Ish-ministri i Brendshëm akuzoi dy herë gjatë dëshmisë së tij në gjyqin kundër Emiljano Shullazit dhe katër personave të tjerë, prokurorinë për politikë, ndërsa tha se ishte informuar nga faqja në Facebook e Sali Berishësh për kërcënimin ndaj dy rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.
Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, i thirrur si dëshmitar në gjyqin kundër Emiljano Shullazit, akuzoi prokurorinë se po bënte politikë, pasi kishte thirrur atë të dëshmonte dhe jo ish-kryeministrin Sali Berisha që sipas tij ishte më i informuar. Tahiri këmbënguli në dëshminë e tij gjatë seancës në mengjesin e sotëm se informacionin për kërcënimin nga Emiljano Shullazi të ish-rektorit Dhori Kule dhe të rektorit aktual Mynyr Koni e kishte marrë nga faqja në Facebook e ish-kryeministrit. “Thirreni Berishën nga kush e mësoi,” ka thënë Tahiri në gjykatë, ndërsa shtoi se “prokuroria nuk bën punë, por po bën politikë”.
Më herët në të njëjtën seancë gjyqi dëshmoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, i cili pohoi se nga një bisedë me ish-Rektorin e Universitetit të Tiranës Dhori Kule kishte mësuar se kërcënimi ishte bërë nga të pandehurit. “Nga ajo që më ka treguar Kule në këtë takim, më ka pohuar se personat kanë qënë disa nga të pandehur e këtij procesi gjyqësor, mes të cilëve dhe i pandehuri Emiljano Shullazi. Profesori më ka treguar se kjo ishte një situatë e pazakontë për ta…”, tha Çako para gjykatës.
Ish-Rektori i UT Dhori Kule nuk ka dëshmuar ditën e djeshme pas i kërkoi gjykatës leje për shkak se një i afërm i tij ishte shtruar në spital. Gjykata ndërkohë pranoi kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitarë ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili denoncoi disa ditë para arrestimit të Shullazit në prill të vitit 2016 se ky i fundit kishte kërcënuar rektorin e Universitetit të Tiranës dhe kandidatin për rektor që të tërhiqeshin nga zgjedhjet.
Në të njëjtën kohë Prokuroria për Krimet e Rënda kishte regjistruar një sërë procedimesh penale për Shullazin, emri i të cilit ajo e lidh me një listë të gjatë gjobëvëniesh dhe kërcënimesh ndaj bizneseve që shtrihen në zonën industriale Tiranë-Durrës. Dhe disa ditë pas denoncimit publik të Berishës, Emiljano Shullazi u arrestua nën akuzë për gjobëvënie dhe kërcënime.
Shullazi, sëbashku me Gilmadno Danin, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela akuzohen për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjyqi ndaj Shullazit filloi në pranverë të këtij viti dhe prej fillimit disa prej dëshmitarëve që prokuroria ka thirrur pasi i kishte pyetur më parë, kanë ndryshuar sipas prokurorisë qëndrim në gjykatë, ku kanë thënë se nuk e njohin të akuzuarin dhe se nuk ishin kërcënuar prej tij.
Ndërkohë, Besnik Musai, një nga dëshmitarët e thirrur nga akuza një muaj më parë, tha se familja e tij ishte kërcënuar që ai të mos dëshmonte. Musai, i cili ishte shoferi dhe kunati i Ylvi Beqjas, një prej akuzuesve të Shullazit në çështjen e “Hotel Vollgës” në Durrës, i qëndroi pohimeve të bëra më parë në gjykatë, ndërsa përmendi edhe kërcënimin.
Përgjatë viteve të fundit, Shullazi është kthyer gjithashtu në një personazh kyç të debatit politik në vend. Ai ishte një ndër rastet që ambasadori Donald Lu përmendi gjatë fjalimit në Shkollën e Magjistraturës.
Ndërkohë Partia Demokratike në opozitë akuzon ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje të ngushta me Shullazin dhe “mbrojtës” të tij.
Madje edhe sot menjëherë pas dëshmisë së Tahirit dhe kërkesës së mbrojtjes së Shullazit për të thirrur të dëshmonte Sali Berishën, kreu i PD Lulzim Basha reagoi duke akuzuar ish-ministrin e Brendshëm për koordinim të veprimeve me të akuzuarin. “Sajmir Shullazi dhe Emiliano Tahiri në sintoni të plotë me njëri tjetrin kërkojnë dëshminë e Sali Berishës. Kjo natyrisht nuk është rastësi…”, shkroi Basha në faqen e tij në Facebook duke ironizuar me emrat.
Deputeti i PS-së Tahiri u përgjigj në të njëjtën platformë duke thënë se sulmet politike të kreut të PD i bënin nder krimit. “Keqardhje akoma më shumë për Lulëzim Bashën që me sulmet politike, po i bën nderin më të madh krimit”, shkroi Tahiri, ndërsa thotë se duhej të “lihej drejtësia të bënte drejtësi”.
Ky i fundit po ashtu ka shkëmbyer replikë me gjykatësit që i kanë kërkuar të dëshmojë dhe të mos japë mendime. Tahiri përsëriti disa herë gjatë dëshmisë se “Berisha ka informacionin e duhur për këtë pjesë”, ndërsa duke iu drejtuar prokurorisë theksoi: “Po ju se thërisni Berishën, se kërkoni të bëni politikë”.
Emri i Emiljano Shullazit qarkullon në kronikën e zezë që prej përplasjeve të përgjakshme të viteve 1998-1999 mes bandave në Tiranë. Në vitin 2006, ai u arrestua dhe u dënua me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik droge si pjesë e operacionit “Identikit”.
Pas lirimit nga burgu, emri i Shullazit është lakuar si autor i mundshëm i një sërë krimesh të ndodhura në Tiranë, por autoritetet e drejtësisë mundën t’i vërtetojnë vetëm një akuzë për armëmbajtje pa leje në vitin 2012. Ai ndërkohë është përmendur edhe për përfshirje në fushata elektorale.