimit” mund të jetë e rreme

Deputetja e Kosovës Flora Brovina, që shkaktoi zemërim duke i treguar mediave një fotografi ku pretendohej se shfaqeshin ushtarët serbë ndërsa përdhunonin një grua shqiptare gjatë luftës, pranoi se ndoshta kjo fotografi nuk ishte e vërtetë.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Deputetja Flora Brovina.

Flora Brovina kërkoi ndjesë të premten për publikimin e një fotografie në media duke pretenduar se në të shfaqeshin tre ushtarë serbë që përdhunonin një grua shqiptare gjatë luftës.

“Fotografia ndoshta është falsifikuar,” tha Brovina në një konferencë për shtyp.

“Dua t’i kërkoj falje të gjithëve, sidomos grave që u përdhunuan gjatë luftës. Këtë fotografi ma kanë dhënë në vitin 2003 në një zarf. Nuk mendova ta verifikoja sepse e kam pasur që nga 2003. Personi që ma dha është një aktivist për të drejtat e njeriut,” shtoi ajo.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar tashmë një hetim nëse fotografia është autentike apo jo.

Hetimi i Prokurorisë Speciale u nis pasi kërkimet në internet shfaqën të njëjtin imazh në faqe interneti që sugjerojnë se ajo në fakt është marrë nga lufta në Irak. Imazhi gjithashtu shfaqet në një faqe pornografike.

Brovina, një deputete nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, tregoi fotografinë e pa censuruar për mediat në korridorin e Asamblesë e Kosovës të enjten gjatë një debati mbi një rezolutë parlamentare të propozuar që akuzon Serbinë për kryerjen e gjenocidit gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Veprimi i saj u dënua nga disa politikane femra, përfshirë ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Vasfije Krasniqi Goodman, një nga gratë e para në Kosovë që ka folur hapur për eksperiencën e saj si një grua e përdhunuar gjatë kohës së luftës.