Ndërsa vendimi përfundimtar për Radovan Karaxhiçin afron, dëshmitarët që dëshmuan kundër ish-liderit serb të Bosnjës sjellin në mendje se si u ndjenë kur folën për të gjitha krimet e tij përball tij në sallën e gjyqit.
“Ai më përshëndeti duke thënë emrin tim. Ishte shumë i qetë. As unë, as ai nuk ngritëm zërin,” thotë kirurgu Youssef Hajir ndërsa kujton kur dëshmoi kundër Radovan Karaxhiçit në gjykatë nëpërmjet një lidhjeje me video me Hagën.
“Unë nuk isha nervoz. Që nga fillimi, i vura qëllim vetes të tregoja të vërtetën,” shton Hajiri.
Kjo nuk ishte hera e parë që Hajiri dhe Karaxhiç flisnin – të dy burrat njiheshin prej vitesh, nga koha kur ishin në universitet. Pasi mbërriti në Sarajevë nga Siria për të studiuar, Hajiri jetoi në të njëjtin konvikt si Karaxhiçi.
“Kur erdha në Bosnje, nuk dija asgjë. As gjuhën nuk e flisja. Ai më ndihmoi. Ne u shoqëruam bashkë për një periudhë kohe,” kujton Hajir.
“Nuk vura re kurrë ndonjë tendencë nacionaliste tek ai, të paktën gjatë kohës që shoqërohesha me të. Nuk e kam vërë re vërtet. U habita she u zhgënjeva shumë kur pashë se ai ishte organizatori i të gjithave,” shton ai.
Ndërsa Karaxhiçi vazhdoi duke u bërë kreu politik i kohës së luftës i serbëve të Bosnjës, Hajiri u bë themeluesi i një spitali të kohës së luftës në lagjen Dobrinja të Sarajevës, duke trajtuar njerëzit të cilët u plagosën nga bombardimet dhe sulmet me snajperë gjatë rrethimit të qytetit – sulme që janë pjesë e akuzave kundër mikut të tij të vjetër Karaxhiç.
“Ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte të shihja fëmijët e plagosur. Meqë nuk kisha anestezi të përgjithshme, fëmijët qanin sepse kishin dhembje, por u bëja vetëm anestezi lokale, çfarëdo që gjeja, por kjo nuk ishte e mjaftueshme,” thotë Hajiri.
Hajiri ishte një nga më shumë se 500 dëshmitarët që dëshmuan në gjyqin e Karaxhiçit për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin1992, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në 20 komuna anembanë vendit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së .
Në vendimin e shkallës së parë në mars 2016, Karaxhiç u dënua me 40 vjet burg, por si prokuroria ashtu edhe mbrojtja apeluan dhe vendimi përfundimtar do të jepet të mërkurën.
Sjellja “provokuese” e Karaxhiçit
Mirsada Malagiç dëshmoi para Gjykatës së Hagës në katër raste, por tha se përvoja e saj më e keqe ishte në gjyqin e Karaxhiçit.
Pas rënies së Srebrenicës në vitin 1995, burri i Malagiçit, dy djemtë, vjehrri i saj, dy kunetër dhe anëtarë të tjerë të familjes u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.
Ajo thotë se e dinte se Karaxhiçi do ta pyeste atë “në një mënyrë provokuese” ndërkohë që ajo dëshmonte, , por ajo u demoralizua kur ai tha se vinte nga “një familje luftëtarësh” – duke nënkuptuar se burrat që u vranë nga familja e saj ishin luftëtarë, jo viktima civile.
Malagiç iu përgjigj me sarkazëm Karaxhiçit, duke thënë se lideri politik serb i Bosnjës i kishte “vënë të gjithë ‘luftëtarët’ si sardele në Qendrën Përkujtimore në Potocari (ku janë varrosur viktimat e Srebrenicës)”.
Ajo shpjegon se si e pa për herë të fundit të shoqin dhe të afërmit e saj pak para se Srebrenica të binte në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, duke thënë se ajo i dha lamtumirë të saj të fundit ndërsa po largohej në atë që ajo shpresonte se do të ishte një vend i sigurt në bazën e paqeruajtësve të OKB-së.
“Kjo ndodhi në pikën e karburantit pranë spitalit në Srebrenicë. Atje u ndamë. Ndërsa ishim në këmbë atje, filloi bombardimi. Kishte një kaos total. Disa ishin të vdekur, të plagosur… Praktikisht, u ndamë pa thënë lamtumirë,” thotë ajo.
Malagiç, e cila ishte shtatzënë, u plagos gjatë bombardimit, por arriti të shkonte në një vend të sigurt bashkë me djalin e saj tetëvjeçar.
Lotët dhe agonia vazhduan ndërsa ajo kërkonte të shoqin Salko dhe djemtë Elvir dhe Admir.
“Dhe pastaj, pikërisht kur po i humbja të gjitha shpresat, në 15 vjetorin e rënies së Srebrenicës, ata gjetën burrin dhe djalin më të vogël,” kujton ajo.
Eshtrat e tyre u gjetën në varre në fshatin Kamenicë në Zvornik.
“U organizua një funeral. I varrosa. Dy vjet më vonë, varrosa edhe djalin tjetër,” thotë ajo.
Në gjyqin e Karaxhiçit, ajo përsëriti atë që ajo kishte thënë në një gjyq të mëparshëm në Gjykatën e Hagës – se duke marrë Srebrenicën, Ushtria Serbe e Bosnjës shkatërroi tre breza njerëzish.
“Familja ime është një shembull i kësaj. Vjehrri im Omer Malagiç, tre djemtë e tij, njëri prej të cilëve ishte burri im, tre nipërit e tij, dy prej të cilëve ishin bijtë e mi, për të mos përmendur vëllezërit e tij, djemtë e tyre – e gjithë familja Malagiç u vra në Srebrenicë,” shpjegon ajo.
“Në Bosnjën lindore ka me qindra, mijëra familje të tilla.”
Dëshmitarja Sanija Dzevlan gjithashtu thotë se pyetjet e Karaxhiçit iu duken të vështira dhe provokuese.
Kur e pa në sallën e gjyqit, i kaluan nëpër mendje vrasjet e civilëve – fëmijë, gra dhe burra të moshuar.
“Kur ai më tha: ‘Mirëmëngjes, znj. Dzevlan’, u tremba shumë dhe thjesht nuk dija ç‘të thosha në përgjigje. Dhe natyrisht, nuk i përgjigja përshëndetjes së tij,” kujton ajo.
Dzevlan u plagos në lagjen Dobrinja të Sarajevës gjatë luftës, ndërsa po lëvizte me biçikletë për të marrë ilaçe dhe ujë.
“Po kaloja urën dhe m’u bë sikur dikush më qëlloi në shpinë. Në atë moment, mendova se dikush më goditi me gur, kështu që u ktheva pas dhe pashë se rrotull nuk kishte asnjë njeri. Por pastaj pashë plumba në rrugë dhe kuptova se isha plagosur dhe ata po më qëllonin mua,” kujton ajo.
Gjatë dëshmisë së saj në gjyqin e Karaxhiçit, ajo u bë shumë nervoze sepse pyetjet e tij iu dukën të pakëndshme dhe nuk ishte në gjendje të mbante as një stilolaps me të cilin iu kërkua të tregonte vendin ku ishte plagosur.
“Pas kësaj, kur mbarova, ndjeva një stres të tmerrshëm, kështu që qava shumë në dhomën përgatitore të gjykatës,” thotë ajo.
Dzevlan beson se gjykata do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe do ta dënojë Karaxhiçin.
“Unë pres që ata ta dënojnë. Thjesht fakti që ai do të dënohet si një kriminel lufte do të thotë shumë,” thotë ajo.
Hajiri, ish-shoku i Karaxhiçit në Sarajevë, shprehet se edhe pse presidenti serb i Bosnjës i kohës së luftës mund të mos ketë marrë pjesë drejtpërdrejt në krime të caktuara, ai duhet të mbajë përgjegjësi për to për shkak të rolit të tij udhëheqës.
“Në fund të fundit, ai trazoi ndjenjat e serbëve dhe krijoi një fabrikë gënjeshtrash kundër kundër grupeve të tjera etnike dhe ai duhet të përgjigjet për këtë,” thotë ai.
Karaxhiç ka këmbëngulur se ai është i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe i ka kërkuar gjykatës së OKB-së ta lirojë atë nga akuzat.