Lajm16 May 2019

Deputetja kosovare shkakton polemika duke treguar një fotografi përdhunimi lufte

Disa politikane kosovare reaguan me zemërim pasi deputetja Flora Brovina tregoi një fotografi gjatë një debati në parlamentin e Kosovës, të cilën ajo tha se ishin tre ushtarë serbë duke përdhunuar një grua shqiptare gjatë luftës.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Deputetja Flora Brovina.

Flora Brovina, një deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, nxiti reagime të zemëruar të enjten kur ajo tregoi një fotografi gjatë një debati parlamentar, në të cilën ajo tha se ishin tre ushtarë serbë që përdhunonin një grua shqiptare etnike gjatë luftës.

“Sikur neve na është mbyllur goja dhe mundësia për të fol këto gjëra,” tha Brovina ndërsa tregonte fotografinë e pacensuruar gjatë një debati rreth një rezolute parlamentare që akuzon Serbinë për kryerjen e gjenocidit gjatë luftës.

Pas incidentit, prokuroria speciale e Kosovës tha se ka hapur një hetim në lidhje me fotografinë, autenticiteti i të cilës ende nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Por politikanet e tjera femra të Kosovës reaguan me zemërim ndaj veprimit të Brovinës, duke e quajtur këtë jo etike dhe çnjerëzore.

Deputetja Saranda Bogujevci nga Vetëvendosja u shpreh se fotografia nuk duhet të ishte bërë publike.

“Zonja Brovina më vjen shumë keq po është komplet e pa drejtë që u bo ajo, shihet viktima po thu që është gjallë imagjinoni si ndihet ajo, kjo i bjen të mos trajtohet me dinjitet ai person,” tha Bogujevci, e cila është edhe vetë një viktimë e luftës.

Bogujevci i kërkoi mediave të Kosovës që e kanë publikuar fotografinë ta heqin atë nga faqet e tyre.

“Është një kërkesë e anëtarëve të familjes dhe ata janë shumë të shqetësuar,” tha ajo.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila mbështeti të drejtat e viktimave të përdhunimit gjatë kohës kur ishte në detyrë, gjithashtu kritikoi publikimin e fotos, duke thënë se kjo mund të çonte në zbulimin e identitetit të viktimës.

“Publikimi i imazheve të tilla që tregojnë përdhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës është një goditje e rëndë për mijëra të mbijetuar të abuzimit seksual gjatë luftës në Kosovë,” tha Jahjaga.

“Është e pështirë, e neveritshme dhe e turpshme që një deputete e Kosovës që ka ngritur zërin për të drejtat e grave dhe burrave të përdhunuar gjatë luftës në Kosovë sot përdor ndërtesën e Kuvendit për të bërë publike një fotografi të tillë,” shtoi ajo.

Gjatë debatit parlamentar, Brovina, një ish-aktiviste për të drejtat e njeriut e cila u arrestua nga autoritetet serbe në vitin 1999, tha se ajo ka dëgjuar shumë dëshmi nga gratë kosovare të përdhunuara nga trupat serbe.

“Kam histori të këtyre grave që jo të gjitha janë si heroina që dëshmojnë në OKB,” tha ajo.