Lajm9 Sep 2019

Dështimi i gjyqit, Gjykata pezullon afatet e paraburgimit për Emiljano Shullazin

Raporti mjekësor i paraqitur nga dy avokatë shtyu për herë të 16 gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe pesë të akuzuarve të tjerë, ndërkohë që gjykata vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Forca të shumta policie rrethuan Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë një seance kundër Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit. Foto arkiv: LSA

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shtyu të hënën për herë të gjashtëmbëdhjetë seancën gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij në gjobëvënie dhe kërcënime; Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.  Mungesa e dy avokatëve me pretendimin se kishin arsye shëndetësore e ka bërë sërish të pamundur vazhdimin e procesit të nisur prej 21 janarot 2019.

Në çelje të seancës, kryesuesja e trupës gjykuese, Albana Boksi konstatoi se i pandehuri Emiljano Shullazi kishte depozituar një deklaratë, sipas të cilës nuk do të merrte pjesë, por do të përfaqësohej nga avokati i zgjedhur prej tij, Vladimir Meçe. Ndërsa ky i fundit kishte paraqitur njoftim se nuk mund të paraqitej në seancën e të hënës për arsye shëndetësore dhe kishte depozituar pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda një raport mjekësor për paafëtësi në punë për tre ditë. Po ashtu, edhe avokati Elton Domi kishte dorëzuar pranë gjykatës një kërkesë për shtyrjen e séancës, pasi kishte paraqitur raport mjekësor.

Në sallë ishin të pranishëm katër të pandehurit, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Gjithashtu ishin të pranishëm mbrojtësi ligjor i Gilmando Danit, avokati Denion Bogdani dhe ai i Blerim Shullazit, avokati Bledar Meminaj.

Prokurori i Apelit për Krimet e Rënda, Isa Jata, u shpreh se në kushtet kur mungonin dy avokatët nuk mund të mbroheshin interesat e të pandehurve dhe se seanca nuk mund të vijojë. Ai i cilësoi të ligjshme shkaqet e avokatëve dhe kërkoi shtyrjen e seancës, por duke pezulluar afatet e paraburgimit për të pandehurit.  

Dy avokatët e pranishëm e kundërshtuan kërkesën prokurorisë për pezullimin e afateve të paraburgimit. Në fund trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Albana Boksi e vlerësoi të ligjshëm shkakun e paraqitur nga avokatët për mungesën e tyre dhe pranoi kërkesën e prokurorit për pezullimin e afateve të paraburgimit. Seanca u shty për më datë 23 shtator, ora 11:00.