Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol dështoi kur nuk mori votat e nevojshme në asamblenë e përgjithshme të organizatës të mbajtur në Dubai.
Kosova nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme prej dy të tretash të 192 vendeve anëtare të Interpolit në përpjekjen e saj për t’u bashkuar me Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale në asamblenë e saj të përgjithshme në Dubai të martën.
Sipas televizioni kombëtar serb RTS, nga vendet që votuan, 51 ishin kundër anëtarësimit të Kosovës, 68 ishin në favor dhe 16 abstenuan. Kosova duhet të siguronte 115 vota.
Ministri i Brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç postoi një foto të asamblesë së përgjithshme të Interpolit me fjalën në serbisht “pobeda” (“Fitore”).
Interpol, rrjeti ndërkombëtar që lidh forcat policore në 192 vende, vepron si një platformë për bashkëpunim dhe ndarje informacionesh për krimet ndërkufitare. Anëtarësimi do t’i kishte dhënë Kosovës qasje në një bazë të dhënash të përbashkëta ndërkombëtare të provave kriminale të disponueshme për të gjitha vendet anëtare në të.
Kosova ka aplikuar pa sukses për anëtarësim në Interpol në vitin 2015 dhe 2016, ndërsa vitin e kaluar e tërhoqi aplikimin përpara mbledhjes së përgjithshme të asamblesë në Kinë, një vend që ka kundërshtuar shtetësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare që kur Prishtina shpalli pavarësinë në 2008.
Sipas televizionit rajonal të Ballkanit N1, qeveria serbe “kundërshton ashpër anëtarësimin e Prishtinës në Interpol”, me ministrin e brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç që pretendon se anëtarësimi i Kosovës do të ishte një shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në fund të luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe parashtroi një plan për zgjidhjen e konfliktit.
Por pavarësisht pretendimit të Stefanovçit se rregullat e Interpolit “në mënyrë strikte dhe pa mëdyshje” parashikojnë vetëm shtetet anëtare të OKB-së dhe entitetet me statusin e vëzhguesit të OKB-së si të pranueshëm për anëtarësim, as kushtetuta e Interpolit as rregullat e saj të procedurës për asamblenë e përgjithshme nuk e përmendin këtë si një kërkesë për pranim.
Një nga funksionet kyçe të Interpolit është aftësia që vendet anëtare të nxjerrin “njoftime”, të cilat qarkullojnë nga Interpoli në të gjitha vendet anëtare.
Këto përfshijnë njoftimin e kuq, i cili i komunikon vendeve anëtare se shteti dërgues kërkon arrestimin e një individi, pasuar nga ekstradimi i tyre, për t’u përballur me akuzat penale.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u arrestua në Francë në janar 2017 nëpërmjet një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në bazë të akuzave për krime lufte, por gjykata franceze hodhi poshtë kërkesën e ekstradimit të Beogradit dhe ai u lirua. Njoftimi i kuq që kërkon arrestimin e Haradinajt u hoq në dhjetor 2017.